Juli Sono - GUSHKUQ MBI QIPARIS

Juli Sono  - GUSHKUQ MBI QIPARIS
GUSHKUQ MBI QIPARIS
 
Shumë e shumë kohë më parë, atje tej në lindje, atje ku diellin ke mundësinë nga afër ta përshëndesësh kur lind, ndodhej një arë djerr ku, në qoshen e saj nga ana lindjes qëndronin dy qiparis. Ata ishin aq afër njëri- tjetrit saqë dukej sikur ishin të përqafuar. Vërtet e çuditshme kjo! Si ishte e mundur të mbijetonin në një arë djerr këta qiparisa? Asnjë s'ishte në gjendje t'i jepte përgjigje këtij fenomeni, përveç një legjende që tregohej... Legjenda rrëfen se dikur ajo arë quhej "ARA E PJELLORISË". Këtë emër e kishte marrë nga prodhimi i bollshëm që kjo arë vit jepte çdo vit. Ara ndodhej midis dy kodrave, anash të cilave kalonte nga një përrua, si për të ndarë dy krahina me besime të ndryshme. Aq të forta ishin besimet në zotat e tyre, saqë nuk shkëmbenin as mallra me njëri - tjetrin e as krushqi. Pakti i vetëm që i kishte bashkuar ishte Ara, të cilën një vit e mbillte dhe e korrte njëra krahinë dhe vitin pasues tjetra. Kështu nis edhe legjenda: pikërisht në këtë arë, u dashuruan dy të rinj. Vajza, një ndër më të bukurat e krahinës që besonte tek zotat e Tokës, u dashurua me djalin më të bukur të krahinës që besonte tek zotat e Qiellit. Ishte dashuri me shikim të parë, por e ndaluar rreptësisht. Djali kishte dëgjuar të flitej aq shumë për bukurinë e saj, aq sa kishte rrezikuar jetën duke tentuar të hynte në territorin e ndaluar për të, veç ta shikonte, dhe ia kishte arritur qëllimit, e kishte parë madje i kishte folur edhe disa fjalë dhe vajza duke mos i rezistuar bukurisë së tij, kishte pohuar me kokë në shenjë miratimi. Takimin e tyre e kishin lënë tek "ARA E PJELLORISË". E kështu lindi dashuria e tyre, në takimet në agim ose në perëndimin e diellit, kjo sipas mundësive që vajza kishte për të ardhur dhe që djali gjithmonë e priste. Në atë kohë ara ishte e mbjellur me grurë dhe kallinjtë dukeshin sikur takonin qiellin. Kallinjtë e grurit me pamje të florinjtë, të cilat dukeshin sikur bëheshin njësh me rrezet e diellit gjatë ditës dhe shndrisnin nën argjendin e hënës gjatë natës, aty ku pushtohej nga cicërima e gushkuqve si ninulla e nënës që vë foshnjën në gjumë, ishte vendi i fshehtë i dy të dashuruarve, derisa në atë vend të vinte koha e drapërit. Për dy të rinjtë dashuronte vetë bukuria, dashuronte pasioni dhe çiltërsia e bashkë me ta dashuronte edhe natyra. Kur ata dashuroheshin në fshehtësi, teksa ruheshin nga të afërmit e tyre, por gjithsesi zhvisheshin lakuriq në sytë e lindjes së diellit, në perëndimin e tij, nën shkëlqimin e hënës dhe në sytë e zogjve shtegtar. Kur ata putheshin si dy trupa në një shpirt të vetëm të bashkuar, edhe gushkuqët ndalnin cicërimën. Por kjo dashuri nuk kishte fatin të zgjaste shumë; ajo zgjati aq sa kallinjtë e grurit shijuan rrezet e diellit përpara korrjes me drapër. Dashuria e dy të rinjve, u pikas nga anëtarët e të dyja krahinave, ndaj filluan luftën midis tyre deri në përgjakje. Ata nuk vranë vetëm dy të rinjtë, por vranë edhe dashurinë për zotat e tyre kundërshtarë si vetë ata, dhe ara nga ARA E PJELLORISË u kthye në një arë djerrëse. Legjenda rrëfen se dy qiparisët u mbollën nga zotat dhe rriteshin nga gjaku i derdhur i dashurisë së dy të rinjve, ndërsa dy gushkuqët që qëndronin mbi qiparisët e cicëronin sapo lindte dielli e deri në perëndim, ishin shpirtrat e pastër e dy të rinjve që në atë vend ku u përgjakën u dashuruan në përjetësi.
 
Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta