LEFTER SHOMO - BUQETË LIRIKASH
 
Lefter Shomo (Eleuterio Shomo) ka lindur në vitin 1948 në qytetin e Delvinës (Shqipëri), ku mbaroi edhe shkollën e mesme. Në vitin 1974 ai u diplomua në Universitetin e Institutit të Lartë Shtetëror Bujqësor. Pas universitetit u diplomua në greqisht, italisht dhe frëngjisht me diplomë shtetërore. Në vitin 1990 mbrojti tezën shkencore për titullin Kandidat i Shkencave. Lefter Shomo është mësuesi i parë që hapi kursin e italishtes në qytetin e Delvinës, duke filluar nga shkolla e mesme dhe më pas privatisht në vitin 1989. Shomo ka shkruar poezi që në rini. Së fundmi ai po përgatit dy përmbledhje me poezi në shqip dhe greqisht. Lefter Shomo ka përkthyer poezi të poetëve të njohur shqiptarë si: Ismail Kadare, Dritëro Agolli etj... 
Nga gjuha greke ka përkthyer vargje të poetëve nobelist Jorgos Seferis, Odhiseas Elitis, më pas Jannis Ricos, Tasos Livadhitis, Nikos. Kavadhias, Konstantinos Kavafis, Lefteris Papadhopoulos, Eftihia Papajannopoullou, Elena Antoniou, Eleni Fotaqi e shumë të tjerë. Nga gjuha italiane ai solli në shqip dygjuhëshe - greqisht: Alda Merini, Gabriele d'Anunzio, Gianni Rodari, Maria Teresa Liuzzo, Stefania Melani, etj...
 
FLLAD KUJTIMESH - RRUGË MALLI 
 
Rrugë e mallur e shtëpisë time 
Ja, kujtimet vijnë si shqota 
Këtu rrojnë ëndrrat më intime 
Dashuritë e mia, gjithë bota.
 
Udhë malli, rrugica të lagjes 
Udhëkryqe ëndrrash mbani lart 
Symbyllur, posi këngë dalë vargjesh 
Më udhëhiqni ju drejt e në prag.
 
Herët nis më përshëndet këndezi 
Nëna ime rri më pret në prag 
Del ligjëron ylli i mëngjesit 
Hëna, dielli, iso rrinë mbajnë. 
 
Ai lot i nënës, i patharë  
Kur rri duke më pritur në portal  
Mall e puthje, ankth i paparë 
Loti i saj vrima hap mbi shall. 
 
Tatëpjeta marr e të përpjeta 
Përshëndet dhe hëna buzagaz 
Mbi çati t'shëpis bien kometa 
Bujarisht dhe qielli i zbraz. 
 
Ma pushton zemrën fort nostalgjia 
Gjithë çapkënllëqet m'i përkëdhel 
Vjen shakatore plot gaz rinia 
Gjallërisht pasionet m'i këndell. 
 
Rrugë lagjeje të shtëpisë time 
Bredhin ëndërrimet në rrugicë 
Ju monopate, sokakë bekimesh 
Nën çdo gurin tuaj ndjej muzikë. 
 
Do vij prapë dhe pa më thirrur 
Jeta ime rri pret ,këtu në prag 
Çdo shtëllungë pluhuri të ngritur 
Qetë rri shpërdaj me të shpirtit fllad.
 
BUQETË LIRIKASH
 
KRAHËT E TU 
S'ma shton as bukurinë sjell 
Veshja e shtrenjtë e modës 
Hyjneshë bëhem kur më vesh 
Mes krahëve të ngrohtë. 
 
PREHËRI IM 
Në zemrën time dhele mbaj 
Ndjenja që diellin zbresin 
Formojmë prehër të stërmadh 
Që botën e mbështjellin. 
 
MENDIMI 
Mendimi qenka një fëmijë 
Llastuar, nazeshumë 
Ninulla i këndoj njëmijë 
Ai prapë më le pa gjumë. 
 
VËSHTRIMI YT 
Këdo vështron me ata sy 
Si lule me reflekse 
Në zemër indukton lulzim 
Një kopsht me përkëdhelje. 
 
KOHËNDALJE 
Mos më pyet për ditë e muaj 
Kur asgjë më nuk mbaj mend 
Kur ndodhem në krahët e tua 
Dhe koha ndal e rri në vend. 
 
MËSIME DETI 
Dallgët e egra me furi 
Më shkundën si tërmeti 
Më dhanë mësime e dituri 
Më thanë ç'është deti. 
 
NJË NGURRIM 
Në sytë e tu pikëpyetje shoh 
Ngurrim që dhemb e djeg 
Dhe frymën time e harxhoj 
T'i fryj, q 'andej ta heq. 
 
SODIS DETIN... 
Sodis gjithçka, detin kundroj 
Gjithçka ndryshon si dallga 
Në breg të vetmit që s' ndryshojnë 
Jam unë dhe koordinatat. 
 
MBI BUZËT E TUA 
Aq gjallë, shprehës, madhështor 
Peisazhin ma përshkruan 
Sa për ta parë atë tentoj 
Përmbi buzët e tua. 
 
E ËNDËRROJNË... 
Buzëqeshja jote qenka dritë 
Të shumtë e lakmojnë 
E mbajnë sysh, zemër e shpirt 
Në gjumë e ëndërrojnë. 
 
Redaktoi dhe përgatiti Angela Kosta