CIKËL POETIK NGA MICHELA ZANARELLA
Michela Zanarella ka lindur në Cittadella (Padova - Itali). Që nga viti 2007 jeton dhe punon në Romë. Deri tani ka botuar njëzet libra. Është gazetare e pavarur dhe merret me marrëdhëniet ndërkombëtare. Michela Zanarella është Presidente e Rrjetit Italian për Dialogun Euro-Mesdhetar, si dhe Presidente e Shoqatës "Le Ragunanze".
Zanarella bashkëpunon me gazeta dhe media të ndryshme editoriale. Poezitë e saj janë përkthyer në më shumë se dhjetë gjuhë. Michela është ndër tetë bashkautorët e romanit të autorit të njohur Federico Moccia "Vajza nga Veriu i Romës" publikuar nga Shtëpia Botuese SEM. "Ajo erë rrëshire" është romani i saj i parë ndërsa "Villa Doria Pamphilj parku më i madh i Romës" është eseja e saj e parë.
TË MUNDESH TË THUASH - UNË JAM
Të mundesh të thuash - unë jam
e dëgjoni tingullin e jetës
ujin e dhembjes që hapet
gati si petal mbi kohën
një e çarë drite që shënon paktin
midis qiellit dhe pluhurit
një agim që nënë thërret hënën
dhe baba diellin?
E kuptoni tani që jemi erë
mes një reje, gjëra dhe trëndafila.
JE E NJËJTA DASHURI
Je e njëjta dashuri
që vjen nga dielli,
ke ritmin e kaltërsisë
që qetëson jetën.
E mban mend sa të shpejta ishin
duart tona mbi fytyrë?
Ishin vezullim frymëmarrjet
të pavetëdishëm për kohën
me ne vraponte fati
këmbë zbathur shpirti dhe yjet
për të rifilluar verën me emër:
ar mes petaleve në lëndina.
ANA JETIKE E GJËRAVE
Ana jetike e gjërave
është pothuajse si placenta e kaltër
dhe të atyre mëngjeseve që diellin dëshirojnë
pas një zgjimi të hënës.
Përmbushet një pëllëmbë nga qielli
dhe zbret nën tokë tek rrënjët,
si dashuria që frymëmarrjen e saj përzgjat
në një vështrim si lum që derdhet
dhe bëhet det, oqean blu
që me retë bashkohet.
(Infinito celeste - Pafundësi qiellore (Universitalia, 2021)
RE TË NGARKUARA ME SHI
Re të ngarkuara me shi
dhe sekrete
ajri përgatit tokën
në një banjë qielli
uji është i pafajshëm
dhe bën atë zhurmën
ku bari pothuajse profumon.
Shikon rrugët e lagura të kthehen në lumë
e kishim filluar ne
duke e ndërruar dallgën në një puthje.
Tani lëvizje të madhe ka në shpirt
dhe përreth një kohë gri
që shikime ankoron
sikurse varkat në heshtje.
............................................
RECENSION
Përmes vargjeve të marra nga përmbledhja: INFINITO CELESTE - PAFUNDËSI QIELLORE , autorja Michela Zanarella, na shpie në një udhëtim mes të shenjës dhe të profanit, mes të konkretit dhe të abstraktit, duke ofruar një vizion të thellë dhe të ndjeshëm të jetës dhe formave të saj të shumta.*
Tri poezitë e paraqitura:
- POter DIRE - IO SONO.
- SEI LO STESSO AMORE
- IL LATO VITALE DELLE COSE shfaqen si një takim harmoni mes asaj që është e dukshme dhe asaj që është e padukshme, natyrorja dhe mbinatyra.
Në poezinë POTER DIRE - IO SONO - TË MUNDESH TË THUASH - JAM UNË, Zanarella shqyrton ekzistencën si një bashkim të thellë mes elementeve natyrore, forcave universale dhe shpirtit tonë. “Zhurma e jetës” dhe “uji i dhimbjes” janë alegori - metafora të cilat na komunikojnë një vizion ciklik dhe gjallërues, ku “koha” nuk humbet në harresë. “Qielli” dhe “pluhuri” gërshetohen në një marrëveshje të përjetshme, të cilat lidhin kozmosin me tokën. Delikatesa e fillimit të ditës, me “agimin që thërret hënën Nënë dhe Baba diellin”, përfaqëson diçka të shenjtë që Zanarella e analizon me një gjuhë të lehtë dhe të ndjeshme, gjithashtu të dukshme, duke e udhëhequr lexuesin të perceptojë realitetin si një metamorfozë të vazhdueshme.
Poezia: SEI LO STESSO AMORE - JE E NJËJTA DASHURI i dedikohet dashurisë së përjetshme, e cila ushqehet me dritë dhe forcë, një dashuri që "vjen nga dielli" dhe që, përmes kaltërsisë së qiellit, dhuron ritëm dhe qetësi për ekzistencën njerëzore.
Poezia është e mbushur me sensualitet, në kujtimet e një dashurie që ka fuqinë të ndalë edhe "akrepat" e kohës, duke vazhduar të lulëzojë shpirtin, duke rinovuar kështu kalimin e viteve.
"Shpejtësia" e duarve që preken, "vezullimet e frymëmarrjeve" dhe stina e verës që rikthehet, janë ngjyra të larmishme që rinovojnë dhe rikrijojnë, përfshirë dashurinë pambarim, ashtu sikurse stinët dhe vetë kaltërsinë.
Në poezinë: IL LATO VITALE DELLE COSE - ANA JETIKEEGJËRAVE, autorja na çon të njohim një dimension më intim dhe misterioz të botës që na rrethon. Këtu, Zanarella, na nxit të dallojmë e të përshkojmë gjallërinë e gjithçkaje: gjërat edhe më të thjeshta, natyrën, dashurinë.
Duke paraqitur dhe duke e krahasuar GJITHËSINË me krijimtarinë e saj, "placentën e kaltër" dhe "lumë që derdhet", autorja na bën të perceptojmë dhe kuptojmë fuqinë e jetës në vetvete, e cila degëzohet, rritet dhe rinovohet pa ndërprerje. "Deti" i cili bashkohet me "retë" sugjeron idenë e një rrethi jetësor që nuk ndërpritet kurrë, por që rinovohet vazhdimisht, ashtu si vetë këto vargje.
INFINITO CELESTE - PAFUNDËSI QIELLORE i autores Michela Zanarella është një dritare e hapur drejt horizontit të jetës, në një dimension më të lartë dhe më të thellë, që na propozon të ndalemi, të përqendrohemi, të reflektojmë dhe të marrim frymë gjatë ekzistencës tonë, pikërisht përmes poezisë, si një burim drite e jashtëzakonshme.
Në këto vargje nuk ka thjesht vetëm një lexim që ushqen intelektin, por theksohet edhe pena e Zanarellës, e cila arrin të prekë zemrën dhe shpirtin, duke na çuar të zbulojmë, saktësisht, anën jetësore të gjërave.
Përktheu: Angela Kosta Drejtore Ekzekutive e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese