Angela Kosta shqipëron vargjet e poetes kroate Danijela Ćuk.
Danijela Ćuk ka lindur në 1989 në Vukovar - Rijeka (Kroaci). Poezitë e saj, janë botuar në dy volume me titujt: “Pozitiv për Jetën” dhe “Forca e Dashurisë”. Gjithashtu ka marrë pjesë në trembëdhjetë antologji së bashku me poetë të tjerë. Ajo i përkushton kohë Shoqatave vullnetare të cilat ndihmojnë familjet e varfra.
LUCIA
Lucia ime e vogël,
gjithçka në jetë kalove
me sfida të vështira u ndeshe
por veten kurrë nuk e le të mposhtet.
Je kaq e re,
akoma e parritur
gjithçka të mundon
por buzëqeshjen
aspak nuk e fike.
Shkëlqimi i jetës kaq i veçantë tek ty,
luftëtare je
e jo vetëm për veten
ndaj këtë dua të gjithë ta dinë.
Qëkur erdhe si dhuratë në këtë botë,
u bëre lulja ime më e bukur,
drita ime je, gjithçka e imja
ti nuk e di sa shumë të dua.
Je forca ime,
e ëmbël dashuri
engjëll i krahëve të mi,
më e bukura në botë.
Gjë tjetër nuk dëshiroj
veç zemra të të ndriçojë
gjithmonë porsi një yll,
sepse luanesha ime e vogël je.
Dhe kur të rritesh një ditë
forca ime e jotja do të jetë
gjithmonë pranë do të më kesh,
dashuria ime,
sepse vetëm nëna di ta dashurojë,
vajzën time të vogël
që rrezaton si dielli i artë.
Përktheu nga kroatishtja:
Angela Kosta, shkrimtare, poete, publiciste dhe
Zv. Kryeredaktore në gazetën Albania Press.