POETJA IRMA KURTI BOTON LIBRIN
“GUARDO IL SOLE DIETRO LA FINESTRA” (SHOH DIELLIN PAS DRITARES)
Botohet libri i 26-të në gjuhën italiane i poetes Irma Kurti nën logon e shtëpisë botuese “Ivvi Editore”. Imazhi i kopertinës është i fotografit Biagio Fortini.
Irma Kurti, poete dhe shkrimtare italo-shqiptare, me këtë përmbledhje të re vërteton në mënyrën më të bukur pastërtinë e emocioneve, që shënojnë shpirtin dhe zemrën e qenieve njerëzore të çliruara nga kufizimet egoiste, ndërsa zemra e saj poetike ndriçon si diell i vërtetë. Ajo shkon një hap më tej, sepse me vargjet e saj të bukura dhe të sinqerta që prekin drejtpërdrejt zemrën e lexuesit, i përgjigjet gjithashtu edhe pyetjes nëse është e mundur të shkruash e të thurësh poezi në një gjuhë tjetër, përveç gjuhës amtare. Një argument delikat ky, siç është vetë përpjekja poetike, por e arrirë me sukses në rastin e Kurtit.
Poezia e saj është e pastër, e thjeshtë dhe e bukur në sinqeritetin e saj, aq bindëse, sa prek menjëherë telat e zemrës me një lloj “naiviteti”, pikërisht atë që kanë vetëm fëmijët dhe poetët.
Në të vërtetë, në vargjet e Kurtit gjithçka duket e thjeshtë dhe e lehtë, po ndërkaq, të shkruash poezi në një gjuhë tjetër, është një përpjekje herkuliane apo një mundim si ai i Sizifit. Pra, një punë e vështirë, intensive, asnjëherë e vlerësuar sa duhet nga vetë folësit e gjuhës amtare, por prapëseprapë një mënyrë e çmuar për të pasuruar si shpirtin human, ashtu edhe atë “kulturor”, që na përket sipas zgjedhjes, rrjedhës së ngjarjeve, jetës e kështu me radhë.
Fati i poetëve dhe shkrimtarëve që shkruajnë drejtpërdrejt në gjuhë të ndryshme nga e tyrja dhe, në këtë rast, fati i Irma Kurtit, lidhet me mundësinë e përftimit të dualizmit të imazheve poetike, pasurive gjuhësore, mënyrave e metodave të ndryshme dhe, për rrjedhojë, gjithmonë të reja dhe intriguese, për të shprehur veten e për t’u shprehur në përgjithësi. Në këtë mënyrë zgjerohen dyfish edhe horizontet poetike përmes temave, ritmeve, traditave të trashëguara nga kultura e origjinës dhe të përfshira në skemat e reja poetike e gjuhësore. Me pak fjalë, shpirti poetik rritet, njëkohësisht duke u ndarë në mënyrë krijuese.
Vargjet e Kurtit udhëtojnë poetikisht në dy binarë kryesorë: në të parin mbizotëron tema e vetmisë dhe, si rrjedhojë, ajo e tjetërsimit njerëzor që shihet përmes kaleidoskopit poetik të shpirtit të vetmuar të poetes. Binari i dytë poetik i përmbledhjes, më i ndjeshmi dhe më prekësi që përshkon gjithë poetikën e Kurtit, ka të bëjë me përshkrimin e trishtimit dhe humbjes personale, me shpirtin që pikon dhimbje. Në fakt, e gjithë përmbledhja i kushtohet kujtimit të prindërve, tashmë engjëjt mbrojtës, të cilët janë larguar në një tjetër dimension, prej nga ende i frymëzojnë ndjenja të thella dhe unike poetes, duke vëzhguar gjithmonë çdo hap lirik të sajin.
VESNA ANDREJEVIC, shkrimtare dhe kritike letrare