Mimoza Marjanaku – Cikël poetik (Përgatiti Rifat Ismaili)

Mimoza Marjanaku – Cikël poetik (Përgatiti Rifat Ismaili)
MIMOZA MARJANAKU
 
Biografi
Mimoza Marjanaku është një aktore e njohur dhe një figurë e rëndësishme në skenën kulturore të Shqipërisë, aktualisht aktive pranë Teatrit "Aleksandër Moisiu" Durrës. Ajo ka përfunduar studimet në Akademinë e Arteve të Bukura (1988–1995) me specializim në aktrim dhe ka ndërtuar një karrierë të pasur në teatër, film dhe televizion, duke interpretuar role kryesore me një repertor të larmishëm që përfshin vepra klasike dhe bashkëkohore.
Gjatë karrierës së saj,  Marjanaku ka interpretuar personazhe ikonike si Klitemnestra në Elektra të Sofokliut, Titania në Ëndrra e një nate vere të Shekspirit dhe Elena Popova në Ariu dhe Martesa të Çehovit, si dhe role të shumta në shfaqje moderne dhe adaptime lokale. Ajo ka pasur gjithashtu prezencë të spikatur në kinematografi dhe televizion, duke interpretuar figura të ndryshme në filma dhe seriale të shquara.
Por pertej aktrimit Mimoza Matranaku i përkushtohet edhe artit të bukur letrar duke shkruar poezi me ndjeshmëri të lartë. Ka botuar në mjaft gazeta dhe revista të kohës, dhe së shpejti pritet të dalë për lexuesin me një vëllim poetik. Gjithashtu ajo ka interpretuar edhe poezi të disa autorëve shqiptarë, dhe është mjaft aktive në rrjetet sociale.

ShPIRTI IM FLAUT

Ti
nuk erdhe rastësisht.
Të kisha zgjedhur unë.

Mund të kishe hyrë
në tjetër trup lehtësisht.

Substanca jote
formëzoi flautin,

nën mollëza gishtash,
gojë të vogla
fryjnë shtatin.

Prandaj të zgjodha,
t'më akordosh shpirtin
e  trazuar,
të lënduar,
të zhvarrosur,
të tërbuar.

Luajta “Frymë”,
sonatën për flaut në A minor.
Gjithë trupi shpertheu tinguj,
si të ishte kor.

Kur duartrokiti
lisi dhe pisha,
mali , qielli e koria
Sorkadhes
i dritheroi  këmisha.

Ti ke lindur në pyll, flaut!

17 shtator 2025

"PIZZICATO"

Dritat u fikën.
Çapis
me hamendje
drejt shtratit.

Janë
minuta të arta.
Nën çarçafë
bëhemi dy –
Unë
dhe Shpirti.

Trupin e shoh
nga pasqyra...
Me ngjan me një
Kontrabas!

Në këmbë,
pas orkestrantëve
të ulur,
po luhet...
Rapsodi.

Një tingull
del nga toka,
si një rënkim
i fshehtë...

Është shpirti
rrokopujë,
trupi
e pickon
me një pizzicato
të dhembshëm.

Druri kriset,
telat këputen.

Publiku
ngrihet nga poltronët.

Trupi
mbetet vetëm,
në mes të skenës...
një kontrabas i thërrmuar,
që luan
partiturë të grisur.

Pa finale.

Vetëm loti i syrit –
Spala –
nuk më braktisi.

26 prill 2025

FETUS

Një ditë
vendosën ta damkosin:
“E përdale.”

Tifozeri pantallonash
do të shijonin show-n.
“Objekti
i zhveshur,
brenda një topi plasmasi.”

I lirë çdo “tifoz”:
të grushtonte,
të gjuante,
të luante.

Trupi grua –
rridhte gjak,
sikur lindte vetveten.

Për t’u mbrojtur
u mblodh brenda vetes,
si në mitrën e nënës:
Fetus!

Qesja ulërinte nga dhimbja,
çau veten
që foshnja të dilte.

Në çdo pantallon
nxori kokën një baba –
ndëshkim
për ç’panë sytë.

LARINGIT

Laringit,
ngjirur
prej mallit,

përzierë me lot
qull kordat e
lagështia
shkon në palcë
të çjerrjes.

Ah, harrova.

Titullohet
“Saksofon i ngjirur”
kjo poezi — burri
për një grua
që kurrë  s'e pati.

Dhe ai
vazhdon,
vargëzon çjerrë
si një luan plak,
që kohën qan
kur ishte mbret,

për ty, grua,
që kurrë s’të puthi,
por gjithmonë të deshi.

Ai tani kompozon lot!

Nuk paska më dhimbje
se një burrë që qan.
I falur qofsh!

M.M 18/06/2025
 
Përgatiti për botim Rifat Ismaili