CIKËL POETIK NGA SKËNDER LAZAJ
Skënder Lazaj ka lindur në Dëshnicë të Përmetit por nga viti 1995 banon në Brescia Itali.Skënder Lazaj është Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar në Itali nga viti 2017 e në vazhdim dhe autor i katër vëllimeve poetike:
- RISORGERÒ PER L’AMORE - RINGJALLEM PËR DASHURINË (Poezi shqip - italisht, Shtëpia Botuese EMAL, Tiranë, 2013)
- HIRI I LOTËVE - (Poezi - Shtëpia Botuese NERAIDA, Tiranë, 2015)
- BALADA E VJOSËS - (Poezi, Shtëpia Botuese ADA, Tiranë, 2017)
- SHQIPËRIA SI AJKUNA (Poemë, Shtëpia Botuese EMAL, Tiranë 2021)
ME BUZËQESHJEN TËNDE
BOTËS DO T’I NDEZ NJË DIELL
Të të harroj ty, heshtjet dhe fjalët,
shpirtin ta zhbëj, t’i lë veç kufomën
Duhet vetes t'i shpik ndonjë sëmundje
“Demencë” i thonë Hipokratët.
Paçka se s’do njoh më as veten,
As shijen e një puthjeje...
Ose një “gjumë i madh” më duhet,
Harrimin ta marr në botën tjetër.
Të mos kujtoj ty, të vetmen perëndi
Ku besoja unë, dhe pse i pa-fe
Dhe në gjunjë të të bija në lutje;
“Më duaj sa të desha, jo më tepër...”
Lutje, pastaj qetësi solemne si në çdo rit,
Vetëtimat në sy ndizen me poterë
Pulisje qerpikët dhe... “të dua shpirt”.
Kraharorit vraponin kuaj të egër,
Me trok mbi, me jelet n’erë
Kapërcenin kufijtë nga zemra në zemër.
Ndoshta kthehem kur të çelin pemët,
Të të fryj vrunduj ere nëpër flokë,
Atëherë do të kujtohen gishtat e mi.
Nëse do ndjesh të të lagen buzët
S'do të jenë lotët e njelmët,
Po unë duke rënë si shi...
“I paudhi, do të belbëzosh me vete,
S’e mbajti kurrë fjalën ky i pabesë.
Arratisur ferrit, as nga Hadi s’ka leje...”
Buzëqeshja do këputet si gjethe
Pa rënë përdhe... me to do të ndez
Një diell botës së përtejme...
MUZA
O zëri zemrës, kurrë nuk reshte
këngë i ndeze shpirtit tim
O muzë ngarkuar me ar vjeshte
me pjalmë lulesh dhe pelinë.
Të thirra por kthehet veç heshtje
Ndaj gjoksi therr e ndiej shtrëngim
Pa ty s'thur dot dy vargje vjershe
Ku shkove vallë, në ç'shtegtim.
U rritëm bashkë si dy binjakë
ti dritë hyjnore e unë poet
pa ty jam thjesht një varfanjak
si hyj në punë as dreqit vetë.
Prej të gjitha dashurive
Ti muzë më je nga më hyjnoret
Ndaj eja ti dhuratë perëndie
Se pa ty ç'do poet flijohet.
Pa t'ia fillojmë dhe njëherë
me këngë e gaz e vjershërim
në mos do thonë për mua i 'ndjerë'
do t'i dëgjosh të përshpërijnë...
TË PATA THËNË
Të pata thënë, mos më duaj kaq tepër
Kur sodisja yjet që në sy të patën rënë
Por ti, buzët afroje dhe më jepje zemër
"dashuria është hyjnore" duke më thënë.
Mos duaj kaq shumë, mendoja në heshtje
Se dashuria e dashur është e verbër
Por kur ti ma ktheje me buzëqeshje
"dashuria" - thoja -s'është kurrë tepër!
Diellit ia mblodha rrezet e mëgjesit
Poetit çdo metaforë hedhur në vepër
Dhe dritën e yjeve i tërë universit
Të të dashuroja sa ti, dhe ca më tepër!
Ç'ËSHTË ATDHEU
Atdheu nuk është veç ai dheu i rrethuar
Ku thjesht shtrinë dimesionet gjeografike
Atdheu është dora e nënës kur t'ka ledhatuar
Është Babai me përqafimet idilike!
Atdheu është cicërima që zgjon mëgjeset
Janë zogjtë që tejmbushin kurorën e plepit
Është vendi që t'pranon prapësitë dhe veset
Ninulla e parë, që të kënduan djepit!
Atdheu është vallja e çapit të parë
Është melodia e së të parës fjalë
Është dora që të fshiu lotët e qarë
zëri i nënës kur jehoi: "djalë"!
Atdheu është ëndrra ime e kahershme
Të rikthehem dhe njëher tjetër fëmijë
pastaj, krejt ta mbuloj me buzëqeshje
Dhe Ai, Atdheu im, porsi diell të ndrijë!
MË RA NË PJESË KJO JETË
Më ra në pjesë kjo jetë-kote
Dhe s'dita ç'të bëj me të
Po t'mos ishte ardhja jote
Lamtumirë t'i thoja, po të lë.
S'pata çartjen e guximit
Sikundër pat' poet të tjerë
Paksa t'i ngjaja Eseninit
Të ikja me damarë të prerë!
Prej vargjesh s'më duke i huaj
Por ky Rus i ndritur më trembte
Ndaj në vdekje s'desha ti ngjaj
Dhe pse jeta aq më bënte!
Por ja që fati prapë më ndriti
Kur Zoti të dërgoi ty
Kjo zemër plotë me gas të priti
Dhe drita prapë m'u kthye në sy.
Erdhe ti o shpirt i bukur
Krijesë hyjnore pa të metë
Dikur e kotë jeta m'ish dukur
Tash me të, s'ngopem vërtetë...
Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta Akademike, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese