Naxhije Doçi - Dy poezi

Naxhije Doçi - Dy poezi
SHTËPITË-SHKOLLA NË KOSOVË
 
Në gjysmën e viti 1991
në Kosovën ngulfatur frymimit të lirë
segregacion i padëgjuar
dhe zymti trishtuese me tanke e egërsi
nga uniformistët serbë gri,
lokalet shkollore uzurpuar
për shqiptarët mollë e ndaluar.
Në errësira eklipsesh skllavërie
grishja e stinës me rreze dielli
qëndresë dhe shenjtëri.
Populli ndezur bujarish krenare
shtëpitë e veta,
ato qerdhe intime familjare
shkollë-zemre i bëri
për brezat e ri
legjendës për t’ia shtuar idhujt e bardhë
Kosovës mbijetimin me hukamë purpuri.
Jeta në to gumëzhinte dimër e verë
nga engjëjt krahshqiponjë vrullesh gufuar
për apsorbim diturish me shije nektari
prapa për të mos mbetur
me hapa kohësh për të ecur.
Në dhoma të vogla nevojash jetësore
mësimin e dëgjonin
ulur në dysheme,
pa banka shkollore
e në mungesë të tyre,
në prehër i hapnin librat
dhe shkruanin në fletore.
 
VITET E QËNDRESËS KRENARE
(Arsimtarëve të shkollës shqipe në Kosovë-1991-1999)

Tempujt e gjallë të vetënderuarë
të Kosovës së martirizuar
gati një dekadë të fundshekullit njëzet
udhëtuan këmbë pafajsisht
me kilometra në panumërim
herë në një lagje kodrinore
e herë në tjetrën në vërri
të Prishtinës me rreze dielli
dhe vendbanimeve të tjera
nëpër tërë Kosovën,
për të startuar me kohën.
Rrahur stuhish në radhitje stinësh
buzëqeshjet në këngë shpresash
i kompononin
për shpërfillje kohësh intriguese,
vullnetet me vrulle zemre i fuqizonin,
që zbehja e diturisë
të mos zë vend ndër breza
mbi dheun arbëror
me ngrohtësi dashurie.
Në ta shkëlqente ndjenja
e krenarisë sypishë
dhe vetëdijesimi rrënjësor i ndezur
për përlindje nga frymimi ynë i ngulfatur
hirësuar legjendash hyjnore,
me gjuhë pirgjesh të lashta
dhe me emër.
Kurrë nuk u dorëzuan
as kurrë nuk hezituan
edhe pse me vuajtje e skamje
e me torturimie të përditshme
ushtaro-policësh serbë
u ballafaquan.
Në kacafytje me terrin
lirinë e shenjtë kërkuan
dhe me peshën
e përgjegjësisë së palëkundur
e dhanë betimin
Kosovës për t’ia mbajtur
drejtëpeshimin.

Poezi nga libri “Kohë flakadanësh të lirisë”- 2012 -(I përkthyer edhe në anglisht).
-Naxhije Doçi - Prof. - Prishtinë