Jahja Lluka - VIZITA NË TOKËN E SHEJTË!

Jahja Lluka - VIZITA NË TOKËN E SHEJTË!
VIZITA NË TOKËN E SHEJTË!
 
Kur kthehemi prapa në histori, në librat e shumta hasim fillet e qytetërimeve. Atje ku monoteizmi dhe fetë abrahamike u ngjizën, mes luftërash të mëdha, betejave triumfuese si dhe humbjeve të pakthyeshme. Një tokë që me mijëra vite ndeshi qytetërimet, udhëkryq mes Lindjes dhe Perëndimit, në Detin e Vdekur dhe ëndrrat e përjetshme, vuajtjet e pambarimta dhe gëzimet e përkohshme, Izraeli të ngjallë një emocion të rrallë kur shkel në të; dhe ky emocion është i dyfishtë pasi që vuajtjet, luftërat, sakrificat e popullit hebre dhe popullit shqiptar janë të ngjashme, e që përgjatë Luftës së Dytë Botërore, populli ynë me kodin mijëra vjeçar të Besës, shpëtoi mijëra hebrenj të cilët kërkonin ndihmë. Nga ajo kohë lidhja e shqiptarëve me hebrenjtë veç humanizmit në vete, mori frymë vëllazërie. Në Izrael pritja ndaj meje ishte më shumë sesa politike. Humanizmi i përmasave hyjnore që kishin bërë shqiptarët për hebrenjtë, bëri që dyert tona si shqiptar dhe përfaqësues të shtetit të Republikës së Kosovës të ishin të hapura me plotë respekt dhe admirim. Pata nderin të zhvilloj takim me deputetë të Knesetit, Parlamentit Izraelit, njëherit dhe anëtarë të Komitetit për Edukim, Kulturë dhe Sport, kryesuesin Yaacov Margi, Michael Malkieli dhe Omer Yankelevitch. Poashtu, kënaqësi e veçantë që takova edhe Ministrin e Izraelit për Komunikim, David Amsalem. Duke dashur që lidhjet kulturore dhe historike të mbesin përgjithmonë mes popullit tonë dhe popullit hebre, në Parlamentin e Izraelit në emrin e Kryeministrit z. Ramush Haradinaj, dhurova librin "Portrete të Skenderbeut" nga Luan Tashi. Vuajtjet tona në shek. XX ishin të njëjta, dy popuj që nga tendenca dhe dëshirat mizore u projektuan të zhdukeshin përgjithmonë nga faqja e dheut. Andaj Parlamentit të Izraelit i dhurova edhe librin "Qendra përkujtimore e gjenocidit Bllaca 1999". Këto dy libra me dokumente të rëndësishme i dhurova edhe Muzeut të Holokaustit, ku pata rastin ta vizitoj për së afërmi. Atje veç historisë dhe ngjarjeve të cilat u kthyen në muze të përmasave globale, shkëmbyem ide sepse një muze i tillë i duhet edhe Kosovës. Kjo vizitë veç anës diplomatike, preku thellë shpirtin tim prej poeti. Sikur frymëzimi ecte nëpër tokën oazë mes shkretëtire. Dhe dëshirat e miliona njerëzve në Murin e lutjeve, sikur kishin një melodi të heshtur mes lotëve, buzëqeshjes dhe gjakut. Atje ku ishte Treni i Vdekjes më ngjante sikur frika dhe kukamat ishin të gjalla. Një popull i pashpresë, tani në orën e tij të përparimit më bënte t'i kisha lakmi dhe zili. Lakmi për triumfin dhe shtetndërtimin dhe zili për kurajon që nga hiçi arriti të krijojë sërish një perandori në Lindjen e diellit të hershëm. Deti i vdekur sikur i ndante dy botët, ishte kufi mes të dukshmes dhe të padukshmes, humbjes dhe fitores, të shkuarës dhe të tashmes, guximit dhe frikës, diellit dhe hanës. Pasoma -shfaqte luftën në flijim kokë me kokë, këmbë me këmbë, zemër me zemër mes romakëve dhe hebrenjve. Lufta për pushtet dhe sundim nga perandori të cilat më nuk i njeh koha sepse u shuan. Jeta e zakonshme e hebrenjve në kooperativa të quajtura kibuci, shfaqte shpirtin luftarak dhe forcën largpamëse për një shtet, një çati. Takimet ishin të shumta me investitorë që Kosovën e shihnin si shtet të përshtatshëm për investime në fusha të ndryshme. Gjithashtu një delegacion i Parlamentit të Izraelit më premtuan një vizitë në Kosovë. Me shpresë që dhe ne të marrim diçka nga kjo kurajo për shtet të fortë, e lash prapa tokën e shenjtë, për tu kthyer në tokën time më të lashtë se vetë historia. Ishte ndjenjë krenarie kur pash emrat e gdhendur të shqiptarëve të cilët me shpirtin e tyre fisnik nuk lejuan vrasjen dhe dëbimin e hebrenjve. Kjo Besë që na karakterizon ndryshe nga popujt tjerë në Ballkan më bëri të lumtur dhe kryelartë për gjakun tim

Jahja Lluka