CIKËL POETIK NGA DHURATA KASA HAXHIU
Dhurata Haxhiu Kasa u lind më 23 dhjetor 1971 në qytetin e Peqinit të rrethit Elbasan. Ajo është vajza e vogël e intelektualit të njohur Profesor Shaban Haxhiut, dekoruar me Urdhërin “Naim Frashëri”, si dhe mbesa e Kadi Sabri Haxhiut, shkolluar për drejtësi në Selanik dhe Turqi. Shkollën 9-vjecare dhe të mesme e kreu në Peqin. Në këtë kohë frekuentonte në mënyrë intensive bibliotekën e qytetit duke qënë një ndër lexueset me kartelën më të plotë. Studimet e larta i vazhdoi në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan në degën Gjuhë-Letërsi, cikël i plotë. Pas disa vitesh vazhdoi një universitet të dytë, Universitetin Filologjik të Tiranës në drejtimin Master Shkencor, drejtimi "Teori dhe Kritikë Letrare”, të cilin e përfundoi me vlerësimin maksimal.
Në karrierën e saj profesionale si mësuese në degën gjuhë - letërsi, fillimisht u emërua në Peqin e më pas u transferua në Tiranë ku punoi në Vorë e më pas u emërua në disa gjimnaze si Liceu Artistik, “Jordan Misja”, në gjimnazin “Arben Broci”, në gjimnazin “Myslym Keta” e së fundi ushtron funksionin e Zv. Drejtores në gjimnazin “Andon Zako Cajupi”. Në vitin 2022 mbaroi shkollën e drejtorëve në programin “Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar” (CSL). Dhurata Kasa e ushtron profesionin e specialistes së gjuhë - letërsisë prej 22 vitesh duke marrë pjesë edhe në procesin e monitorimit të Maturës Shtetërore në Qendrën e Shërbimeve Arsimore Shtetërore.
Në vitet e gjimnazit literatura që lexonte ishte e njohur por ajo lexonte edhe disa libra të ashtuquajtur në ato vite libra të ndaluar "të verdhë” që i binin nën dorë. Në këto vite fillon të shkruajë poezitë e para. Pas viteve ’90-të, tenton të botojë ndonjë shkrim informues. Pas viteve 2010 varion të botojë poezi të ndryshme dhe vetëm në vitin 2022 boton përmbledhjen poetike “Kambanat bien edhe për Dashurinë”, nga shtëpia botuese “ Nacional” me rreth 190 poezi të përzgjedhura, të cilat përmbledhin krijimtarinë poetike më të mirë ndër vite. Poezitë e këtij vëllimi i përkasin viteve të para, një pjesë e vogël dhe poezitë më të mira të dhjetë viteve të fundit. Me një kritikë nga Nadire Buzo një ndër studiueset kririke të Ismail Kadaresë, ky vëllim u mirëprit nga lexues të shumtë.
Gjithashtu në dy gazetat periodike më të mira letrare si “Nacional” dhe “Ex Libris”, vazhdon botimin e disa kritikave letrare mbi krijimtarinë e autorëve tanë si: Lasgush Poradeci, Haki Stërmilli, Luixhi Pirandelo, Ernest Heminguej, etj. Në këto kritika letrare autorja trajton nga një këndshikim unik specifik të pavëna re më parë duke u bazuar në teori të ndryshme letrare si ajo e Sosyrit, Rolan Barthes, etj.
Një vend të veçantë në shkrimin gazetaresk të autores Dhurata Kasa, zënë edhe shkrimet sociologjike si dhe opinionet në gazetat: “Shqip”, “Portali shkollor”, “Qendra Press”,”Fjala e lirë”, etj, ku mund të përmenden “Roli i intelektualit përtej syzeve të anësimit” , “ Tërheqja, si fuqi e femrës inteligjente”, “Shkolla e Drejtorëve një filozofi e re në drejtimin e arsimit shqiptar”, “Nuk ka njerëz më të guximshëm se mësuesit” “Getë dhe principet Faustiane", etj.
Në vitin 2024 autorja Dhurata Kasa botoi romanin “Granti”, pjesa e parë në shtëpinë botuese “Toena”. Promovimi i romanit u bë në Panairin e Librit 2024. Romani u prit mirë nga lexuesit dhe sot vazhdon të jetë në libraritë kryesore në Tiranë dhe në disa rrethe.
LËMI!
Kashta të mbetura,
të djegura,
të pambledhura,
të harruara,
të lëna.
Kullotë rreth vetes,
rrinë kujdesshëm në duar,
janë besniket e rrënjëve.
E kqyr lëmin tim,
është i bukur si fusha e verdhë e Van Gog,
por pa pikturë,
me grica mendjeje dhe shpirti,
në mur,
në gur,
në qiell.
Pastaj qielli i hodhi shi,
si pamundësi apo prag,
Ato besniket e dheut,
të papranuarat e fabrikës,
që do plugohen me pllajat e lopatës,
janë fat i parathënë i Kasandrës,
janë thjesht riciklimi i pashmangshëm i hakut.
Lëmi i njeriut si orët e Fishtës,
kujdesesh për të,
flet me të,
të vjen keq për të,
qan për të,
vrrin për të,
ai kqyr mbi ty,
një bujashkë paska mbet nga lëmi në prag dimri.
Plugu i lëmit shndrrin nga humusi i kashtave nën to,
po nis vallja e tyne nën tokë,
mohue mbi të,
ndryshe rilindje është,
e s'ka më!
AJO QË NDJEN AI!
Është një dridhmë që veç ajo e ndjen,
një hijerëndë në ecje me male indikancash në sy,
por në brendësi mali bie!
Ra atëherë kur u shkel vetmia,
kur yjet qanë mbi të për atë që ai pa mbi të,
e ndërsa vegimet shekullore,
i kishin parathënë tjetër gjë!
Shikimi tij drejt pa ekuivoke,
mbi mallkiimet më të mprapshta,
mallkimin për të ecur me hapat e saj të lehtë
por enigmatikë që zgjuan perënditë brenda tij,
mallkimin për të shkelur shtegun e saj të ngushtë
me fshehtësira që dritohen pas çdo shkelje,
mallkimin për të shkundur edhe pëshpërimat e saj
mbi një tavëll që mbushet me hirin e mbetur pas djegies së natës,
mallkimin për sytë e gjorë pas rënies së lotit
që e lëshon me dhimbje mbi duart e tij të fuqishme.
Ajo që ndjen ai është kaq e fshehtë sa duket sikur nuk është,
nuk është as nën pallton e zezë që hedh krahëve,
nuk është as nën mjegullën që si shall rreth grykës i bëhet,
as në fjalët që me bijëzën xheloze thotë,
as në të gjitha vitet e tij.
Ajo që ai ndjen është veç tek ajo,
me parfumin e durimit lyer çdo kohë,
sepse ai ishte një portret i ngrirë në kohë,
që lindi veç për të pikërisht në akohësi,
që kur lindi fjala fisnikëri.
Ajo që ai ndjen është një tingull i kompozuar veç një herë,
diku në dhomën e errët të Bethovenit të mjerë,
e cila e trand në çdo sekondë,
në të gjitha frymëmarrjet e tij,
dhe të sajat,
në dukje një burrë,
që është në këmbë drejt si një staturë,
që hesht me shumë fisnikëri,
për atë që ndjen,
që fjalën të dua nuk e tha kurrë,
për këtë ia vlen!
Ndaj ajo që ai ndjen është kaq hyjnore
sa dhe fjala nuk e ka zhvirgjëruar ndjenjën e tij,
betuar në njëmijë perëndi,
për heshtje dhe fisnikëri,
sepse ai është vërtet një "burrë"!
MOSPREKJA!
Është e djelë,
në fakt të dielave të dua më shumë se të kam përballë,
ndërsa në ditë të tjera jemi thjesht në krah.
I çuditshëm ky mall kur veç këndi i ndenjies na ndan,
në flokë nuk të prek se malli trembet dhe ikën,
as fjalë nuk të citoj, as një varg nga Omar Khajam,
veç shikoj imazhin tënd të shtrirë me cep të syrit
ku qepallat mbajnë mallin që lëkundet si në një kolovajsë.
Po ç' them dhe unë,
veç dorën po të zgjat mbi tënden fytyrë,
ja veç kaq,
jo, jo, mes pëllëmbës sime dhe ballit tënd malli shijon tymin e cigares,
kaq brishtësi mes nesh se fjalët i mbollëm në avion a rrugë,
tashmë këtu në dhomën e ndenjies ka veç frymë,
ti që mendon për mua dhe unë për ty në një tjetër udhë.
Është kaq i madh meraku sa thellë e kemi fshehur në njëmijë hone thellë,
të gjitha i kemi thënë në një tjetër kohë,
atëherë kur unë qeshja dhe ti më qortoje,
edhe tani ashtu është,
unë qesh ti më qorton se këndi është shumë i madh
dhe malli sa një kanion.
Malli dhe prekja që kurrë s'u bënë një puthje,
nëse njëri vjen tjetri ndryshon udhë,
në mosprekjen time jam kaq e marrë,
në mohimin tënd veç një fjalë,
je krejt i marrë!
Të gjitha hyjnoret janë një mosprekje,
se brenda ka dhimbje, dashuri dhe gjendje,
veç malli është gjatësia e cikjes,
së shpirtit dhe shpirtit,
nga një kënd në tjetrin cep,
nga gjithësia thellë diku në një vend.
Në ca shikime më ikën e në disa iki unë,
larg, shumë larg,
mbase si vjedhacake drejt botës tënde
shtroj mallin tim aty ku kam lënë gjurmë,
ku kam shkelur thellësitë,
ku jam rrëzuar,
ku jam vrarë,
edhe ku jam ngritur.
Sonte le të vdesë prekja,
të ngrijë në përjetësi
mallin e kam në duar, në sy në trup,
le të qëndrojë ndër ne,
në majat e gishtave të mi,
shtrirë në kohë,
drejt teje.
Përgatiti: Angela Kosta Drejtore Ekzekutive e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese