(Poezi kushtuar romëve në përgjithësi dhe në veçanti atyre që jetojnë në viset shqiptare).
ECIM ECIM
Hiqni kunjat, mblidhni çadrat,
me kanistrat të merren vajzat,
nënat të rregullojnë çilimiun,
mbërtheni kuajt, lidhni ariun.
Se gaz e hare po kërkon bota,
daullet përgatitni për dasma,
shpejt gërnetat fusni në trasta,
ecim, ecim vëllezër e motra.
Ritëm e lëvizje kërkon rrota,
simbol i diellit e simboli jonë,
tinguj t'ëmbël gjer natën vonë,
se gaz dhe hare dëshiron bota.
Mbushini koshat me këngë,
të keqen kalojeni në shosha,
sepse ajo ka peshë të rëndë,
ecim ecim vajza e djelmosha.
Në boshte le të lëvizë rrota,
se karrocat i kemi të forta,
se zanatin na e lanë të parët,
ata mjeshtrat e argjendarët.
Punuan floririn dhe bakrin,
e farkëtarë që rrihnin shatin,
që nga lashtësia këto zeje,
i patëm, i kemi ndër deje.
Të mëdhenjtë shkruan për ne,
Pushkin, Lorka dhe Merime.
Për Karmenin dhe për cigane,
e gjuhën tonë indoeuropiane.
Jetojmë në shumë kontinente,
qielli dhe toka për ne s’ka kufi,
lëvizim shpesh në ato vende,
që Krijuesi i bëri si me magji.
Se jeta pa liri, na bëhet verem,
ecim pra ecim, gelem gelem,
plot hare, pa bujë e pa bëma,
ecim pra ecim. Opre Roma!