Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99” - Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe
BLLACJANËT TË PARËT U DOLËN NË NDIHMË VËLLEZËRVE KOSOVARË
Hafëz Liman Ismaili
Dhuna ushtarake e policore serbe ndaj civlëve shqiptar të Kosovës, solli eksodin e shqiptarëve nga vendbanimet urbane e rurale të Kosovës. Fluksi i parë i refugjatëve kosovar për në Maqedoni përveç autostradës dhe hekurudhës erdhën në këmbë edhe maleve të Karadakut drejtë fshatit Bllacë të Shkupit, fshat shumë afër brezit kufitar Kosovë - Maqedoni.
Në varrezat e fshatrave Bllacë e Epërme dhe Bllacë e Poshtme, lagja Bardhëve, afër kalimit kufitar Bllacë, gjenden të varrosur disa refugjatë kosovar, që asaj kohe ishin dëbuar me dhunë nga forcat policore e ushtarake serbe. Atë ditë që i vizituam këto varreza, unë ish imami i fshatit
Bllacë, isha në shoqërim të disa dëshmitarëve të fshatit Bllacë; Hasan Kovaçi dhe Neshat Lusnjani, të cilët i treguan dhe argumentuan pesë varret e refugjatëve kosovar në Bllacë të Epërme dhe pesëmbëdhjetë varre tjera në Bllacë të Poshtme, në lagjen Bardhi.
Fillimisht do të tregoi sesi banorët e fshatit Bllacë, ndër të parët u dolën në ndihmë fluksit të madh të refugjatëve kosovar të cilët dëboheshin me dhunë nga shtëpitë e tyre dhe duke ikur kalonin kufirin Kosovë-Maqedoni në mënyrë ilegale. Mbaj mend si sot, se këto ngjarje nuk harrohen asnjëherë. Fluksi i parë i mbi 5 mijë refugjatëve erdhën nga Kaçaniku, maleve të Karadakut, sepse atje kishin ndodhur masakra ndaj popullatës civile nga policia e ushtria serbe. Bllacjanët ishin shumë mirë të organizuar dhe ditë e natë u ndihmonin vëllezërve nga ana tjetër e kufirit, sepse jemi të një gjaku e të lidhur ngushtë, nip e dajë. Fluksi i refugjatëve që vinin nga ana tjetër e kufirit të dëbuar nga shtëpitë e tyre me dhunë ishte me mijëra burra pleq, gra e fëmijë...