Gjergj Kosta - Cikël poetik

Gjergj Kosta - Cikël poetik
CIKËL POETIK - GJERGJ KOSTA

Gjergj Kosta ka lindur në Tiranë në vitin 1963, ku edhe u shkollua. Në vitin '87 mbaroi studimet në Fakultetin Filologjik, në degën gjuhë - letërsi ku më pas punoi shumë vite si mësues. Aktualisht është redaktor dhe përkthyes në dy gjuhë të huaja.
Poezia "Thuamë" e Gjergj Kostës u botua për herë të parë, në periudhën e diktaturës, në gazetën "Zëri i Rinisë" së bashku me pesë poezi nga poetë të tjerë. Menjëherë të nesërmen gazeta "Zëri i Popullit" i nxori emrat e këtyre poetëve në faqe të parë duke i quajtur "Dështakët e Realizmit Socialist", duke ua ndërprerë kështu karrierën letrare.

THUAMË

Ti që shikon aq shpesh në sytë e mi
ku netët e ngrohta s'mbarojnë ndonjëherë
thuamë:
Kush i meson zogjtë e fluturat
të ulen aty,
kush i bën yjet të pikojnë
lotë të artë ndër ta...
Oh, sonte pse janë kaq të ngrohtë sytë e mi
nën këto erëra drunjsh e ujrash të turbullta
ku vërshojne gjethet dhe vjeshta?
Thuamë
ti që shikon shpesh në sytë e mi
ku drita e pastër për ty
nuk humbet kurrë...

NATË

Tirana si një karusel yjesh
ndriçon hijet e errëta te natës;
një kodër, një plep dhe një shtëpi
që unë shoh çdo ditë
njësoj, pa ndryshim.
Mirazh i çmendur i përçartjes;
anije e braktisur plot drita
ajo lëkundet qartë
në sytë
dhe mallin tim të dehur.

PAMUNDËSI

Shiu është i rëndë, tepër i rëndë
dhe s'më lë sytë, por
zogjtë janë strukur në strehën time,
në sytë e tyre je shfaqur ti.
Unë them që s'ka më tokë,
s'ka gjenezë, as frymë njeriu, as dhimbje,
s'ka drurë që lëngojnë nën dimrin,
po shiu më ka çuar larg
në vende që janë hapësira të sheshta
ku unë jam perëndi
ndoshta për nusepashkët.
Çudi... dhe ato më këndojnë për ty.
Shiu s'më lë të t'i shoh sytë.

MOTRËS NË DITËLINDJEN E SAJ

Kujtoj fëmininë tonë
që humbi ndjenjat
si një pranverë që vyshket një ditë
patjetër.
Kujtoj ditët me lule të fëminisë sonë
pastaj jetën në sytë e njëri - tjetrit.

E ne papritur
ishim rritur një ditë,

tashmë u ngjanim drunjve
krijuar për t'u bërë ballë
erës dhe natës.


Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta shkrimtare, poete, përkthyese, eseiste, kritike letrare, Zv. Drejtore & Zv. Kryeredaktore në Albania Press dhe Kryeredaktore në gazetën Një Dritare e Re