Fatmir R Gjata - Poezi (redaktoi Angela Kosta)

Fatmir R Gjata - Poezi (redaktoi Angela Kosta)
TË FORTË 
 
Është në rrugë të dëshpërimtë, 
ku shkon robi madhështor
E provon të fluturojë, 
sa me krahë e sa me dorë.
 
Sa herë bie aq herë ngrihet, 
dhe bën fashë për plagë të nxirë
Nga gjithë rrugët e kësaj bote 
kjo është rrugë më e vështirë.
 
Atje janë honet e thellë, 
atje janë majat me borë
Fluturojnë vetëm shqiponjat, 
asnjëherë njerëz të gjorë.
 
Vetëm pengje të guximit, 
kur me vrullin djaloshar
I fshijnë lotët e shkojnë tutje, 
gjersa dhe lotët të jenë tharë.
 
Plot me frikë për të panjohur, 
plot me epsh dhe plot uri
Shkuan djemtë nëpër ca shtigje, 
me flamurin kuq e zi.
 
Ca nuk gjenden më askund, 
janë të zhdukur e të vrarë
Janë të humbur nëpër dete, 
pa një shenjë e pa një varr.
 
Mbesin fjalët që kur ikën, 
mbesin fotot ngjyrë gri
Ka një çmim çdo gjë mbi dhe, 
vlen argjend edhe flori.
 
Porse rob nuk ka të çmuar, 
gjak nuk shitet në pazar
Ikën djemtë në lule të moshës, 
në krahë të fatit lajkatar.
……………………………………………..

Redaktoi: Angela Kosta