Miftar Tërshnjaku, për atdhetarin Abedin Lepraj

Miftar Tërshnjaku, për atdhetarin Abedin Lepraj
KOLOSIT TË ÇËSHTJES KOMBËTARE
(Abedin Lepraj)
 
Mos e prek lirinë as kombin shqiptar
Foli Abedini n’mes popullit shqiptar
Jem gjak arbërorë farë e Skënderbeut
Gjithmonë do t’ia ruaj kufijtë e atdheut.
 
Lindë e burrërua në bjeshkët e Sharrit
Jam rritë me fjalë t’besës e zemër luani
Në ketë tokë të lasht n’truallin e Ilirisë
Gjithmonë do t’i mbrojë kufijtë e shqipnisë.
 
T’pa thyeshëm në fjalë t’pa  mposhtur në shpirt
Do t’qëndrojmë ballëhapur me flamur t’lirisë
Nuk shembet kalaja e fortë shkëmb e gurë
Bash si qëndron shqipja krenare n’flamur.
 
Derisa t’jet jeta e të rrojë kjo botë
Do ta ruaj në shpirt stemën Kastriot
Do t'i ruajmë shkronjat shqip në Abetare
Ato na bashkojnë gjithë trojet shqiptare.
 
Zemra do t’me rrah gjithmonë për bashkim
Edhe pse m’shkoj jeta mua në mërgim
Flamuri kuqezi do t’valoj n’Shqipni
Filluar nga Plava e deri n’Çamëri.
...............................................................
 
Kush ish Abedini
 
Abedin Lepraj, ishte një figurë e shquar atdhetare nga Plava e Opojës. Ishte një nga emrat që lidhin historinë e shqiptarëve me angazhimin dhe luftën për çështjen kombëtare dhe mbrojtjen e identitetit shqiptar. Ai u angazhua për atdheun dhe për çështje kombëtare që në moshë të re, duke u dalluar si një intelektual i shquar dhe një atdhetar i pasionuar.
Abedini ishte një student i përkushtuar i gjuhës frënge, i cili studioi në Francë, ku thelloi njohuritë e tij dhe mori njohuri për kulturën evropiane. Gjatë viteve sa qëndroj në Francë, ai nuk e humbi kurrë lidhjen me atdheun dhe problemet që shqetësonin popullin shqiptar. Ishte gjithmonë i gatshëm të ndihmonte bashkatdhetarët e tij që kishin pyetje rreth çështjeve kombëtare dhe u bë një mbështetës i fuqishëm i literaturës dhe kauzës kombëtare shqiptare.
Një nga arritjet më të mëdha të Abedin Lepraj ishte angazhimi i tij në zbulimin e helmimeve që po u bënin nxënësve shqiptarë në Kosovë nga regjimi serb, një ngjarje që ai e zbuloj përmes Dr. Benedetit. Ky angazhim e bëri atë një figurë të rëndësishme në luftën për të drejtat e shqiptarëve dhe për mbrojtjen e popullatës nga regjimi kriminel serb, që në atë kohë përdorte metoda brutale për të shuar çdo formë të kundërshtimit të veprimeve të tyre antinjerëzore.
Përveç angazhimeve intelektuale dhe patriotike, Abedini ishte një njeri i thjeshtë dhe komunikues, gjithmonë i gatshëm të ndihmonte të tjerët. Ai ishte një model për shumë të rinj, duke u treguar atyre se si mund të kombinohen edukimi dhe dashuria për atdheun.
Për fat të keq, Abedin Lepraj e mbylli jetën dhe karrierën e tij tragjikisht në Francë, i vrarë nga dora e kriminale serbe. Vdekja e tij mbeti një simbol i sakrificës që ata që luftojnë për çështjen kombëtare janë të gatshëm të bëjnë punën e tyre atdhetare e kombëtare, edhe në kushtet më të vështira. Sidoqoftë, angazhimi i tij dhe idealet që ai mbante për Shqipërinë dhe shqiptarët do të mbeten të paharruara dhe frymëzuese për brezat që vijnë...
 
Autor: M. Tërshnjaku