MOS E HARRO JAPONINË, SUZANË
Roman
Pjesa 3
Të nesërmen Leo e thirri në telefon dr. Xhemil Uzunbeyin në Edirne. Ky ishte një mjek i njohur turk, otolog, me të cilin Leo njihej nga konferencat e ndryshme profesionale. E pyeti se cili spital në Turqi kishte rezultatet më të mira për trajtimin e kancerit të laringut. Dr. Xhemili i tregoi se spitali Anadollu në Stamboll ishte ndër më të mirët në Turqi dhe në dhjetë më të mirët në botë. Kishte bashkëpunim me Spitalin “John Hopkins” dhe përdorte metodat më bashkëkohore për shërim. Kur i treguan se fjala ishte për të personalisht, mjeku turk shprehu keqardhjen, bile u ngatërrua në anglishten e vet të varfër e ia ktheu turqisht. Leo nuk e kuptoi këtë pjesën turqisht por, nuk e ndërpreu, sepse e mori me mend nga konteksti, se miku i tij po e ngushëllonte dhe po i jepte përkrahje morale. Dr. Xhemili, po ashtu, tregoi se po në atë spital punonte dr. Levent Altikanoglu, ai mjeku stam-bollas që ishin takuar në Niigata të Japonisë, këtu e gjashtë vjet më parë, në konferencën e otologjisë.
- Do ta kontaktoj dr. Leventin e pastaj ju merruni vesh. Më njoftoni mandej edhe mua si po shkojnë punët. Më shkruaj edhe në e-mail - tha dr. Xhemili.
- Patjetër mik. Nuk ta harroj kurrë - i foli dr. Leonardi me zërin e ngjirur.
- Mos e diskuto, të lutem! Inshalla shërohesh sa më shpejt! Po ta dërgoj në mesazh numrin e Leventit.
- Mirupafshim dr. Xhemil!
- Mirupafshim dr. Leonard! - i tha mjeku turk.
Nja një orë më vonë Leo telefonoi dr. Leventin në Stamboll. Ai e priti shumë mirë. I tha se i kujtohej shumë mirë që gjatë qëndrimit në Japoni, duke u kthyer me autobus nga një vizitë në kështjellë, ia kishin prishur gjumin ai me një bionde bukuroshe. Pastaj, kur dolën te tema, dr. Leventi i tha:
- Posi, më ka treguar profesor Xhemili. Patjetër do të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë. Me mua punon një laringoonkolog, nga më të mirët në gjithë Turqinë. Ka specializuar në Amerikë dhe ka punuar atje shumë vite. Adnan quhet, dr. Adnan Adiler.
Në ditët në vazhdim Leo dhe Suzana u përgatitën të shkonin në Stamboll. Kishin dashur ta vizitonin për qejf ndonjëherë qytetin që shtrihej në dy kontinente, e të kënaqeshin, por fati, mbreti i botës, kësaj radhe i shtynte të shkonin njërin si pacient, tjetri si përcjellës i pacientit. Pos përgatitjeve të tjera, dr. Leo aplikoi edhe në Ministrinë e Shëndetësisë për ndihmë finan-ciare, por mori përgjigje negative: për patologjitë që trajtoheshin në Kosovë, fondi i ministrisë nuk mund të participonte sepse kishte shumë patologji që nuk trajtoheshin e që duhej të ndihmoheshin nga mini-stria. Leo nuk e zgjati më shumë: shyqyr Zotit kishte mjaft kursime, prandaj as që pyeti fare për çmimin e operimit dhe të shërimit të mëtejmë. Të shërohej, se paratë pak problem ishin për të.
Dy javë pas kollitjes me gjak, dr. Leonardi me Suzanën shkuan në Stamboll. Kur zbritën nga aero-plani i Turkish Airlines në Aeroportin Sabiha Gokcen, pas një orë e gjysmë fluturimi, aty i priste shoferi me veturën e spitalit Anadollu. Spitali ishte në pjesën aziatike të qytetit, jo shumë larg aeroportit. Në spital i priste dr. Leventi. Bën regjistrimin në spital dhe shkuan në dhomën që ishte më e mirë se çdo dhomë hoteli. Diku, pak para se të shkonte në shtëpi, dr. Leventi erdhi bashkë me dr. Adnanin. Edhe dr. Adnani, një burrë rreth pesëdhjetë e pesë vjeç, jepte përshtypjen e njeriut modest dhe erudit. Që në taki-min e parë u tregoi se kishte prejardhje shqiptare: gjyshi i tij ishte shpërngulur nga një fshat shqiptar i Kumanovës dhe ishte vendosur në Arnautkoy, “Fshatin Shqiptar”, në bregun lindor të Bosforit. Mandej shkuan në ordinancën e tij dhe bën edhe një laringo-endoskopi. Pasi tundi kokën disa herë dhe foli diçka turqisht me dr. Leventin, e njoftoi dr. Leonardin rreth planit për ditën e nesërme: analizat e reja, PET skanerin, CT skanerin e qafës, endoskopinë e re dhe përgatitjen për operacion. Më së shpejti, pas dy ditësh, mund ta parashihnin operimin. Agjenda e dr. Adnanit ishte shumë e ngjeshur, por duke pasur parasysh inter-venimin e dr. Xhemilit, që ishte nënkryetar i Shoqatës Turke të ORL-së dhe ish-kryetar i asaj ballkanike, kishte bërë të pamundurën për ta futur në program kolegun nga Kosova.
- Dr. Adnan, çfarë operacioni parashihni të bëni në fytin tim? - pyeti dr. Leo.
- Po mendoj një laringjektomi parciale vertikale, - pastaj duke u kthyer kah zonja Suzanë, - një
heqje të pjesshme të laringut, që do të thotë se do të përpiqemi të ruajmë gjithçka që mund të ruhet për t’i mundësuar kolegut tonë të mos humbë tërësisht zërin. Nëse gjatë operacionit gjejmë se tu-mori është më i zgjeruar sesa duket. Patjetër duhet të bëjmë laringjektomi totale me trakeostomë defi-nitive.
Mbretëroi një heshtje vdekjeje.
Kushedi sa do të kishte zgjatur ajo heshtje po të mos ishte dr. Leventi i cili i ftoi në darkë për ditën e nesër-me, pasi t’i kryenin analizat dhe hulumtimet që para-shiheshin. Leo i tha se nuk kishte nevojë, por Leventi ua mbylli gojën me insistimin e tij: “Do të vini se nuk bëhet ndryshe”.
5.
Ditën e nesërme, që nga ora shtatë e mëngjesit, te dr. Leonardi u aplikuan të gjitha përgatitjet preopera-tive që i parashihte protokolli diagnostik i Spitalit Anadollu në Stamboll. Zonja Suzanë ishte kudo me të. Vështrimi i saj ishte i humbur. I telefononte nënës së saj dhe pyeste për Flakën. Diku kah ora tre pasdite, erdhi dr. Leventi dhe i mori me veturën e vet.
- Para se të shkojmë në shtëpi, nëse doni, dua t’jua tregoj Stambollin. Disa vende më të njohura.
Edhe pse mbrëmja e hershme e mesit të dhjetorit kishte mbuluar tokën, gjallëria e përjetshme e atij qyteti nuk fashitej deri pas mesnate. Gjithkah njerëz, erë gatimesh, zhurmë tramvajesh e shitësish në rrugë. Nja dy orë të mira shëtitën në sheshet dhe pazaret e Stambollit, hynë në Aja Sofi, në mrekullinë arkitekto-nike të mesjetës, ndërtuar si katedrale nga mjeshtër armenë për perandorët bizantinë, pastaj në Xhaminë Sulltan-Ahmet, apo Xhaminë Blu me gjashtë minare, kaluan nëpër sheshin para saj, aty ku dikur kishte qenë një hipodrom. Pinë nga një salep, e provonin për herë të parë, pastaj shëtitën nëpër shesh dhe bulevard deri te Salla e Konferencave të Universitetit Marmara, aty ku dr. Leventi kishte kryer Fakultetin e Mjekësisë. Mjekut turk nuk i ndalej goja duke treguar historinë e pasur të atyre vendeve. Tërë kohën Leo mendonte se sa mirë do të ishte sikur këtë vizitë mos ta kishin bërë për shkak të sëmundjes. Edhe Suzana nuk mendonte tjetër. Luste Zotin në vete që burri t’i shërohej dhe të vinin pas një kohe, me vajzën përdore të shëtisnin nëpër qytetin më të gjallë të botës, të hipnin në anije dhe të shëtisnin mes dy kontinenteve, t’i shihnin urat që kalonin lart mbi kokat e tyre.
Kur shkuan në shtëpinë e dr. Leventit ishte duke u thirrur ezani i jacisë. Ishte një shtëpi dykatëshe shumë e bukur në lagjen Kocaeli, njëzet minuta këmbë nga spitali. Nëna dhe gruaja e dr. Leventit i pritën te dera. Babi i kishte vdekur kur ky kishte qenë i vogël. Dr. Leventi u shërbente edhe si përkthyes. Ndërkohë erdhën edhe dy djemtë, njëri njëmbëdhjetë e tjetri tetëvjeçar, i përshëndetën dhe shkuan në dhomat e veta. Suzana përpiqej të bisedonte me bashkëshorten e Leventit por, me përkthyes, biseda ishte shumë e ngadaltë, plus që ishte e lodhur. Koha po ecte shpejt. Dhe, sigurisht se kur ke burrin me kancer në fyt, koha e botës të duket e paktë. Të nesërmen duhej të bëhej operacioni dhe dr. Leonardi kishte shumë nevojë të pushonte, edhe pse e dinte se nuk do të mund të flinte fare. Kishte nevojë të fliste, të fliste derisa të lodhej. Ndoshta ishte nata e fundit që fliste! Donte të shkonte në dhomë, t’i vishte pizhamet, të shtrihej në shtrat dhe ta shtrëngonte gruan e vet, t’i pëshpëriste fjalët më të ëmbla, t’i thoshte ato që s’kishte mundur herë tjetër t’ia thoshte, por koha ishte tmerrësisht e shkurtër.
Sapo pinë kafetë, Eminja, kështu quhej gruaja e dr. Leventit, shtroi darkën. Hëngrën duke biseduar, më së shumti rreth Japonisë, rreth udhëtimit dhe njohjes, sado të shkurtër e të paharruar që kishin pasur në atë udhëtim të largët para afërsisht gjashtë vjetësh.
- Me Leon u patëm njohur atje - i tregonte Suzana Emines nëpërmjet Leventit.
- Në Japoni, - po thoshte Eminja - unë nuk pata mundur të vija, se djali i vogël ishte vetëm dy vjeç. Por, Leventi më pat treguar se ishte kënaqur shumë.
- Më kujtohet se pata shkruar një ditar - fliste dr. Leventi me një anglishte të përkryer - nja dhjetë faqe dorëshkrim prej atij udhëtimi. Dhe të kam përmendur aty, dr. Leonard, kur patëm zbritur në aeroport. Të kujtohet? Unë isha me dr. Xhemilin. Ah, po, ka thirrur dje dhe sot. Pyeti për ty. Duket se të do shumë.
- Nuk ka peshore që e matë mirësinë e atij njeriu - tha dr. Leo me zërin e ngjirur.
- Edhe diçka, ato fleta ditari të Japonisë kam qejf t’i lexoj, kuptohet, nëse nuk janë sekret. Jo, më mirë lëri. Ju kërkova shumë. Më fal mik, të lutem, por aq shumë jeta jonë është e lidhur me Japoninë saqë... - dhe heshti, se s’gjeti fjalë çfarë të shprehë.
- Oh, me kënaqësi, veçse është turqisht. Nëse do, pjesën e Japonisë do ta shkruaj në kompjuter anglisht dhe do të ta jap. Është dhurata ime për vizitën tënde në Stamboll. Nuk kam asgjë të fshehtë dhe shikoi gruan me buzëqeshje.
- Jo, të lutem dr. Levent, harroje! Nuk është në rregull - u mundua të nxirrej dr. Leonardi, por dr. Leventi ishte burrë i vendosur. Nuk fliste dy herë.
Kështu, me darkë dhe biseda, shkoi vonë dhe dr. Leonardi kërkoi leje të shkonin. Mikpritësit, duke ditur gjendjen e mysafirëve, nuk ua prishën. Kur i për-collën, Eminja nuk mundi t’i fshihte lotët. Dr. Leventi i përcolli deri te dera e spitalit.
(vazhdon)