CIKËL POETIK NGA ELISABETTA BONAPARTE
Elisabetta Bonaparte, është diplomuar në Juridik dhe që nga adoleshenca është e pasionuar me poezinë. Duke filluar nga viti 2024, i përkushtohet vazhdimisht krijimit; është vlerësuar me shumë çmime prestigjioze, medalje, pllaka vlerësimi dhe çmime speciale në konkurse të ndryshme letrare kombëtare dhe ndërkombëtare, ndër të cilat po përmendim:
- Çmimi Kombëtar i Poezisë “Ossi di Seppia” (Itali, 2024);
- Çmimi Kombëtar “Pace in Terra” (Itali, 2025);
- Konkursi Letrar Ndërkombëtar “Friedrich Schiller” (2025);
- Çmimi Kombëtar i Poezisë “Liberi di Essere” - Festivali “Incostieraamalfitana.it Festa del Libro in Mediterraneo” (Itali, 2025);
- Konkursi Kombëtar i Poezisë “Poesie Metropolitane in Love” (Itali, 2025);
- Konkursi Kombëtar i Poezisë së Dashurisë “Marco Tornar” (Itali, 2025);
- Konkursi Ndërkombëtar i Poezisë “Besio 1860”;
- Konkursi Kombëtar i Poezisë “Verde Poesia!” (Itali, 2025);
- Konkursi Kombëtar i Poezisë “Uno per Tutti, Tutti Diversi!” me rastin e Ditës Botërore të Filozofisë (Itali, 2025);
- Çmimi Ndërkombëtar i Ekselencës “Divinamente Donna” - Senati i Republikës - Romë (2026), si dhe me shumë vlerësimeve të tjera letrare.
Krijimtaria e saj letrare, karakterizohet nga një ndjeshmëri e thellë ndaj temave ekzistenciale dhe natyrore, si dhe nga një gjuhë intime dhe meditative, e pasur me alegori dhe metafora.
Në vitin 2024, Bonaparte botoi dy përmbledhje poetike: “Il volo della rondine - Fluturimi i Dallëndyshes” (Aletti Editore, Breva - Poeti del Nuovo Millennio) dhe “Antiche Verità - Të Vërteta Antike” (Grace Edizioni, Vol. XI - I Capolavori InVersi).
Një nga poezitë e saj është përfshirë në një projekt të poezisë qyetare dhe është riprodhuar së bashku me një vepër pikture në qendrën historike të Napolit. Një tjetër poezi është paraqitur krahas një pikturë në Bregdetin Amalfitan. Tekste të tjera poetike janë botuar gjithashtu në Enciklopedinë e Poetëve Bashkëkohorë (Aletti, 2024). Veç kësaj, Bonaparte është përfshirë në “WikiPoesia” (platformë enciklopedike e poetëve bashkëkohorë në Itali). Ka shkruar disa parathënie të përmbledhjeve poetike të autorëve të ndryshëm. Është anëtare e Akademisë së Rrethit Pharsala në Greqi.
Poezitë e saj janë përkthyer në gjuhët: anglisht, shqip, bengalisht, spanjisht dhe arabisht si dhe janë përfshirë në revista të ndryshme letrare dhe antologji poetike ndërkombëtare, si në forma e printuara po ashtu edhe online, në vende të ndryshme të huaja. Disa nga poezitë e saj janë përzgjedhur dhe botuar në kalendarë artistikë dhe letrarë. Të tjera janë recituar në aktivitete kulturore kushtuar promovimit të kulturës së paqes dhe solidaritetit.
Elisabetta ka marrë pjesë në projekte kulturore për paqen dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut; kontributet e saj poetike janë përfshirë në antologji tematike dhe përmbledhje që bashkojnë poetë dhe artistë ndërkombëtarë për të promovuar një mesazh paqeje.
Ka qenë e ftuar të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë në Dhaka, në dhjetor 2025, i organizuar nga World Poet and Literature Organization (WPLO), në të cilin morën pjesë përfaqësues nga 50 vende të botës për të festuar ekselencën në letërsi dhe dialogun kulturor. Bonaparte është përfshirë ndër “100 figurat letrare më me ndikim gjatë vitit 2025” nga revista letrare Barcelona Literary (Spanjë).
GRUA
Kuti e çmuar fjalësh
evokuar nga era,
vorbull ëndrrash që zvarriten ngadalë,
në një turbullimë mizore
momentesh të zjarrta.
Krenare dhe solemne,
arratiset shpirti,
në një vështrim
që nuk ka kufij.
Tani që të shoh
të njoh,
gjallëruese si dikur,
e fortë si një re,
që ëmbëlsisht tretet
ose me ndrojtje përplaset,
si stuhi që nuk ka shpëtim.
Bëj që koha
të jetë aleati yt më i fortë
që zbulon përjetësinë e qenies
me përkëdheljet e saj të rënda,
e edhe kur e rraskapitur
do e ndiesh të rrëzohesh
dashuria që ushqen brenda,
si një vullkan ulëritës,
edhe një herë sytë e tu,
eterikë dhe të shndritshëm
do i bëjë të shkëlqejnë.
FJALËVE TË TUA
Si ujë gjarpërues
rrjedh e trazohet,
këndon në gurgullimën ngazëllyese
dhe e lirë
e guximshme zhytet,
në pllajat e thella
për të gjetur shplodhje
dhe hapësirë të hareshme,
ashtu,
në përkëdheljet e tua
kur qetësisht më përqafon
dhe ngadalë emrin tim përshpërit,
universi, i gjithi
papritur kthjellohet,
nga terri i zgavrave
rilind,
gjen dritën e tij.
Dhe në sipërfaqe
braktisem,
e era më transporton
ku sipër gjithçka vërshon
me hijeshi,
prehet dhe lartësohet
e paluhatshme dhe trime,
e në paqe më kaplon
vala shkumuese
me spiralet e saj.
ZEMRA E DETIT
Zemrën e detit
e ndien në breg,
në përplasjen e dallgëve,
në soditjen e shpeshtë
mbi dhrithërimat e Tokës.
Zemrën e detit
e ndien mbi lëkurë,
në pulsin tënd
kur të arrin flladi
që shpirtin e tij ledhaton.
Zemrën e detit
e ndien tek lotët,
ka shijen e kujtimeve
dhe hove rilindjesh plot shpresë.
(Përktheu: Angela Kosta)