Recension
KRONOLOGJI PËR PREKAZIN
Mr. Vilson CULAJ
,,Prekazi brezni trimash - Ai është i gjallë”
Diku në librat e jurisprudencës shkruan: ,,Quod non egzist in actes non est in mondo”. (Çka nuk është e shkruar nuk ekziston në këtë botë). Heronjtë mund të lartësohen përmes kujtesës sonë, ndjesisë, fotografisë, pikturës, skulpturës, duke i përjetësuar në mermer, por edhe në letër.
Këtë linjë artistike ka ndjekur edhe regjisori e shkrimtari ynë Dibran Fylli, i cili përmes librit kronologjik ,,Prekazi brezni trimash-Ai është i gjallë” u ka ofruar lexuesve mbarëshqiptarë një tabloid gjithëpërfshirës për figurat heroike të popullit tonë ndër shekuj, duke u përqendruar në Prekazin heroik, por pa përjashtuar as ata që morën pjesë në aktet historike që nga lashtësia e deri të lufta e fundit në Kosovë – të Epopeja e lavdishme e UÇK-së.
Me këtë kronologji si një buqetë lulesh artistike përfaqësohet bota heroike e popullit tonë. Librit i paraprin një moto çelës e autorit: Drenica Flamurtare e lirisë - Kjo trevë kreshnikësh në antikë njihej me emrin Klapotnik, duke e përshkruar Betejën e Kosovës, ku Millosh Nikollë Kopiliçi e plagos për vdekje Sulltan Muratin I.
Më pas hapet sipari i kësaj kronologjie me përshkrimin e Kullave të lashta që sipas autorit ishin tri faza:
1. Kullat fortifikatë, kemi shembuj të shumtë në historinë tonë.
2. Kullat legjendë janë përjetësuar nga sakrificat heroike për liri.
3. Kullat muze, ku ruhet historia jonë e bujshme ndër shekuj.
Dhe duke vazhduar me Kullat tjera ne Prekaz, ku nga to u bë rezistencë shekullore për liri e bashkimin kombëtar. Në këtë kronologji përshkruhen të gjallë e të vdekur: luftëtari hero për heroizmat e heronjve dhe luftëtari i gjallë për të rënë për liri.
Ky komponim i kronologjisë është art më vete dhe shumë meritor nga vetë autori i kësaj kronologjie, i cili shprehet se ,, për të rënët për liri, varri nuk është fjala e fundit ‘’, por përndritje e rilindje në epokën e re të lirisë.
Gjithë ky angazhim krijues i ka marrë autorit shumë kohë. Falë edhe penave të arta të krijuesve anembanë arealit shqiptar, ky libër kronologjik ka arritur nivelin e duhur ideoartistik për t’iu ofruar lexuesit tonë si një lloj literature kulturore, historike e kombëtare.
E veçanta e kësaj kronologjie të Dibran Fyllit është se poeti përplotëson heroin, ndërsa heroi përplotëson poetin. Këto thënie patriotike të krijuesve tanë formësojnë idealin kombëtar e estetik se mbi gjakun e heronjve shkëlqen lavdia, ndërsa sakrifica është vetë populli. Janë këto dy vlera të përbotshme e fisnike: heroizmi dhe trimëria, që krijojnë dinjitetin artistik të këtij botimi.
Ky libër i dhimbjes e krenarisë sonë kombëtare është testament i lirisë për brezat e sotëm e të ardhshëm, se liria është e shtrenjtë dhe e shenjtë.
Deri në antikitetin e vonë, dijetarët e antropologët mendonin se në gjakun e njeriut gjendej shpirti dhe se kur ai derdhej, shpirti lartësohej në qiell. Edhe sot mund të themi lirisht se gjaku i derdhur për liri i këtyre dëshmorëve është bërë hyjnor dhe shpirt i lirisë së Kosovës.
Është ky edhe mesazh universal se ideali i çdo shqiptari është që një ditë të jetojë me të drejtën e vet historike si komb i bashkuar.
Autori i këtij botimi ka kryer një obligim moral ndaj bashkëluftëtarëve të tij, por ende s’e ka përfunduar misionin artistik me vepra të tjera të frymëzuar nga palca e lirisë. Kjo kronologji do të botohet me një qasje shumë serioze, falë edhe kontributit të disa figurave tona letrare.
Ky botim do të vjen te ne i përgatitur bukur artistikisht e teknikisht dhe funksional estetikisht për receptuesin mbarëshqiptar.
Më në fund, urojmë autorin dhe botuesin për këtë vepër dinjitoze!