Prof. Fatmir Heda - IRENA PAPAS

Prof. Fatmir Heda - IRENA PAPAS
IRENA PAPAS
(3 shtator 1926-14 shtator 2022)
 
Pushon së rrahuri zemra e artistes botërore me origjinë shqiptare, por vepra e saj do të jetë e pavdekshme.
 
Bota shqiptare gjithmonë ka pasur njerëz të talentuar në fushat e ndryshme të jetës në theks të veçantë në atë të filmit. Me kreativitetin e tyre kanë mahnitur të tjerët, duke zgjuar interesimin e regjisorëve të ndryshëm evropianë dhe botërorë. Njëra prej tyre është Irenë Papas, e cila në një intervistë është përgjigjur : " I ngjaj nënës sime. Ajo është ezmere si unë. Ajo vinte nga Epiri, ndërsa im atë vinte, sipas gjasave, nga Shqipëria. Ndoshta jam shqiptare ose gjysmëshqiptare. Peloponezi është përplot me shqiptarë".
IRENA, qysh në moshë të re spikati talentin e saj në fushën e artit dhe rrëmbeu zemrat e personaliteteve të ndryshme të kinematografisë botërore. Shumë shpejt, me kalimin e kohës, rejtingu  i saj s'kishte të ndalur dhe kështu u bë bartëse e roleve kryesore të disa veprave të autorëve botërorë. Të gjitha rolet i realizoi në nivel të lartë artistik, duke u dalluar me një interpretim të rrjedhshëm dhe intonacion të duhur. E vet bukuria e saj fizike e bënte atë të mahnitshme, të thuash: " e lindur për artin".
Publiku artdashës e di se ajo ka luajtur disa role me yllin tjetër shqiptar Bekim Fehmiun. Realizimet artistike të IRENËS janë vlerësuar lart  nga kompetentët e filmit. Ajo ka shkëlqyer në  kuptimin e plotë të fjalës dhe ka zënë vend  miqësor në zemrat e miliona njerëzve anembanë botës.