GERMAIN DROOGENBROODT
Germain Droogenbroodt ka lindur në Rollegem të Belgjikës. Në vitin 1987 u transferua në Altea, një qytet piktoresk i Spanjës duke u integruar kështu në jetën letrare spanjolle.
Droogenbroodt është një poet mjaft i vlerësuar në arenën ndërkombëtare. Ai është i ftuar çdo vit në festivalet më prestigjioze ndërkombëtare të poezisë. Ka shkruar tregime dhe recensione letrare, por kryesisht poezi, deri tani katërmbëdhjetë libra, të botuara në 30 vende të botës. Është gjithashtu përkthyes, botues dhe promovues i poezisë moderne ndërkombëtare. Ka përkthyer - pasi flet gjashtë gjuhë - më shumë se tridhjetë përmbledhje me poezi gjermane, italiane, spanjolle, latino-amerikane, angleze dhe franceze si dhe poezi arabe, kineze, japoneze, persiane dhe koreane në gjuhën hollandeze.
Si themelues dhe redaktor i shtëpisë botuese belge Point Editions, ka botuar më shumë se tetëdhjetë përmbledhje me poezi kryesisht moderne, ndërkombëtare.
Ju keni lindur në Rollegem, në pjesën flamande të Belgjikës dhe në vitin 1987 u transferuat në fshatin Altea në Spanjë. Nëse do ta përshkruanit veten me disa
fjalë cila do të ishte shtetësia juaj? Apo ndiheni më shumë qytetar i botës?
Unë nuk jam aspak nacionalist, sepse në të vërtetë, kur kthej kokën pas, shoh se nacionalizmi ka shkaktuar konflikte e luftëra. Kam qenë gjithmonë kurioz të zbuloj vende të tjera, njerëz të tjerë, kultura të tjera. Në moshën pesëmbëdhjetë vjeç kam udhëtuar me biçikletë për në Holandë dhe Gjermani. Më vonë, me makinë, në të gjithë Evropën dhe më në fund me avion në të gjithë botën duke zbuluar njerëz të racave, kulturave apo feve të tjera, duke lidhur miqësi me ta, duke zbuluar se nuk janë të ndryshëm, se kanë të njëjtat ndjenja si çdo qenie njerëzore kudo në botë. Kinezët, japonezët apo indianët tani kanë fytyrën e një miku, janë më pak të huaj se disa nga bashkatdhetarët e mi. Megjithëse asnjë flamand nuk flet si holandez, holandishtja është një nga tre gjuhët zyrtare të Belgjikës dhe, veçanërisht në kontinente të tjera, kjo çon në keqkuptime. Vite më parë, duke më dorëzuar një çmim ndërkombëtar për poezinë dhe pasi u vu në dijeni se nuk shkruaj në gjuhën belge sepse nuk ekziston, por shkruaj përgjithësisht në holandisht, ministri i Kulturës së Bangladeshit filloi të më prezantonte si poet holandez; i korrigjuar nga përkthyesi im, ai u ndje akoma më konfuz dhe përfundimisht më prezantoi si një poet kozmopolit. Në të vërtetë, jo vetëm që poezia ime nuk ka qenë kurrë tipike flamande apo holandeze, por unë vetë ndihem më tepër një kozmopolit, një qytetar i botës. Fakti që flas disa gjuhë gjithashtu nuk më bën të ndihem i huaj.
A mund të përshkruani momentin e parë kur e takuat poezinë? E kuptuat menjëherë se ajo do të bëhej pjesë e pandashme e jetës suaj?
Qysh në shkollën fillore, kur duhej të mësonim përmendësh poezi të rimuara, më magjepste muzikaliteti i poezisë romantike. Më kujtohen ende disa vargje të Guido Gezelle, të vetmit poet flamand nga i cili mësova muzikalitetin. Kur isha adoleshent shkruaja tregime për vete, pastaj tregime mbi udhëtimet, një duzinë tregimesh të shkurtra dhe disa poezi të ndikuara nga poetë romantikë gjermanë si Gëte, Shiler, Hölderlin që i kisha lexuar që tetëmbëdhjetë vjeç. Ne në holandisht themi se ekziston një shenjë, një paralajmërim në mur. Një paralajmërim i tillë për mua ishte 40-vjetori i datëlindjes sime. Ndonëse kisha botuar në disa revista, deri atëherë nuk kisha patur ndonjë shtysë për të marrë një vendim të rëndësishëm: në atë moment vendosa t'ia kushtoja jetën time tërësisht poezisë në të gjitha aspektet e saj: përkthim, botim, promovim. Botova librin e parë me poezi me titull “Quaranta al muro” (Dyzet në mur), themelova shtëpinë botuese POINT (POetry INTernational) dhe planifikova të shkoja në jug, fillimisht në Itali, që ende mbetet vendi im i preferuar, por më në fund u stabilizova në qytetin e artistëve në Altea, Spanjë.
Çfarë do të thotë të shkruash për ju?
Paul Celan, një nga poetët e mi të preferuar, ka shkruar Wirklichkeit ist nicht. Wirklichkeit do të gesucht und gewonnen sein. (Realiteti nuk ekziston, realiteti duhet të kërkohet dhe të fitohet) dhe poeti spanjoll José Ángel Valente pohonte se të shkruarit (poezi) nuk do të thotë të riprodhosh një përvojë tashmë ekzistuese, por ta prodhosh atë. Kjo është pikërisht domethënia e poezisë sime filozofike.
Ju jeni përkthyes i mbi tridhjetë përmbledhjeve me poezi në gjermanisht, italisht, spanjisht, latino-amerikane, anglisht dhe frëngjisht. Sa e ka ndikuar apo pasuruar kjo përvojë krijimtarinë tuaj?
Ndryshe nga përkthimi i prozës, sidomos në poezitë e shkurtra, shumë herë nuk mund të përdoret një sinonim, por fjala e saktë. Një fjalë e gabuar mund ta tjetërsojë kuptimin e poezisë. Pra, një përkthyes i mirë edhe nëse e di përkthimin e fjalës, në disa raste, do ta hapë përsëri fjalorin për të gjetur nëse ka ndonjë fjalë që shpreh më saktë kuptimin origjinal. Ndonjëherë konsultoj fjalorë në gjuhë të ndryshme dhe për shkak të kërkimeve të vazhdueshme, mendoj se poezia ime, veçanërisht në holandisht, është mjaft e pasur.
Si themelues dhe redaktor i shtëpisë botuese belge Point Editions (POETRY INTERNATIONAL), a mund të na tregoni pak më shumë për botimet e saj?
Meqenëse holandishtja është një gjuhë e skajshme, (kush njeh një poet flamand apo holandez?), e kuptova se ishte e rëndësishme të përktheja dhe të botoja poezi kryesisht nga poetë, poezia e të cilëve ishte botuar pak ose aspak. Synimi i Point Editions ishte të kontribuonte për një shoqëri më humane përmes përkthimit dhe botimit të poezisë. POINT ka botuar jo vetëm poezi nga vendet evropiane, por edhe poezi moderne nga Bosnja, Bullgaria, Republika Çeke, Kina, Greqia, Haiti, Islanda, Japonia, Koreja, Libani, Maroku, Palestina, Polonia, Kroacia, Afrika e Jugut, gjithsej mbi 80 vepra.
Poezia pa kufij është një projekt shumë interesant, pjesë e Fondacionit Kulturor Spanjoll Ithaca, drejtuar gjithashtu prej jush. Cila ishte ideja juaj fillestare për të dhe sot, me kalimin e kohës, mendoni se ky projekt ka qenë i suksesshëm?
Poezia pa kufij është në fakt një vazhdim i qëllimit origjinal të POINT, por në vend që të kufizohet vetëm tek lexuesit flamandë dhe holandezë, poezitë lexohen çdo javë nga mijëra njerëz nga e gjithë bota. Ato botohen gjithashtu në më shumë se dhjetëra revista dhe faqe interneti letrare ndërkombëtare, duke përfshirë Kinën, ku, në faqen përkatëse të rrjetit social Facebook, një nga poezitë është lexuar nga mbi 70,000 lexues. Mendoj se Poezia pa kufij ka qenë e suksesshme edhe si projekt humanitar. Marr çdo ditë emaile falënderimi nga e gjithë bota. Një lexues flamand bleu një kompjuter për të patur mundësi të lexonte një poezi çdo javë dhe - para se të vdiste - më shkroi se leximi i përjavshëm i një poezie të mirë nga e gjithë bota ishte një nga gjërat më të bukura që kishte bërë në jetën e tij.
Librat tuaja me poezi janë botuar në 30 vende të botës dhe kjo është dëshira e çdo poeti. Si ndiheni për këtë? I lumtur, i sigurt apo më i përgjegjshëm përballë lexuesit?
Unë jam një njeri modest. Kur e mbivlerëson veten, njerëzit të shmangen. Kur je modest, njerëzit duan të të kenë mik. Pothuaj të gjithë librat e mi janë botuar me rekomandimin e miqve të mi. Siç e dini, poezia është një shprehje arti e mbetur jashtë tregut. Nëse një libër nuk vetë- publikohet, ai duhet të jetë i mirë. Siç shprehej një nga mësuesit e mi, Konfuci, unë do të jem student gjithë jetën.
Keni botuar disa libra me poezi edhe në italisht. Ato janë frymëzuar nga vizitat tuaja të shpeshta në Itali, veçanërisht në liqenin e Comos?
Pasi lexova poezinë e Gëtes A e njeh vendin ku lulëzojnë limonët? u dashurova me Italinë përpara se ta vizitoja atë. Herën e parë që shkova në Itali, me tren, duke kaluar kufirin italo-zviceran, pashë liqenin e Comos dhe ishte dashuri me shikim te parë. Heshtja është bërë e rrallë në shoqërinë tonë zhurmëdashëse. Meqenëse kam nevojë për qetësi për t’u frymëzuar për poezinë time, zbulova kështu fshatin Pognana, me pamje nga liqeni, ku dëgjohen vetëm serenatat e zogjve dhe pëshpëritja e ëmbël e valëve dhe mendimet e mia mund të lundrojnë pa kufij.
Keni organizuar disa festivale ndërkombëtare të poezisë në Spanjë dhe vende të tjera, por për shkak të pandemisë ato janë pezulluar. Mendoni se së shpejti do të kthehemi në normalitet?
Meqenëse kam udhëtuar gjithmonë dhe kam miq në të gjithë botën, më mungon prania e publikut në festivalet ndërkombëtare të poezisë, por më shumë më mungon kontakti i vërtetë me miqtë, shumëllojshmërinë e kulturave, përvojat, zbulimet e tyre, miqësitë. Shpresoj që normaliteti të kthehet sa më parë, por kam frikë se qeveritarët i kanë lehtësuar para kohe masat mbrojtëse kundër virusit. Ndonëse qeveria kineze është shumë më e rreptë se vendet e tjera, ajo nuk mundi gjithësesi ta shmangë një situatë dramatike si ajo e krijuar në Shangai.
Kohët e fundit, mendimet dhe krijimtaria jonë janë fokusuar në gjendjen e vështirë të shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Mendoni se poezia është një mjet i fuqishëm për të përhapur paqen apo ajo është thjesht një ëndërr e pamundur?
Si humanist dhe, duke patur gjithashtu një mik në Ukrainë që jeton në Kiev, imazhet e tmerrshme që shohim çdo ditë kanë lënë gjurmë edhe në poezitë e mia të fundit. Për fat të keq, poezia është e pafuqishme për të ndryshuar botën e përmbytur me politikanë të etur për pushtet dhe kapitalistë të pasuruar paturpësisht. Por meqenëse nuk duhet të heqim dorë kurrë nga dëshirat tona, nuk duhet të heqim dorë as nga shpresa; siç kam shkruar në një nga poezitë e mia për pemët, ndonëse të dëshiruara për shi, ato janë të gjelbërta, sepse pa shpresë as ato nuk mund të jetojnë.
Intervistoi: IRMA KURTI
Poete, shkrimtare dhe gazetare
Itali