A EKZISTONIN VËRTET INDO-EVROPIANËT?
Thomas Pellard
Marrëdhëniet midis gjuhëve evropiane dhe atyre të Indisë veriore u vunë re në fund të shekullit të 18-të. Kjo krijoi hipotezën e një "gjuhe origjinale" të folur nga një popull indo-evropian nga i cili jemi pasardhës. "Por ku kanë shkuar vërtet indo-evropianët?"
Në fund të shekullit të 18-të, një gjuhëtar anglez vuri në dukje ngjashmëri midis gjuhëve evropiane dhe atyre të Indisë veriore. Në dekadat në vijim, përparimi në gjuhësinë krahasuese çoi në hipotezën e një gjuhe origjinale që do të flitej nga anëtarët e të njëjtit komunitet. Prej saj zbresin popujt e ndryshëm me origjinë indoevropiane, indianët, persët, grekët, romakët, por edhe keltët, gjermanët dhe shqiptarët.
Paradigma indo-evropiane: një mit apo një realitet?
Në një libër të titulluar Por ku kanë shkuar indo-evropianët?, botuar në vitin 2014, arkeologu Jean-Paul Demoule e kritikoi ashpër këtë teori. Ai bazohet, sipas tij, në hipoteza dhe përgjithësime në lidhje me migrimet të cilat nuk mbështeten nga asnjë dëshmi arkeologjike. Tregon se ky diskurs mbi origjinën shërbeu si mbështetje për nacionalizmin gjerman, pastaj ndihmoi në legjitimimin e pretendimit të evropianëve për të qeverisur botën, përpara se të merrej nga nazistët për të justifikuar epërsinë racore të "arianëve". Kundër kësaj teorie, e cila na paraqet si pasardhës të largët të një populli indo-evropian, Jean-Paul Demoule beson se kontaktet e zgjatura, gjatë mijëvjeçarëve, midis qindra grupeve të njëpasnjëshme njerëzore në hapësirën euroaziatike, kanë krijuar - nga takimet ose huazimet - të shumta pikat e konvergjencës midis të ashtuquajturave gjuhë indoevropiane, pa mundur të referohen ato në një burim të vetëm.
Gjuhëtarët që favorizojnë paradigmën indo-evropiane e panë të papranueshme që një nga kolegët e tyre të diskreditonte punën e tyre shkencore me pretekstin se polemistët e ekstremit të djathtë e kishin përdorur atë. Ata vunë në dukje gabime dhe përafrime në veprën e Jean-Paul Demoule. Por mbi të gjitha ata mobilizuan rezultatet e fundit të kësaj shkence të re të quajtur paleogjenetikë për të konfirmuar tezën e një gjuhe origjinale indo-evropiane, të folur nga folësit që jetonin në fushat e stepeve midis Ukrainës së sotme dhe jugut të Rusisë.
Grindjet e pafundme janë të lidhura, sipas filozofit Thomas Kuhn, me një dialog të të shurdhërve.
Jo të bindur nga këto argumente, Jean-Paul Demoule dhe gjuhëtari Gabriel Bergounioux i kritikuan këto kritika duke denoncuar "reduksionizmin biologjik", i cili konsiston në shpjegimin e historisë së gjatë të kulturave njerëzore përmes gjenetikës. Për të mësuar më shumë rreth kësaj polemike, mund të konsultoni referencat bibliografike të treguara më poshtë. Duke mos qenë specialist në këtë temë, megjithatë mund të shohim se këtu kemi një shembull të mirë të grindjeve të pafundme të analizuara nga filozofi Thomas Kuhn në veprën e tij të famshme mbi Strukturat e Revolucioneve Shkencore. "Në masën," shkroi ai, "ku dy shkolla shkencore nuk pajtohen rreth asaj se çfarë është një problem dhe çfarë është një zgjidhje, ato në mënyrë të pashmangshme përfshihen në një dialog të të shurdhërve në diskutimin e meritave relative të paradigmave të tyre përkatëse." Kjo është arsyeja pse, sipas tij, përparimi kryesor në fushën e shkencës nuk vjen nga diskutimet racionale mes shkencëtarëve, por nga një ndryshim paradigme, shpeshherë e shoqëruar me rinovimin e brezave të studiuesve.
Shqipëroi Ismail Ismaili