Aziz Mustafa - MOS E HARRO JAPONINË, SUZANË (Pjesa 5)

Aziz Mustafa - MOS E HARRO JAPONINË, SUZANË  (Pjesa 5)
MOS E HARRO JAPONINË, SUZANË
Roman
                                                             (Pjesa 5)
 
DITARI I DR. LEVENT ALTIKANOGLU
 
1. (Sa mirë që po udhëtoj. Sa më larg aq më mirë)
Kur gjeta në internet informatën për konferencën që do të mbahej në Niigata të Japonisë u gëzova shumë. Jo vetëm se nuk kisha qenë kurrë më parë në Japoni, por edhe kisha nevojë të ikja nga Stambolli, nga Turqia, nga Evropa, nga Euroazia dhe të shkoja larg, shumë larg, atje ku lindte dielli. Kur isha i vogël dhe rrihesha me tim vëlla, Samirin, dy vjet më i ri se unë, nëna na mallkonte: “Shkofshi njëri ku lind e tjetri ku perëndon dielli!” Tani profecia e nënës po plotësohej: së paku për një javë unë do të isha në lindje, ai në perëndim. Do të çkyçesha nga rrjeti, të çkyçesha nga përditshmëria, nga klinika, nga familja, nga gjithçka. Isha lodhur nga jeta. Nuk ishte gjë e mirë të mërzi-teshe nga jeta në moshën tridhjetë e pesë vjeçe, por kisha një arsye të madhe sa Stambolli: kisha bërë gjashtë muaj burg dhe sapo kisha dalë. Kam marrë biletën, kam paguar hotelin dhe kam bërë regjistrimin në konferencë.
Po ashtu, më kanë njoftuar nga Shoqata e Mjekëve ORL të Turqisë se në Japoni shkojnë edhe disa kolegë të tjerë turq, mes tyre edhe dr. Xhemil Uzunbey, me të cilin kemi bërë disa kurse të kirurgjisë së veshit. Njeri shumë i mirë, ekspert i shkëlqyer.
Ime shoqe, Eminja, nuk deshi të vinte. I propozova, por nuk donte t’i linte fëmijët për një javë. Së paku kështu më tha. Nëna ime nuk ka qejf që gruaja ime të udhëtojë me mua në konferenca. Thotë se kur shkon Eminja në vende të pafeve, nuk falet me kohë. Bile, ndoshta, edhe nuk falet hiç! Mandej duhet t’ua japë dorën njerëzve.
Nëna ka mbushur të tetëdhjetat, por është ende shumë e fortë dhe e shëndoshë. Na ka rritur jetimë mua dhe vëllanë. Babai ka vdekur në aksident kur unë isha gjashtë vjeç. Pak e mbaj mend. Ka qenë drejtor i një banke. Njeri i pasur. Na ka lënë pasuri të mjaf-tueshme. Nëna, edhe pse mbeti pa burrë herët, kishte sakrifikuar rininë e vet për të qëndruar me ne dhe për të na parë teksa bëheshim unë mjek, Samiri inxhinier elektroteknike.
Nëna edhe në këtë moshë që është e udhëheq shtë-pinë. Autoritare. Krenare. Unë dhe vëllai i jemi falën-derues që nuk na ka lënë kur vdiq babai. Prandaj, nuk ia prishim, sidomos unë, se Samiri nuk jeton në Turqi. Ka emigruar në Gjermani pas martesës së dështuar. Histori e gjatë prandaj, meqë nuk është histori e imja, s’dua të rrëfej për të. Të paktën, jo këtu, në aeroplan, drejt Japonisë.
Erdhi apo s’erdhi Eminja, unë po shkoja për Japoni.
Doja të shkoja ta qetësoja kokën. Të harroja atë të çmendurin që po më çmendte edhe mua. T’i harroja ditët në burg. Ta harroja udhëkryqin e karrierës sime.
 
2. (Përndjekësi)
Kishte një vit e disa muaj që më kishte përndjekur një pacient. Kur ishte vizituar herën e parë më ishte dukur normal: burrë i ri, tridhjetë vjeç, i pamartuar, i punësuar në një firmë avokatie. Kishte një hundë me një kurriz paksa të theksuar, ankohej për frymëmarrje dhe nxënie të hundëve. Pra, dëshironte ta ndryshonte pamjen e hundës. Me një fjalë, të bënte rinoplastikë. Është në modë kohën e fundit. Unë nuk kisha shumë përvojë në operimet e tilla. Dorën në zemër, unë isha shumë më i përgatitur për operacione të veshit, qoftë të veshit të mesëm, qoftë të veshit të brendshëm, duke futur këtu edhe implantet kokleare. Ishte një kënaqësi shumë e madhe, sidomos kur kryeje një operim të im-plantit. Fëmijë dy e tre vjeç që nuk kishin dëgjuar deri atëherë, për herë të parë e dëgjonin zërin e nënës së vet, zërat plot dashuri të më të dashurve të tyre kur i thërrisnin. Kur e dije se ishe ti personi kryesor që me mjeshtërinë tënde të operimit ua kishe vendosur një elektrodë në veshin e brendshëm dhe ai fëmijë dhe familja e tij do ta mbante mend përherë emrin tënd, nuk kishte kënaqësi më të madhe. Nuk kisha përvojë të gjatë në operime të hundës, por këto operime pagu-heshin shumë. Edhe pse s’kisha shumë përvojë, kisha shumë nevojë për para dhe për të mësuar të operoj. Kështu që, vendosa ta operoja pacientin me ndihmën e një kolegu, kurse përgjegjësinë për rezultatin do ta mbaja vetëm unë.
Ditën e operacionit, kolegu im, Mesut quhet, dr. Mesuti, nuk u duk në sallë. Kishte qenë me një bark-qitje të keqe dhe nuk kishte mundur fare të dilte në punë. Pacienti, Demir e ka emrin, iu harroftë emri, ishte në sallë dhe kishte ardhur i përgatitur. Ekipi, po ashtu. U mendova gjatë, ta shtyja, të mos e shtyja, ta shtyja të mos e shtyja dhe vendosa ta kryeja operimin pa ndihmën e askujt. Bëra operacion nja katër orë të mira. Më në fund, e kreva disi.
Pas katër ditësh, kur i hoqa tamponët nga hunda e tij, pashë se perdja e hundës kishte mbetur pak anash për shkak të tamponadës së bërë. Por, pacienti nuk e vërente, merrte frymë më mirë dhe ishte i kënaqur. Kur erdhi pas tetë ditësh ta hiqte maskën, pashë se edhe pjesët e pasme të septumit ishin të shqyera, të perforuara, si i themi në gjuhën mjekësore. Ky ishte një komplikim i shpeshtë në operacionet e perdes së hundës, por unë nuk i kisha treguar pacientit, disi nuk kishim pasur kohë të bisedonim gjerësisht rreth kom-plikimeve të mundshme. Pacienti kishte nënshkruar një fletëpëlqim për operimin, në të cilën përmendeshin gabimet dhe komplikimet e mundshme.
Pos vrimës në septin nazal, pacientit i kishte mbetur edhe një asimetri në hundë. Këtu filloi pakënaqësia e tij. “E sheh doktor, është shtrembër. Po duket. Edhe e fejuara ma vërejti. Sa herë e shoh veten në pasqyrë, vërehet”. Si duket ai shikohej shpesh në pasqyrë. Nuk e kisha menduar se kishte tipa narcisoidë që, sado mirë t’i kishe operuar, mbeten të pakënaqur. Por, tani ishte vonë për ta hulumtuar profilin psikologjik të tij. Këtë hulumtim duhej ta bëja para operacionit.
Demiri, emri iu harroftë, o Allah, filloi të vinte çdo ditë të lume të Zotit në Klinikë! Orar pa orar, termin pa termin. Më përcillte nëpër rrjete sociale. Më ndiqte kur shkoja nëpër ndeja, nëpër restorante. Më thërriste kohë e pa kohë.
Një ditë i thashë se ishte bërë mjaft.
“Po unë nuk jam i kënaqur” - më tha.
“E shoh. Çka të bëjmë?” - e pyeta.
“Nuk di. Ti je mjek. Ti më bëj derman. Kam paguar tridhjetë mijë lira”.
E vërtetë. Ky ishte çmimi i operacionit. Afërsisht.
Aty e kuptova se më kishte hasur sharra në gozhdë. Mallkuar qofsh, o Mesut, që më le në baltë! Ia shpje-gova pacientit se nuk mund të bëhej asgjë pa u mbu-shur një vit nga operimi i parë. Korrigjimi mund të bëhej, do t’ia bënim, unë me ndihmën e dr. Mesutit, por jo pa kaluar një vit. Po ku merrte vesh Demiri. Kuptimi i emrit Demir është hekur. Ky, vërtet, hekur ishte nga koka. Nuk donte të priste, nuk duronte shëmtimin një vit. Donte zgjidhje. Unë e merrja me të mirë, por ai nuk kuptonte.
Si do t’i vinte halli kësaj pune?
Zoti e di.
 
3. (U mbush kupa)
Demiri u bë si rrodhja, si ajo bima e keqe që të ngji-tet këmbëve e nuk të shqitet. Secilën ditë të lume më thërriste. Filloi të vinte në klinikë secilën ditë. Ma bëri Zoti ferr edhe klinikën. Përpiqesha që t’i shmangesha por, kot, më ndiqte si gjahtari lepurin, deri te dita D.
Atë ditë, në fund të orarit të punës, Përndjekësi m’u fut në zyrë. Kërkonte zgjidhje. I shpjegova se zgjidhje do t’i bëhej por, pas një viti. I shpjegova edhe një herë se nuk bën të ndërhyhet tani, jo pa kaluar një vit kohë. E kisha dërguar edhe te dr. Mesuti, i cili ia kishte thënë të njëjtat fjalë. Po Demiri, Demir, kokëhekur. I thashë se biseda përfundoi për këtë temë dhe e luta të dilte jashtë por, nuk u bind.
“Mirë, nëse ti nuk shkon, po shkoj unë” - dhe sapo u nisa drejt derës, ma më kapi për mënge. E shtyva. Më shau me babë e me nënë. U mbush kupa. E kapa, e grushtova me grushte e shkelma derisa e përgjaka. Ishte një djall i fortë që komandonte trupin tim dhe godiste pamëshirshme gjithkund. Ndoshta edhe do ta kisha mbytur po të mos ndërhynin infermieret dhe ko-legët nga ordinancat fqinje. Atë e quan t’ia ndalnin gjakderdhjen nga hunda, kurse mua pas dy orësh më arrestoi policia. Ishte shumë e vështirë të dilje nga puna me duart me pranga.
 
4. (Gjashtë muaj burg)
Nga një mjek specialist i nderuar e i respektuar nga të gjithë, përfundova në burg. Gjykimi zgjati dy javë. Më në fund u mor vendimi: gjashtë muaj burg. Rashë në depresion, por e kalova pa përdorur asnjë ilaç. E kalova disi. Nëna u mërzit shumë. Qante pa pra. Më kishte rritur jetim. Po si nëna, shumë mërzitej edhe Eminja, e cila gjatë gjykimit e mbante kokën ulur dhe i fshinte lotët.
Në burg gardianët silleshin mirë. Ushqimi s’ishte i keq, libra kisha mjaft të lexoja, edhe vizita më bënin shpesh.
Burri me të cilin e ndaja dhomën ishte një shtatë-dhjetëvjeçar. Quhej Ahmet Kerimoglu. Ishte nga një fshat afër Dyarbakirit. Bujk, por i lexueshëm. Kishte bërë Kuranin hatme disa herë. Falej rregullisht. Gjithë jetën kishte jetuar ndershëm. Edhe në burg jetonte ndershëm.
Në burg ishte për shkak të djalit të madh, Mejdiut. Jeziti kishte blerë një revole se mendonte se një shtëpi që ka erz dhe namuz duhej ta kishte një revole. Por, dikush e kishte spiunuar. Kur erdhën ta arrestonin u tha policëve se ishte e babait. Erdhën dhe e arrestuan plakun teksa në arë mblidhte fasulen. E kishte men-duar e çmenduar dhe e kishte pranuar. Ishte dënuar një vit me mundësi faljeje. Kishte ardhur në burg, por hidhërimin në Mejdiun nuk e kishte hequr kurrë.
Një ditë, kur ishte dita e vizitës, gardiani e njoftoi se kishte vizitë. Zakonisht nuk na tregonin kush ishte vizitori. Por, axha Ahmet e luti shumë gardianin të shkonte e të pyeste si quhej personi që i kishte ardhur në vizitë.
“Njëfarë Mejdiu” - i tha gardiani.
Fytyra e axhës Ahmet u prish. Nisi të shante si kurrë më parë. Një njeri fetar, burrë plak, i matur e fisnik, doli nga binarët. Lista e sharjes u zgjatë saqë gardiani doli me një nënqeshje në buzë. Unë mbeta i shtangur.
Më kërkoi falje. Unë prapë nuk fola.
Gjashtë muaj që kaluam bashkë në dhomën e bur-gut, Mejdiu nuk i erdhi në vizitë.
 
(vazhdon)