GOTAT BOSH
Mbusha dy gota me verë mbrëmë
për të larguar vetminë e trishtë,
ti ndodhesh shumë larg nga ky vend
por zemra ime të do ngjitur fizikisht.
Kam pirë e kam folur me ty mbrëmë
pastaj vazhduam ëndrrën gjithë natën,
vazhduam gjërat që përgjysmë kishim lenë
e trupat i dogjëm si qirinj, që kurrë s’ i patëm.
Dy gota me verë i mbusha mbrëmë,
për t u kënaqur nga larg të dy, ashtu si kot...
Nuk piva asnjë pikë..., natën e kalova në këmbë
por sot në mëngjes për çudi, gotat i gjeta bosh!
JO VETËM PËR FESTË
Sonte lërja erës flokët në dorë,
të vallëzoj me to e t'i bëj lule fushe!
Parfumin zgjidhe nga çaji mbi Tomorr,
trëndelinat zgjidhi për medaljon gushe.
Vishu sa më thjeshtë ti sonte për mua,
lër ca hire jashtë, t'më shtosh pakëz jetë!...
Unë do pi pa merak te krojet e tua,
pastaj do derdhem në ty, si Drini në det...
Si pyjet e Amazonës do çelësh pas shiut,
nuri yt do lëviz edhe të vdekurit në varr,
do shkrijë edhe Oqeani i Ngrirë i Veriut
pastaj do kemi lule, degë edhe lastarë...!
HËNËN PO E HANË MINJTË
Hëna u shkëput nga qielli
dhe si një meteor
me fruta të ndezura,
ra në një cep të tokës...
Në vendin tim,
nuk e shijuan njerëzit...
U mblodhën bashkë minjtë,
e masakruan, e zhdukën, e vodhën!