NAUM VEQILHARXHI - HARTUESI I ABETARES SË PARË SHQIPE, MENDIMTARI DHE IDEOLOGU I KTHESËS SË MADHE KOMBËTARE
-------------------------------------------------------------
Naum Veqilharxhi është një nga figurat më të çmuara në sagën e udhës së shkronjave shqipes në epokën e lindjes së kombeve...Ai është ideologu i parë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, mendimtar i shquar, iluminist e veprimtar i shkollës shqipe. Lindi në Vithkuq të Korçës më 6 dhjetor 1797, ku kaloi fëmijërinë. Para vitit 1806 mërgoi me familjen në Rumani. Ai është hartues i Abetares së parë,që u botua në vitin 1844. Kjo abetare përmbante dhe një alfabet origjinal,
---------------------------------------------------------------
(PAK JETËSHKRIM)
Sot 226 vjet më parë ,më 6 dhjetor të vitit 1797 u lind, Naum Veqilharxhi, i njohur si Naum Panajot Bredhi. Mendimtari dhe ideologu i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, shquhet si iluminist e veprimtar i shkollës shqipe. U lind në fshatin Vithkuq të rrethit të Korçës. Në vitin 1806, familja Veqilharxhi braktisi Vithkuqin. Babai i Naumit, Panajot Veqilharxhi, me familjen emigroi në Tara të Rumanisë.
Naumi, i ndikuar nga idetë atdhetare arriti të bëhej një nga liderët e shqiptarëve të Rumanisë. Naumi atëherë luftonte për emancipimin e popullit të tij dhe për krijimin e një shteti kombëtar shqiptar Pas vitit 1829, familja Veqilharxhi ishte një nga më të pasurat dhe më të respektuarat në qytetin e Brailes, në Rumani. Më 1838, vit në të cilin të gjithë Veqilharxhët e deklaruan veten si grekë, Naumi e kundërshtoi këtë veprim dhe nuk ngurroi të pranonte origjinën e tij e të regjistrohej si shqiptar tek autoriteteve rumune.
Ishte kjo përiudha, kur ky rilindës arrin të finalizojë dhe punën e mundin e tij 20-vjeçare për krijimin e një abetareje, e cila ishte e para në llojin e saj për shqiptarët. Abetarja e parë e tij u shkrua dhe u botua në vitin 1844. Kjo abetare përmbante dhe një alfabet origjinal, por meqë ai ishte unik në llojin e tij, i vështirë për t’u shkruar dhe pa asnjë ngjashmëri me ndonjë gjuhë tjetër, nuk pati mundësinë për ta bërë popullore. Përveç abetares së tij, kishte dhe shumë libra të tjerë të shkruar në alfabetin e tij, që për fat të keq nuk kanë arritur të mbijetojnë. Kontributi i Naum Veqilharxhit kurorëzohet pas me krijimin e shoqërisë “Drita” pas vdekjes, në vitin 1848. Ai u bënte thirrje shqiptarëve për bashkim e ruajtje të identitetit të tyre qoftë fetar apo etnik, atëherë kur më shumë se kurrë perandoria osmane ushtronte presionet e fundit në trevat e banuara nga shqiptarët.
Naum Veqilharxhi - një nga figurat më të çmuara në rrugëtimin e shqipes në epokën e lindjes së kombeve-të fillimit të Rilindjes Kombëtare.
“ËVETARI”DHE ALFABETI I VEQILHARXHIT GUR THEMELTAR PËR SHKOLLËN SHQIPE
Naumi, i ndërgjegjshëm se pastrimi dhe pasurimi i gjuhës sonë është një proces pa fund, u drejtohej djemve të rinj shqiptarë: “Do të mundohi e do të vihi jo vetëm ta qëroni, por dhe sa të mundni ta shtoni.” (Parathënia e Ëvetarit, 1845).
Në përfytyrimin e tij kombëtar, ishte e qartë se njerëzimi ndahet në kombe që janë secili të ndryshëm nga të tjerët, por me të drejta dhe aspirata të barabarta. Për veçimin e kombit shqiptar prej kombeve të përparuar të Evropës, Veqilharxhi çuditet se si “ne shqiptarët jemi kaq të ndarë e të pangjajmë farëvet të tjera pa pasur fare të shkruar e të kënduar mbë gjuhën tënë. Si ka duruar kjo dora (fara) e Shqiptarit të jetë mbetur ndënë të qeshurit e botës huaj” (Parathënie).
Shkaqet e kësaj prapambetje të madhe,ai i prezanton te “Qarkorja”, ai kërkon t’i gjejë te “pushtimet shumë të shpeshta, përmbysjet e gjithanshme, ndryshimet politike dhe hyrjen e dogmave të reja fetare. Këto sollën transformimin tonë moral të tanishëm, por sidomos lënia pas dore e lëvrimit të gjuhës dhe zëvendësimi i saj me një gjuhë të huaj, na sollën në gjëndjen më të ulët të turpit ku ndodhemi”. Naumi i këshillon shqiptarët se “vetëm me punë mund të dalin nga gjëndja e mjeruar, por gjithmonë duke vënë theksin mbi arsyen si parimin themelor që karakterizon njeriun”. ( Letra).
Në parathënien e abetares së vitit 1845, Veqilharxhi dëshmon se “ka sakrifikuar kaqë gjëmë kohë aty e 20 vjetë, për shkronja dhe libra të shqipes”.
Naum Veqilharxhi pa me kthjelltësi se sipas këtij plani, shqipja vërtet shkruhej dhe lëvrohej, por ideja e krijimit të kulturës shqiptare nuk realizohej dhe, për më tepër, shqiptarët do të vijonin të ishin të ndarë sipas feve, ose më mirë sipas alfabeteve.
Alfabeti i Naumit kishte 33 shkronja origjinale, që u përshtateshin plotësisht veçorive fonetike të gjuhës shqipe. Këto shkronja për dekanin e albanologjisë J.G.Hahn nuk ishin primitive dhe të vrazhda, por të punuara me estetikë dhe stil elegant.
Por abetarja është veçse fillimi. Siç rrëfen vetë, Veqilharxhi iu fut punës për të shkruar tekste në gjuhën shqipe, të cilat do të shërbenin për të hedhur bazat e arsimimit dhe shkollës shqipe. Me mësimin e shkrimit dhe leximit në gjuhën amtare, mundësohej jo vetëm përparimi individual, por edhe ai i kombit: “Fare lehtë mund secili të njohë lehsinë (lehtësinë) që ka çdo farë (komb, racë) e njerëzve të mësojnë të mësuarit mbi gjuhë të vet” (Parathënie).
Shkollat në gjuhën amtare janë një domosdoshmëri e çdo programi nacionalist, sepse në to mësohet jo vetëm gjuha, por u jepet brezave të rinj ndërgjegjja kombëtare me anë të njohjes së historisë, gjeografisë dhe kulturës së kombit, apo siç i thotë Veqilharxhi të nipit, kombi shqiptar mëson për “shekujt e tij mitologjikë, heroikë, politikë dhe fetarë, të shpërnguljeve dhe të rivendosjeve të tij” (“Letra”). Paralajmërimet e të nipit grekoman për të hequr dorë nga misioni i shqiptarisë nuk kishin kurrfarë ndikimi tek Veqilharxhi: “nuk ka këshillë më të keqe nga ajo që e shtyn njeriun të mohojë kombin e vet” (“Letra”).
Veqilharxhi u jep lexuesve të qarkores argumentin se mungesa e vetëdijesimit kombëtar te shqiptarët ka bërë që ata të punojnë jo për vete, por për të mirën e kombeve të tjerë: “ato kombe që mbetën në padije, u shëmbëllejnë thjesht skllevërve, duke punuar çdo ditë për begatinë e kombeve më të qytetëruara dhe më të fuqishme” (Qarkorja).
Gjendja e mjeruar e kombit në fillimet e shek. XIX përballohej me optimizëm nga Veqilharxhi. Ja si i shkruan ai të nipit: “Duket se nuk e ke kënduar kurrë historinë e fisit njerëzor që të shohësh se kurrë kombet nuk kanë filluar menjëherë, por njëri ka filluar pardje, tjetri dje, tjetri sot dhe tjetri nesër; fundi i fundit një ditë do të fillojë edhe ky.”
Naum (Bredhi) Veqilharxhi ,është ideologu i parë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare,që e vlerësonte kombin shqiptar plot gjallëri e me virtyte që kishin bërë të mundur mbijetesën e tij në shekuj. Por për të shkuar më tej se sa mbijetesa, ajo që nevojitej sipas tij një moral i ri udhëheqës: vetëdija kombëtare. Arsyeja pse ai i mëshon kaq shumë arsimimite dëshmon thirrja e tij: “Shtrëngohi të mësoni e të shtoni (shtoni dijen) se është e ditur që frymët e Shqiptarëvet, veç që mendjen e kanë të hollë e të mprehtë nga të lerturit (lindja, natyra) e tyre, që mund pa frikë të them se, nukë vetëm arrijnë, po edhe shkojnë shumë farë njerëzve (kombeve) të tjerë” (Parathënie).
Rreth 30 vjet pas vdekjes së tij, u themelua në Stamboll “Shoqëria e të shtypurit të shkronjave shqip”. Në hyrjen e dokumentit të saj themeltar, mbështetur kryekëput mbi porositë e Naumit, theksonte: “Të gjithë kombet e arsimuara u qytetëruan me shkrime në gjuhën e tyre. Çdo komb që nuk shkruan gjuhën e vet dhe nuk ka libra në gjuhën e tij, gjendet në errësirë dhe barbari”.