KRYEFJALA E FJALISË NË ROMANIN “GJENERALI I USHTRISË SË VDEKUR”
Kryefjala është gjymtyra kryesore emërore a përemërore e fjalisë dykryegjymtyrëshe, që hyn në marrëdhënie e në lidhje kallëzuesore me kallëzuesin. [1]Shumica e fjalive dhe periudhave në romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” kanë të shprehur kryefjalë, ndërsa ka edhe fjali që nuk e kanë të shprehur këtë gjymtyrë kryesore, por lë të nënkuptohet. P.sh.: Rrugët ishin mbuluar plot me gjethe të rëna. (f. 135); Ai foli për traditat e bukura. (f. 21); Pas dy javësh u vra i dyti. (f. 178); Gurgullima e ujit të vinte në gjumë. (f. 119); etj. Fjalët e nënvizuara në shembujt e mësipërm kryejnë funksionin sintaksor të kryefjalës në fjali. Kështu, emri rrugët, përemri ai, numërori rreshtor i pari dhe togfjalëshi gurgullima e ujit janë të përdorura në rasën emërore dhe si të tilla janë kryefjalë fjalie dykryegjymtyrëshe. Kryefjala shprehet në radhë të parë me emër, cilido kuptimi i tij, po mund të shprehet edhe me përemër, me numëror ose edhe me çdo pjesë të ligjëratës të emërzuar. Rasa tipike e kryefjalës është rasa emërore. Kryefjala mund të shprehet edhe me një togfjalësh. [2]
1.1. Kryefjala e shprehur me e emër
Emri në funksion të kryefjalës mund të jetë i shquar ose i pashquar. [3] Shprehja e kryefjalës së fjalisë me emër del edhe në romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, por kryesisht në trajtën e shquar, si: Gjenerali e dinte këtë. (f. 17); Prifti nuk foli. (f. 132); Fshati pranë është mbushur me ballistë. (f. 125); Rrugët janë shumë të rrezikshme. (f. 127); Gjaku më hipi në kokë. (f. 122); Kristina u martua. (f. 126); Fryn një erë e marrë... (f. 114); ...sytë i shkreptinë nga zemërimi... (f. 154); Kaloi një fshatar me një orë turke. (f. 118), etj.
Në shembujt e mësipërm, vetëm në rastin e parafundit dhe të fundit kryefjalët e fjalisë janë shprehur me emra në trajtën e pashquar: një erë dhe sytë, çka do të thotë se kryefjalët e shprehura me emra të pashquar janë shumë më të pakta. Kryefjala mund edhe të mungojë në fjali. Këtë dukuri e hasim edhe në këtë roman, si: Vështroi përjashta. (f. 145); Kisha fjetur pak. (f. 120); Ulëm nganjëherë tek ura e mullirit. (f. 128); etj. Kur kryefjala e fjalisë mungon, në të shumtën e rasteve, nënkuptohet një përemër vetor.
1.2. Kryefjala e shprehur me përemër
Kryefjala mund të shprehet me çdo lloj përemri që përdoret si emër. [4] Kryefjalën e fjalisë të shprehur me përemër të llojit të ndryshëm e gjejmë në një numër të madh në romanin që kemi në këndvështrim gjuhësor. P.sh.: Unë kam bërë edhe një sakrificë të thjeshtë... (f. 47); Ai po vinte në Shqipëri. (f. 17); Ajo më vështron me dhembshuri... (f. 117); Ata kanë një hall. (f. 94); – Ky është një vend tragjik, - tha. (f. 54); Këta janë kolegët tanë. (f. 66); -Ne nuk flasim për njëzet vjet më parë. (f. 61); Askush nuk mendonte dot asgjë. (f. 229); Asnjeri të mos provojë të ndezë shkrepësen... (f. 123); Të gjithë ndiqnin në heshtje lëvizjet... (f. 57); etj. Në shembujt e mësipërm fjalët e nënvizuara: unë, ai, ajo, ky, këta, ne, asnjeri, të gjithë, janë përemra dhe si të tillë kryejnë funksionin sintaksor të kryefjalës në fjali.
1.3. Kryefjala e shprehur me numëror dhe pjesë të tjera të ligjëratës
Kryefjala mund të shprehet edhe me një numëror dhe me një pjesë tjetër të ligjëratës të emërzuar. [5]Shprehjet e tilla të kryefjalës i gjejmë, padyshim, edhe në romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. P.sh: I pari u vra në urë, tek bënte rojë natën. (f. 178); Tjetri vazhdonte ta vështronte hutueshëm. (f. 251); Të parët u futën, duke shtyrë njëri- tjetrin. (f. 123); Tjetri mori frymë thellë. (f. 219); Të tre i mbajtën sytë një copë herë poshtë. (f. 238); etj.
1.4. Kryefjala e shprehur me togfjalësh
Kryefjala, mund të shprehet edhe me një togfjalësh. Në këtë funksion përdoren togfjalëshat e tipave të ndryshëm. [6]
Kryefjalën e fjalisë të shprehur me togfjalësh e gjejmë shpeshherë në romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Kadaresë. P.sh.: Qyteti ynë është i vogël dhe ngjarje të tilla bëjnë bujë. (f. 83); Qeveria jonë ka bërë kontratë me shtetin e tyre... (f. 65); Duart e mia rrëshqitën në trupin e saj të njomë... (f. 123); Specialisti shqiptar mbushi shkresat e zakonshme. (f. 56); Hijet e tyre zunë të lëkundeshin... (f. 97); Shtëpia publike ndodhej në qytet... (f. 121); etj. Në shembujt e mësipërm grupet e fjalëve me të zeza: qyteti ynë (emër + përemër), ngjarje të tilla (emër + mbiemër), duart e mia (emër + përemër ), specialisti shqiptar (emër + mbiemër), hijet e zeza (emër + mbiemër) dhe shtëpia publike (emër + mbiemër) kryejnë funksionin e kryefjalëve në fjalitë dykryegjymtyrëshe.
1.5. Vendi i kryefjalës në fjali
Kryefjala mund të zë tri pozita: në fillim, në mes dhe në fund të fjalisë. Kryefjalën e fjalisë e hasim në këto tri pozicione edhe në romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. P.sh.: Gjenerali u zverdh. (f. 50); Gjeneralit i ra pija në kokë. (f. 141); Na iku Gjoleka! (f. 189); etj.
Në romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, kryefjala e fjalisë dykryegjymtyrëshe, në të shumtën e rasteve, shprehet me emër (të shquar dhe të pashquar), me një përemër (vetor, dëftor, të pacaktuar, etj.) me numëror dhe mbiemër të emërzuar, me pjesë të tjera të ligjëratës të përdorur si emër, si dhe me togfjalësha të llojit të ndryshëm. P.sh.: Gjenerali zbriti i pari. (f. 33); Ai kishte shumë besim në misionin e tij. (f.21); Unë iu dëgjoi me kërshëri. (f. 146); Tjetri bënte sikur dëgjonte… (f. 70) etj. Në të shumtën e rasteve kryefjala në këtë roman zë vend në krye të fjalisë, ndërsa në raste më të pakta edhe në mes dhe në fund të saj : Gropat nxijnë anëve. (f. 70); Gjeneralit i ra pija në kokë (f. 141); Pas pak dolën të dy. (f. 105); Në fshat ende nuk ishin ndezur dritat. (f. 207); etj.
Gjithashtu, kam hetuar se shumë herë kryefjala e fjalisë mungon në romanin në fjalë, por ajo nënkuptohet pa vështirësi: (Ata, ato) Një ditë na kontrolluan… (f. 88); (Unë) Duhet të jem i mërzitshëm. (f. 94); (Ata, ato) Zbritën në katund bashkë me mbrëmjen. (f. 206); etj.