Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99” - Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe
KALIMI NËPËR KALVARIN KOLEKTIV TË BLLACËS
Avni Spahiu
Më 12 prill 1999, Sebi, Vjosa dhe unë u gjendem në trenin e natës për në Maqedoni, të nisur nga stacioni i zymtë i Prishtinës, që ishte stërmbushur me banorë të dëbuar të kryeqytetit. Si qindra mijëra shqiptarë të tjerë, ne po përjetonim dramën tragjike të popullit tonë. Në trenin e natës çdo gjë mbetej prapa dhe kur kaluam Kosovën nuk kishim më pos dhimbjes...
Për më se dy javë kishin vazhduar bombardimet e NATO-s kundër caqeve militariste serbe, ndërkohë që makineria serbe e dhunës dhe e luftës po shfrynte mllefin mbi popullsinë shqiptare duke intensifikuar fushatën më brutale të spastrimit etnik në këtë fundshekull...
Shtatë vjet pas pushtimit më të egër të Kosovës, vazhdonte sulja brutale militariste, e përgjakshme dhe neveritëse, pa asnjë shenjë rezonimi logjik. Një anakronizëm, një disonancë e çakorduar në mes të Evropës, me respektimin strikt të dhunës: çdo gjë që është shqiptare duhej shtypur, sipas vetëdefinimit të dhunës serbe, duhej shuar çdo fije shprese dhe duhej ulur dinjitetin deri në përulje.
Polici e armatosur deri në dhëmbë patrullonin rrugët në të gjitha anët e Kosovës së okupuar, me armë të gatshme për të hapur zjarr, autoblindat e stërmbushura me armë, ushtarë e paramilitarë, me arsenalet e armatimit të rëndë të gatshme për dislokim të shpejtë në rajonet e fshatrat shqiptare të Kosovës...
Kjo, pra ishte Kosova edhe në vitin 1999. Ai vit që i parapriu motit vendimtar të lirisë së Kosovës dhe kur bashkësia ndërkombëtare, e udhëhequr nga SHBA dhe NATO i tha mjaft Serbisë, përpjekjeve për gjenocid dhe spastrim etnik, duke nisur më 24 mars fushatën e bombardimit të caqeve militariste serbe...