Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99” - Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe
EKZODI I VITIT 1999
Halil Bislimi
Më 23.04.1999, prej shumë lëvizjeve nëpër fshatrat e komunës së Lipjanit, duke iu shmangur policisë dhe ushtrisë serbe, disi arritëm që më 23.04.1999 të dalim në stacionin e trenit dhe, pas shumë mundimeve unë me bashkëshorten dhe 3 vajzat e mia, të cilat nuk kishin dashur që ta lënë vendin, nëse nuk do të dilnim edhe ne, unë me bashkëshorten, hipim në trenin famëkeq për t`u larguar nga Kosova drejt Maqedonisë (këtë kurrë nuk e kisha dashur dhe kurrë nuk e kisha menduar).
Atë ditë duke na sharë dhe duke na torturuar në trenin famëkeq, arritëm pas 3 apo 4 orësh në Han të Elezit. Në stacionin e trenit në Han të Elezit, na zbresin prej këtij treni famëkeq, e që m`i përkujtonte disa filma të Luftës së Dytë Botërore, duke i bartur nazistët popullatën Hebreie, e kur i zbrisnin nga trenat famëkeq i pushkatonin. Ashtu e parafytyroja një tren të tillë.
Nga stacioni i trenit në Han të Elezit na drejtuan në këmbë në rend drejt kufirit të Maqedonisë. Aty na mbajtën më shumë se 10 orë, duke na sharë dhe duke na keqtrajtuar. Aty duke pritur për të kaluar kufirin Kosovë-Maqedoni, kishin qenë dy apo tre milic serbë që kishin shërbyer në Lipjan. Ata më njihnin, se unë kisha zyrën e punës në qendër të Lipjanit dhe meqë kisha një kooperativë banesore private, aty në zyre kishim telefonin fiks, një fotokopje dhe një faxs me të cilin e përcillnim në zyrën qendrore informative të LDK-së, të gjitha ngjarjet që ndodheshin në Komunën tonë. Ata, policët serb mu drejtuan me këto fjalë: “Vidi,vidi, gde idesh direktor? -Shihe shihe, ku je duke shkuar drejtor? Jo nuk do të mundesh të shkosh askund, nuk mundemi të lëmë ty të shkosh kështu, ku i ke irredentistët qe vinin dhe i përcillje nga zyra jote? Po mendon se ne i kemi harru ato a?, Jo jo nuk i kemi harruar, vetëm pas pak do të shihemi me ty.
Fëmijët filluan të qajnë!...