Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99” - Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe
ATO KOHË TË VËSHTIRA NUK HARROHEN KURRË!
Emine dhe Florim Kastrati
Ishin ditët më të vështira në marsin e vitit 1999, kur policia dhe ushtria serbe na nxorën nga shtëpitë tona në fshatin Shkabaj, të cilët me dhunë na dëbuan nga shtëpitë tona. Nën kërcënimin e armëve na detyruan të largoheshim.
Kjo nuk na ndodhi vetëm neve, në fshatin tonë, por në atë kohë i ndodhi gjithë popullit shqiptar. Ata (serbët) e donin Kosovën pa shqiptarë.
Atë ditë të kobshme, ne thuajse i gjithë fshati, kush me traktorë e kush këmbë forcat policore e ushtarake serbe na drejtuan drejt stacionit të trenit në Prishtinë. Në stacionin e trenit na mbajtën dy ditë. Ishte pritje në ankth, panik e frikë nga çetnikët serbë dhe pas dy ditësh na ngarkuan në një tren transporti mallrash, duke na transportuar për në Bllacë. Gjatë udhëtimit ishte ndjenja se do të na vrisnin të gjithëve, të paktën atëherë kur treni ndalonte për pak çaste, ne e prisnim vdekjen nga çetnikët e armatosur. Dhe, pas gjithë asaj treni arriti në Bllacë, aty e shihnim dhe ndjenim pasiguri, sepse ishim në një luginë ku ne mendonim se do të na pushkatonin të gjithëve.
Koha ishte me shi dhe ne po qëndronim nën qiellin e hapur, pa mbulojë e shtrojë, pa bukë e pa ujë, jetonim me britmat e fëmijëve të lodhur, të sëmurë e të uritur. Të qarat nuk ndalonin, në mesin e të qarave ishte edhe zëri trishtues i foshnjës tonë djalit Laurentit, i cili edhe gjatë gjithë rrugës qante e orvatej sepse ishte i sëmurë e nuk mund i duronte dhimbjet,…
… Në Bllacë, në kushte të jashtëzakonshme qëndruam 5-6 ditë. Gjatë gjithë kohës Laurenti qante. Ishte i sëmurë dhe mezi mbijetonte! Papritmas erdhën disa individë dhe në kundërshtim me policinë maqedonase e morën Laurentin për ta dërguar në Spitalin e Shkupit. Ne arritëm vetëm t'u themi se jemi Kastrat nga komuna e Obiliqit dhe ata, duke e parë gjendjen shëndetësore të Laurentit, me shpejtësi kaluan kufirin dhe shkuan bashkë me të qarat e djalit.
Me gjithë kujdesin e veçantë të mjekëve në Shkup, Laurenti kishte ndërruar jetë dhe ata e kishin vendosur që ta varrosnin në varrezat e tyre, në Saraj të Shkupit.
Të nesërmen, disa aktivistë shqiptarë, erdhën dhe na kërkuan që dikush na ne të shkojë me ata, (sepse të gjithë ishte e pamundur) kështu që vendosem të shkojë Eminja, nëna e Laurentit.
-Unë shkova me vëllezërit shqiptarë nga Bllaca në Saraj. Aty me vendosen në një shtëpi ku të gjithë u kujdesen për mua, pastaj e rregulluan kufomën e djalit dhe me një ceremoni të veçatë e të jashtëzakonshme e varrosen Laurentin në varrezat e Sarajit. Varrimi u bë sipas traditave tona - tregon Emine Kastrati…