Ibrahim Abedini - cikël poetik

Ibrahim Abedini - cikël poetik
IBRAHIM ABEDINI-POETI STRUGAN
 
JETËSHKRIMI shkurt:
Ibrahim Abedini, poet, tregimtar dhe publicist. Lindi në katundin Zagraçan. Filloren e kreu në katundin e lindjes, tetëvjeçaren në Fidanishtë (Rasatnik) dhe të mesmen në qytetin e Strugës. Më 1981 u diplomua në Universitetin e Shkupit, pranë katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe. Më vitin 1983 u shpërngul në Kosovë. Punoi si arsimtar në shkollën, Hasan Prishtina në Prishtinë.Në vitin 1990 emigroi në Suedi.
Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Strugës është që nga viti 1999. Në vitin 2009 u pranua në Shoqatën e Shkrimtarëve, “Författarcentrum väst” (Qendra e Shkrimtarëve - Perëndim) në Göteborg të Suedisë.  Anëtar shumëvjeçar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi i XI Albani”, Suedi.
Ka botuar 17-dhjetë vepra. Të shumtat me Poezi dhe Tregime për të rritur. Tregime për fëmijë, një Monografi dhe një Antologji…

 
S'ISHTE DIMËR
 
Ethe e zunë,
e shkundën,
si borën nga një gunë...
Gjethet i'u rrëzuan,
si të lules në vjeshtë,
i pikuan...
Me leckë djersën i'a fshiva,
e mbulova si të sëmurë
dhe në sirtar e shtiva...
Nën ato ethe vere,
të ftohta akull,
s'kishte buzëqeshje pranvere...
Mendimi më hidhte larg,
si fluturim dallëndysheje
për të kaluar një prag...
Dridhjet s'ishin nga të ftohtit,
ishin ethe xhelozie,
si në një mungesë dashurie...
Rrija afër, rrija larg,
si një shpirt i shitur
me një sërë mendimesh varg...
Pati dhe lot kërshërie,
si në çaste hidhërie
për një mall afërsie...
Më kujtohet,
s'ishte dimër,
as hendek që nuk kalohet...
La një vragë shiu që ra,
la dhe një plagë,
në buzëqeshjen që u vra...
E mbaj mënt në verë,
ishte dimër në mendim,
e vara kukurak mbi derë...
 
ATY EDHE VDEKJA ËSHTË NDER
 
1.
Te shtëpi e vjetër me Oxhak,
aty ku unaza s'ndërron gur,
flihet e zgjohet pa merak,
aty s'shëmbet asnjë mur...
2.
Aty ku nuk të përmbyt deti,
s'gërryhet toka nga era,
pa hile zhvillohet Vera,
aty qetësi gjenë dhe mbreti...
3.
Aty nuk të pickojn mushkonja,
s'të këndon mbi kokë gjinkalla,
aty rrugëve s'lë kopilë ulkonja,
jeta aty është ujë, jo stërkala...
4.
Aty s'të shkund shpirtin tërmeti,
nuk të ngulet pas shpine thika,
aty s'ka fuqi të dyftyrshme laneti
tradhëtis i këputet qafa nga frika...
5
Mendimin aty s'e pjell mistika,
aty s'i plas askujt se, ku e gjeti?
s'pispilloset tërë kohën retorika,
aty e gjen qetësinë edhe Poeti...
6.
Ëndërat aty s'e mbysin gjumin,
yjet s'e humbasin shkëlqimin,
rrëketë nuk e turpërojnë lumin,
me vite nata aty s'e ha durimin...
7.
Aty lind, aty të zgjonë dielli,
i pa përlyer të zbret portreti,
vend ku s'të përmbyset qielli
aty dëshironë të vdes Poeti...
 
DO VI PLAGËN TË SHËROJ
 
1.
Eja në shpirtin tim të vrarë
dhe më sill atë lulen e parë,
që dalin të hershme në arë,
ta vë mbi plagën e marrë...
2.
E di që ti nuk mund të vish,
rrugët janë ca të vështira
dhe s'ke se si që të arrish,
do vi unë në ditë të mira!...
3.
U bë shumë që kamë pritur,
plaga dot nuk më shërohet,
jam orvatur po s'jam ngritur,
dhimbje shpirti që s'durohet...
4.
Ti je larg e s'më dëgjon,
s'ke shpirt e s'më kupton,
valët e liqenit ty s'ta thonë,
se ti, në plagën time rronë...
5.
S'ka se si të bëhet ndryshe
balta jote e kuqe është ilaç
unë do bëhem dallëndyshe
do vi edhe në mos më daç...
6.
Plagën me atë baltë do ta lye,
përgjithmonë do vi e të mbes,
si ngaherë bukën do ngjye
në prehër tënd dua të vdes...
 
DASHURIA BOTË MË VETI
 
1.
Dashuria e vërtetë edhe ekziston,
por ajo nuk rronë gjatë,
sepse është si një Pranverë,
plagoset nga një e ftohtë natë...
2.
Ajo, ndoshta ka ekzistuar,
tek përrallë e bukur që edhe rron,
që të magjeps një kohë
dhe fundi i saj të tradhton...
3.
Ka ekzistuar edhe në legjenda
ato janë mahnitëse edhe sot,
sikurse bukuritë e luleve
që janë më veti një botë...
 
FJALËT QË S´TI THASH
 
1.
Hënë ishte qielli atë nate
kur i hodha fjalët në letër,
edhe ti, me Hënën u mate
se unë s'kisha peshë tjetër...
2.
Eh, sa gjatë e mbajta atë letër
dhe s'u bëra burrë që të t´a jap,
dita-ditës letra bëhej e vjetër,
nga frika ma bënte zemra, fap...
3.
Sa afër teje unë që isha,
sa me kënaqsi që të shikoja,
e bukur, largë si Hënën të kisha,
që të t´a jepja letrën s'guxoja...
4.
Fjalët e mia në letër ishin tretur,
më dridheshin duartë kur e prekja,
t'a hiqja nga xhepi ku më kish mbetur,
me dukej se do më vinte vdekja...
5.
Dhe shiu një nate që ra,
më qulli fund e krye,
letra bashkë me fjalët u vra,
ashtu siç shpirti im që u thye...
6.
Dhe Hëna pa pikë urate,
pas shumë kohësh në harresë,
doli njësoj si atë nate,
të më sjell letrën në kujtesë...