POEZI NGA ISMET TAHIRAJ
GRUSHT I MINATORIT
Qentë angullinjë
Parakalon hija e mortjes
Te tjerët e shohin
Me sy profecije
Lind mëngjesi i lodhur,
Tepër i lodhur
Kur do të ngrihen
Grushtat e minatorit,
Mitrovica mos ta bartë
Petkun e zorit…
TUTJE
Tutje tuhafet na thërrasin për petulla
Pelat pallue i kanë,
Ndër avllija.
Asnjë bukurosh s’ua zgjat cigaret
Veç një bub cigani
Leh para altarit.
Mes nesh dhe tuhafeve
Shpërtheu gazi,
Erë lakra turshije
I vinte kazanit
Palloheshin pelat
Drejtorive të shafranit.
NË MALIN BRUS
Në Brus bjeshke
Dallgët e zorit
Na ka ofru,
Presim minutat kur kokatë
Me motosharra me na i shkurtu
Mos bërtisni tepër
Te ai kru.
Lëshoni rendin një plakut
Lene një gru
Petkat me i pastru.
Këtu është shtëpi
Secila ferrë
Secili gardh
Rishtazi që është punu.
Veç qiellit aeroplanat e Natos
Uturinin
Një rreze ndizet
Një tjetër shuhet,
Si xixëllonja kur humb fushave
Pa u diktu.
Mos rrini kot vegshat më fasule
Veç nisën me vlu.
Sytë e fëmijëve zhbirojnë
Jemi untë, untë, untë jemi
Pogaçja çarçaf
Dëshirat i ka mbulu.
Ah, shiu rrebesh tokën e lagu keq,
Durim bre bir
Thirrnin do pleqë.
Në qershor shkrepi dielli,
Ylberi i Lirisë
Shalli i Dashurisë…
*Mali Brus kufizohet në veri - perëndim me lagjen nr 2 Tahiraj (Beqiri) Skënderaj, dhe në veri - lindje më komunën e Mitrovicës.
BIOGRAFIA
Ismet Tahiraj u lind më 15 mars 1956 në Klinë të Epërme të Skënderajt. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Mitrovicë, ndërsa shkollën e lartë për gazetari në Beograd.
Qysh si nxënës i shkollës së mesme është aktiv me shkrimet e tij kryesisht letrare. Kështu, emrin e tij e gjejmë prej kohësh në revista e gazeta për fëmijë e të rritur, ku ka botuar poezi e tregime, satira humoristike, etj. Shumë krijime letrare i janë botuar në revista periodike, si: “Nacional Albania” -Tiranë, ”Kosova e Kek-ut”, “Verbi”, ”Kosova sot”, “Zog mëngjesi”, ”Mollekuqja”, “Bota Sot”, “Fjalë e valë”, “Fatosi” - Tiranë, etj.
Është bashkëpunëtor i ngushtë i emisionit humoristik në Radio Kosovë “Mahi pa kufi”, Radio Ilirida në Itali, Radio “Zëri i Arbrit” - Belgjikë, ”Pena shqiptare - Tiranë”, “Drita”, “Muzgu” - Tiranë, “Pelegrini” - Greqi, “Alpet shqiptare, Tiranë, “Jehona e Skraparit”, Tiranë, “Nositi”, Kamenicë, antologjia “Gjurmë në kohë”, Prizren, “Illz”, Tiranë, “Shpresat”, Preshevë, Suplementi Mapo letrare, Tiranë etj.
Është fitues i shumë shpërblimeve letrare në Maqedoni (vendi i II në revistën për fëmijë “Gëzimi”, 1986), në Mitrovicë në konkursin letrar komunal iu dha çmimi “Gota e argjendtë”; në Kastriot mori çmimin e parë për poezi (2010).
Po ashtu, është përfshirë në antologjinë poetike ”Flakadani i Lirisë”, që i kushtohet Zahir Pajazitit, “Pena e Lirisë”, heroit Arif Shala, “Promenadë mërgimtaresh - Harilaq”, si shumë antologji tjera poetike anekënd trojeve shqiptare. Është përfshirë më poezi për të rritur në gjuhën italiane. Prej vitesh është anëtar i rregullt i Karvanit Letrar për Fëmijë “Agim Deva", Prishtinë
Është përfaqësuar në disa antologji për fëmijë. Tahiraj është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe Koordinator i Klubit letrar “Arif Shala” në Kanada, së bashku me Shqipe Hasanin e Xheladin Çitakun. Aktualisht jeton në vendlindje.
VEPRA TË BOTUARA
1. Në erë vendlindjeje, 1995, poezi për fëmijë
2. Tundimi, 2011, poezi për të rritur
3. Në dritë qiriri, 2014 poezi për të rritur
4. Trëndafili yt, 2015, poezi për të rritur
5. Kur bie shi, 2016, poezi për të fëmijë
6. UUUE Kristali, 2016, poezi për fëmijë
7. Sytë e buzëqeshjes, 2017, poezi për të rritur
8. Shenjtëresha këmishëbardhë, 2017, poezi për të rritur
9. Lapsi më tha, 2018, poezi për fëmijë
10. Unë e ai tjetri, poezi për fëmijë, 2020
11. Ninëza, poezi për të rritur, 2020
12. Pëllumbi, poezi për fëmijë, 2020.
13. Çezma e Nekut, poezi për fëmijë, 2022
14. Klithje poezi për të rritur, 2022
15. Drita ime, poezi për fëmijë, mars 2025
Redaktoi: Angela Kosta