Haqif Mulliqi - KULTURA DHE GLOBALIZMI
KULTURA DHE GLOBALIZMI
Globalizimi i ka përfshirë të gjitha qytetërimet, të gjitha kulturat dhe shoqëritë. Edhe pse i mbështetur në të ashtuquajturin liberalizim ekonomik, në funksionimin e tregut dhe standardizim, ai, mbi të gjitha, është një proces i llojllojshëm dhe kompleks. Llojllojshmëria dhe kompleksiviteti i globalizmit rrjedhin nga kyçja e qytetërimeve të ndryshme, nga kulturat dhe personat e ndryshëm në rrjedhat globale. Madje, gjithnjë e më shumë qartësohen edhe tipat e globalizimit ekonomik të cilat i mbështesin standardizimet e prodhimtarisë dhe këmbimin global kulturor të cilat, nga ana tjetër, mbështesin diversifikimin, si dhe ridefinimin e identitetit kulturor. Globalizimi kulturor vihet re në perceptimet individuale të botës bashkëkohore si të definuar, por funksionale (në rrafshi vlerave komunikuese dhe përmbajtjesore) të tërësive të ndërlidhura.
Globalizimi kulturor rrjedh dhe inicion dy procese: diversifikimin kulturor si dhe riidentifikimin kulturor. Diversifikimi kulturor hapë hapësirë për emancipimin e të gjitha kulturave dhe ndikon në të ashtuquajturin dehierarkizimin e kulturës gjegjësisht të kulturave. Dhe, kështu, nuk do mend se me këtë, në një mënyrë apo tjetrën, është vënë në mëdyshje koncepti integrues i kulturave nacionale duke e futur fuqishëm në këtë koncept edhe respektimi e të drejtave kulturore (e drejta në respektimin e gjuhës së minoriteteve, pastaj e drejta në përzgjedhjen e kulturës vetanake dhe të përkatësisë, e drejta në përzgjedhjen e religjionit etj.) mbi të gjitha si të drejta njerëzore. Kështu, edhe individët, edhe shoqëritë mund t’i akceptojnë vlerat e ndryshme kulturore në bazë të përcaktimeve vetanake. P.sh., në kornizat e përkatësisë së harkut kulturor europerëndimor mund të dëgjohet muzikë afrikane, të shikohet teatër japonez apo ballkanik, shqiptar, kroat apo rumun, apo njerëzit të ushqehen me ushqime nga kuzhina kineze apo edhe të veshin sari indian, dhe kjo, të thuash askë mos ta shqetësoj në mënyrë të veçantë. Mirëpo, ajo që është evidente është se cilado prej këtyre përzgjedhjeve, qofshin ato më kohëshkurtra apo edhe më kohëgjata, detyrimisht do të ndikojnë në ridefinimin e identitetit kulturor të njerëzve. Kështu (re)identifikimi kulturor është, si të thuash, një proces i hapur në të gjitha shoqëritë dhe në të gjitha qytetërimet; në vendet e zhvilluara, më pak të zhvilluara si dhe në ato të pazhvilluara fare.
Globalizimi kulturor cyt llojllojshmërinë kulturore dhe rivlerësimin e identitetit kulturor
Por, nga ana tjetër, proceset e identifikimit kulturor jo rrallë janë të ngarkuar me konflikte irracionale, në veçanti kur kemi të bëjmë me identitetet kulturore të minoriteteve apo edhe në shoqëritë në të cilat përzgjedhjet individuale të vlerave kulturore bien ndesh dhe në kundërshti të ashpër me tradicionalizmin kolektiv, që do të thotë ato forca shoqërore të cilat dëshirojnë të eliminojnë apo edhe t’u shmangen respektimit të të drejtave kulturore, e për çfarë pandeh se një prej shembujve më eklatant në Evropë është pikërisht Ballkani.
Edhe pse globalizimi kulturor në veçanti cyt llojllojshmërinë kulturore si dhe rivlerësimin e identitetit kulturor, ajo megjithatë në rrafshin global sikur futë disa standarde elementare kulturore. Kështu p.sh. lufta kundër analfabetizmit është shndërruar në një standard të veçantë të zhvillimit kulturor, ndërsa në botën bashkëkohore standard konsiderohet, ta zëmë edhe kultura e punës me kompjuter, respektivisht aftësia e komunikimit elektronik në rrjet. Por ama, edhe pse të krijuara, këto standarde në aspektin kulturor nuk janë ekskluzive, por as nuk janë të imponuara në vetëm një kulturë apo edhe nga ana e një kulture të vetme, edhe pse, rrjedhimisht gjenerojnë nga një kontekst i njëjtë qytetërues (europerëndimor), ngase janë përfundimisht të hapura për të gjitha përmbajtjet e mundshme kulturore. Ndaj dhe për këtë arsye njerëzit edhe shkollohen në gjuhë të ndryshme duke përdorur edhe alfabete e edhe përmbajtje kulturore dhe tradicionale prej më të ndryshmëve. Ndërsa, kur të komunikojnë përmes rrjeteve të ndryshme (elektronike ta zëmë) apo edhe drejtpërdrejtë, përmbajtjet dhe kuptimësitë e një komunikimi të tillë varen ekskluzivisht nga përzgjedhjet dhe preokupimet individuale të secilit prej tyre.
Kjo mbase mund të konsiderohet edhe një nga arsyet për shkak të të cilave globalizimi kulturor nuk mund të barazohet me të ashtuquajturin nocion vesternizim (perendizim) siç pretendojnë antiglobalistët në përgjithësi dhe në veçanti. Ky pra, globalizimi, nuk e imponon eksklusivitetin, apo siç i themi ne, përjashtueshmërinë kulturore dhe civilizuese e as që mund ta pranoj dhe mbështesë konceptin e një botë unike dhe të vetme. Përkundër globalizimit të standardeve kulturore, botërat tona kulturore do të ngelin përjetësisht të ndryshme dhe gjithmonë të shënjuara me perceptimet e vlerave kulturore. Njerëzimi sot jeton me plotë e përplot botëra paralele dhe botëra kulturore (Knutsson) të cilat mund të jenë të ndërlidhura vetëm me anë të komunikimit dhe të informacionit, gjegjësisht me dijen mbi vlerat e tyre të veçanta.
Kështu, pra, besojmë se globalizimi kulturor mundëson emancipimin e një numri jashtëzakonisht të madh të kulturave dhe të trashëgimive civilizuese, pasuri kjo e cila është në dispozicion për tërë njerëzimin. Vlerat dhe mesazhet e të gjitha kulturave qarkullojnë të thuash lirshëm dhe një njëfarë mënyre janë apo më mirë thënë konsiderohen si burim të një lloji të rilindjes globale kulturore. Lidhjet kulturore, ndikimet dhe interaksionet e dinamizojnë zhvillimin kulturor, por edhe zhvillimin shoqëror në gjithë botën. Mbase një shembull i mirë për ta ilustruar këtë tezë mund të jetë pikërisht çështja e emancipimit të femrës në gjithë rruzullin, e madje-madje edhe në shoqëritë shumë tradicionale. Dhe ky në fakt del të jetë një proces i ri shoqëror, i induktuar, i cili të thuash në mënyrë latente, të pahetueshme do të thoshim, po përfshinë të gjitha vendet, e zhvilluara dhe ato të pa zhvilluarat, duke kontribuuar në formulimin e vlerave të reja kulturore.
Në kuptimësitë botërore manifestimi i identiteteve individuale apo kolektive (nacionale, etnike, klasore, të jashtmëve) është diç që nga shumë filozof dhe globalistë është cilësuar si: pranim i pluralizmit kulturor dhe shoqëror. Kështu, hapja e skedave të globalizmit kulturor sikur e shton rolin e kulturës në ndryshimet e përgjithshme shoqërore. Kjo nënkupton, por nuk mohon, përmbajtjet e ndryshme të vlerave kulturore si dhe ndikon në konsumin specifik dhe të profiluar kulturor. Për këtë shkak, vlerat kulturore nisin që në mënyrë esenciale të ndikojnë edhe tek ndryshimet institucionale si dhe reformat shoqërore. Me vet zhvillimin e tij, pluralizmi kulturor mbështetë autonominë kulturore dhe politike, dhe kështu në mënyrën më të drejtpërdrejtë ndikon dhe e mbështetë zhvillimin e demokracisë.
Sot, pa dyshim dihet se globalizmi ekonomik varet nga ndryshimet institucionale si dhe reformat në shoqëritë e caktuara. Shoqëritë sigurojnë funksionalitetin global të kapitalit, të investimeve, të prodhimtarisë dhe të tregut. Por, suksesi i të gjitha reformave shoqërore pa dyshim varet nga konteksti kulturor dhe civilizues. Ky kontekst nuk duhet që përmbajtësisht të standardizohet, ndaj dhe është e pasaktë dhe e padrejtë që nga kushdo qoftë globalizimin kulturor ta quajmë apo konsiderojmë uniformizim. Standard i përgjithshëm i pranueshëm është dhe mund ët jetë vetëm hapja në të komunikuarit ndërmjet nesh e cila mundëson zgjedhje (të mirë apo edhe të keqe) kolektive apo edhe individuale tonën. Mbase ndonjë shoqëri mund ta përzgjedh demokracinë apo autoritaritetin, hapjen dhe prezencën aktive në botën bashkëkohore, apo edhe mbylljen, vet izolimin dhe reduksionizmin. Fundja mundësia për të përzgjedhur është domosdoshmërish shenj e lirisë, por edhe përgjegjësi, por është ajo mundësi e cila kurrë nuk mund të jetë e mirë deri në përkryerje dhe e përjetshme. Për këtë arsye variantet e kërkimit të vendit vetanake në botë si dhe të marrëdhënieve tona me të tjerët praktikisht është e pakufizuar, edhe pse ndonjëherë të kufizuara në aspektin kulturologjik.