Mimoza Agastra – Gjarpri dhe Mollëkuqja (Redaktoi Angela Kosta)

Mimoza Agastra – Gjarpri dhe Mollëkuqja (Redaktoi Angela Kosta)
MIMOZA AGASTRA
 
Mimoza Agastra ka lindur në 1974, në qytetin e Krujës. Fëmijëria e saj ka kaluar përmes interpretimeve dhe angazhimeve në drejtimin e spektakleve për femijë. Studimet e larta i ka kryer në Fakultetin e shkencave Sociale, dega Punë Sociale. Pas përfundimit të studimeve ka punuar pranë shkollës speciale “Luigj Gurakuqi”, si punonjëse sociale. Më pas kreu studimet dy - vjeçare pasuniversitare në Bibliotekonomi, për t'u punësuar më pas në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, si drejtuese e kësaj biblioteke, ku nuk ka reshtur me specializime të mëtejshme në këtë fushë.
Vitet e fundit ka investuar talentin e saj si aktore në teatër, por edhe si moderatore për emisione të ndryshme për fëmijë e të rritur, në radio të ndryshme.
Përmes platformës së saj Zëri Endrrës dhe Zëri Engjëjve promovon në Youtube, facebook, instagram e linkedin, autorë të ndryshëm duke u interpretuar poezi apo përralla dhe duke ua ofruar në formën e videove dhe animacioneve të ndryshme, por pasioni i vërtetë i saj është arti i të shkruarit e të krijuarit. Mimoza është marrë me analiza letrare, recensione, ese, tregime, novela e romane. Disa prej parathënieve të saj zbukurojnë libra të autorëve të ndryshëm shqiptarë. Së fundmi është botuese edhe në Antologjinë letrare me poetë të ndryshëm “Gjurmë Penash” Nr 1 dhe 2 përgatitur nga Rifat Ismaili. Mimoza është autore e librit me përralla për fëmijë: "Princesha dhe larva", botuar në nëntor 2023, nga Shtëpia Botuese "Fast Print". Ajo lëvron me sukses në fushën e prozës për të vegjël e për të rritur, esesë si dhe studimeve të ndryshme. Romani ”Ajri, Dielli, Hëna”, është libri i dytë i autores. Së shpejti në projektet e saj janë shumë libra për fëmijë e të rritur në gjininë e prozës dhe të esesë.
 
PËRRALLA - GJARPRI DHE MOLLËKUQJA

Buzë një liqeni të mbuluar me zambakë uji, me një bukuri marramendëse, na kishte zgjedhur të jetonte mollëkuqja jonë e cila shquhej për mirësinë e saj. Ajo herë futej në farat e lules e herë ngjitej e zbriste mbi pistilin e saj. Ndodhte që gjumi e zinte në petalet e zambakëve të bardhë dhe zgjohej nga lëvizja e rrymave të ujit. Ky ishte rituali i ditës së saj. 
Një ditë teksa flinte ndjeu një lëkundje të pazakontë, sikur vinte nga thellësia e liqenit dhe jo nga puhiza që leviz petalet e zambakëve. Mendoi të rrinte e strukur, pa u ndjerë, për të pikasur se çfarë po ndodhte.
Sapo mbylli sytë, ndjeu një gjuhë të hollë që iu afrua duke e ledhatuar. Mollëkuqja u tremb, por nuk lëvizi. Më pas lëvizja e zambakëve u intensifikua. Ato u larguan nga njëra- tjetra dhe liqeni mori ngjyrën e vet jeshile të errët, gati- gati të frikshme për të qëndruar në të, sepse bimësia e nënujshme ishte aq e zhvilluar sa brenda saj kishte dhe mister.
Kur hapi pakëz sytë, mollëkuqja jonë vuri re një gjarpër që ishte varur në dy zambake, e mbante kokën të varur tek “ Zambaku Shtëpi” e mollëkuqes dhe bishtin tek nje zambak tjetër.  
U frikësua edhe më shumë, por kur u panë sy në sy, s'iu duk dhe aq i frikshëm.
Një çast fluturoi dhe i hipi mbi kokë.
- Sa e bukur ishe! Pse lëvize? Je aq e brishtë sa s’do të mund të të bëja keq, por ajo e dinte që ai ishte grabitqar.
- Po të doje, do të më kishe ngrënë me kohë, por unë tek ti shoh një zemër të brishtë. Ti ke një trup të madh, por me zemër të butë, ndërsa unë kam një trup të vogël, por me zemër të fortë. Fuqia s'qëndron te përmasat fizike.
Këto fjalë e futën në mendime gjarprin i cili tha:
-Po më merr me të mirë, kështu? Mendon se jam aq budalla? S’të hëngra se s’jam aq i uritur e për më tepër që je aq e vogël sa s’më mbush asnjë dhomëz të stomakut tim. E ç’ më duhesh ti mua? Ti nuk vlen për asgjë. Je gjallesa më pa vlerë që më kanë zënë sytë. S’mund t'ia lejoj vetes të bie kaq poshtë sa të mas forcat me një si ti, - dhe u largua i dehur nga mendjemadhësia e tij.
Mollëkuqja u mërzit shumë e fluturoi që andej duke menduar të mos kthehej më kurrë aty.
Sa keq u ndje nga poshtërimi i gjarprit, ndërkohë që edhe ajo kishte shumë mundësi të fliste për të gjitha pabesitë dhe poshtërsitë e tij, por zgjodhi të heshtte përballë ligësisë së tij, jo pse kishte frikë, por sepse besonte që koha do të tregonte se ajo vlente.
Ditët kaluan dhe mollëkuqja nuk u duk më mbi zambakët e liqenit dhe ato e kishin ndjerë mungesën e saj e të shqetësuara pyesnin njëra - tjetrën:
- Mos vallë mollëkuqja, ka ngordhur? Ku të jetë vallë? Ajo kishte ngritur shtëpinë e saj këtu.
- U bënë shumë ditë që s është. Ndoshta ka zgjedhur një tjetër vend edhe më të bukur. - thonin mes tyre.
Ndërkohë që bisedonin me njëra - tjetrën, një gjarpër rrëshqiti mes petalesh të tyre dhe fërshëlleu me krenari.
- A thua ti e ke ngrënë mollëkuqen tonë, sepse që atë ditë që ti e përbuze ajo është larguar.
- Vërtetë kaq i keq ju dukem unë? Unë jam ndryshe nga gjarpërinjtë e mi kushërinj, i tha gjarpri dhe u largua i dëshpëruar.
Në të ikur buzë liqenit u ngatërrua keq me rrënjët e zambakëve ku rrezikonte të ngordhte pasi koka e tije tij kishte ngecur si në një lak. U përdrodh disa herë, por edhe pse rrëshqiste në përpjekje për t'ia dalë nuk mundi të shpëtonte, madje laku po e ngushtonte gjithnjë e më shumë, aq shumë sa sytë iu zmadhuan e gati po ngordhte. Lëshoi një piskamë dhimbjeje që u dëgjua anembanë. 
Mollëkuqja e dëgjoi e instiktivisht, fluturoi në drejtim të zërit që lëngonte dhe u afrua, kur ç të shikonte?
Gjarpri që e kishte bërë të ndihej aq keq dhe që e kishte poshtëruar, ishte në dorën e saj për ndihmë... Kur e pa, iu afrua dhe i tha:
- Mos u tremb, ti je i fortë!
- Zemra po më lë, - i tha gjarpri, ndaj përpara se të ngordh, lejomë të të kërkoj falje.
- Çfarë thua - i tha mollëkuqja, ti nuk do të ngordhësh. Do të të ndihmoj unë.
- Po si? Pastaj, unë as që e meritoj.
- Lëri këto se s'kemi kohë! - i tha mollëkuqja. Më lër të mendoj një zgjidhje, por së pari mendo që zemra jote është në mes të trupit tënd që është i lirë nga laku, që domethënë ajo rreh shumë mirë, ndaj rri i qetë.
Ai e shikonte me lot në sy e shumë i penduar.
- Më prit këtu!- i tha mollëkuqja dhe u largua e shqetësuar.
- Pas pak sekondash u kthye bashkë me lejlekun. Gjarpri kur e pa u frikësua se mollëkuqja do të hakmerrej dhe i tha:
- Më mirë të më lije të vdisja këtu se të kullufitesha nga lejleku.
- Hesht!- i tha mollëkuqja. Ne s'jemi si ty. Kur dikush ndodhet në vështirësi, ne e ndihmojmë pa kushte, pavarësisht kush është ai, miku apo armiku yt. Arma jonë e hakmarrjes është drejtësia dhe mirësia. Kush gabon e pëson. Ti sot e more mësimin tënd ndaj jam e bindur që nuk do e përsërisësh më paskëtaj.
Në çast lejleku e zhyti sqepin ne thellësinë e liqenit dhe si turrjele e liroi lakun nga qafa e gjarprit dhe e ngriti në ajër gjarprin me sqepin e tij të gjatë dhe e afroi pranë mollëkuqes e cila po rrinte në ankth.
Gjarpri nga turpi nuk dinte ç'të bënte. Me zë të lodhur por edhe i turpëruar i kërkoi falje mollëkuqes dhe e falenderoi lejlekun shpëtimtar. Që nga ajo ditë gjarpri dhe mollëkuqja lidhën një miqësi të pandarë.

Redaktoi: Angela Kosta