Poetesha italiane, presidente e konkurseve letrare në Itali,
Rosy Gallace flet për Revistën “Orfeu”
Irma Kurti interviston poeten e njohur italiane Rosy Gallace
Rosy Gallace ka lindur në Guardavalle në provincën Catanzaro të Kalabrisë dhe jeton në Rescaldina të Milanos. Që në rini ka kultivuar pasionin për të shkruar poezi dhe tregime. Në vitin 2011 fillon të marrë pjesë në konkurse letrare kombëtare e ndërkombëtare duke u vlerësuar me çmime të shumta dhe prestigjioze përfshirë Çmimin e Kulturës në 2014.
Rosy Gallace është ideatore, organizatore dhe Presidente e disa Konkurseve Letrare. Ka botuar librat me poezi: “Fragmente të vogla”, “Ditët e mbetura”, “Fjalët e pathëna”, “Gjurmët e kujtesës”. Ka marrë pjesë e ka bashkëpunuar në prezantimin e Operës Teatrale “Hije të kujtesës munduese” të shkruar dhe drejtuar nga poeti, shkrimtari dhe regjisori Fabiano Braccini në kujtim të viktimave në kampet e përqendrimit nazist për të cilën është gjithashtu Sekretare, prezantuar në Teatro të ndryshme italiane.
IRMA KURTI: A mund të na bëni një prezantim tuajin të shkurtër?
ROSY GALLACE: Kam lindur në një fshat të Kalabrisë: Pietracupa, një fraksion i vogël i Guardavalle (Catanzaro) dhe në familje jam fëmija e katërt (jemi 3 djem dhe 3 vajza). Kam qenë dhe mbetem një tip i shoqërueshëm, e gjallë, plot energji, kurioze dhe përherë në lëvizje, megjithatë, më ka shoqëruar gjithmonë një lloj melankolie e lehtë, e cila është edhe tani mikja ime e vetme.
Në vitet '60 familja ime u transferua në Legnano në provincën e Milanos, ku studiova dhe punova në një Ent Publik deri në vitin 2004, kur arrita moshën e pensionit.
IRMA KURTI: Si dhe kur filloi pasioni juaj për të shkruar?
ROSY GALLACE: Fillova të shkruaj poezi qysh në vitet e rinisë. Giovanni Pascoli e Giacomo Leopardi ishin poetët e mi të preferuar, për të mos folur pastaj për Jacques Prevert. Më pëlqen edhe Neruda për metaforat e tij dhe profeti Khalil Gibran, të cilin e adhuroj dhe nuk resht së lexuari sa herë që më jepet mundësia; di përmendësh disa nga krijimet e tij.
Kur isha vajzë, ndodhte që në çdo dhomë: nën një llambë, në komodinë, në tryezë, nëna ime gjente copëza letrash me shënime. Ishin fraza që shkruaja në çaste të caktuara, kur më vinte në mendje diçka ose kur kisha ndonjë simpati të moshës për dikë. Me kalimin e viteve, kjo nevojë u bë gjithnjë më e rëndësishme për mua, sepse të shkruarit më ndihmonte dhe më ndihmon të ndihem mirë. Përmbledhjen e parë me poezi e botova në 1970. Shumica ishin poezi dashurie dhe për natyrën. Për disa vite pata pak kohë për t’iu dedikuar këtij pasioni, për arsye të punës e familjes.
Në vitin 1990 për herë të parë dërgova rastësisht disa poezi në të përjavshmen “Confidenze”, i cila i botoi ato menjëherë. Ishte një emocion i fortë t’i shikoja poezitë e mia në një gazetë kombëtare. Në fillim përdora një pseudonim, kisha druajtje ta tregoja emrin tim nga frika se do të më njihte dikush. Më vonë u prezantova me emrin tim. Në 2011 mora pjesë për herë të parë në një konkurs letrar. Provova një emocion më të madh, pasi vepra ime u përfshi në një antologji. Dhe kështu vijuan të tjera botime dhe filluan vlerësimet e para, derisa u arrit tek çmimet më të rëndësishme.
IRMA KURTI: Nuk ju pëlqen të quheni poete. A mund të na shpjegoni pse-në?
ROSY GALLACE: Nuk më takon mua të vendos nëse një autor mund të përkufizohet si “poet” apo jo dhe nuk është qëllimi im të gjykoj askënd. Fakt është se në vitet e fundit kam pasur mundësinë të takoj shumë autorë të cilët, pasi kanë shkruar vetëm dhjetë poezi, e quajnë veten “poetë” apo “shkrimtarë”. Në lidhje me këtë, duhet hapur një kapitull mbi vlerën e përulësisë apo auto-celebrimit. Unë mund të shpreh vetëm mendimin tim mbi këtë koncept, pra nuk kam fodullëkun - dhe aq më pak pretendimin - të përcaktohem si 'poete' pasi jam e vetëdijshme se ç’vlera letrare duhet të kesh për të thithur ajrin e poetëve ‘të vërtetë’, të cilët i admirojmë dhe që i kanë dhuruar botës vepra të mrekullueshme dhe të pashlyeshme që pasurojnë shpirtin. Në vend të kësaj, unë e konsideroj veten një ëndërrimtare të apasionuar dhe të patjetërsueshme që përpiqet të shprehë mendimet dhe ndjenjat e veta ‘në formën e poezisë’. Si e tillë preferoj të prezantohem kur kam privilegjin të lexoj krijimet e mia përpara publikut. Kjo është ajo që mendoj për veten.
IRMA KURTI: Ju jeni ideatore, organizatore dhe presidente e disa konkurseve letrare. Si lindi tek ju kjo dëshirë dhe a mund të na tregoni ndonjë përshtypje?
ROSY GALLACE: Kjo dëshirë më përkundte qysh përpara se të dilja në pension. Në fakt mendoja se mund të ishte një nga hobet e mia kur nuk do të kisha më angazhime pune. Dëshira u konkretizua kur fillova të marr pjesë në ceremonitë e ndarjes së çmimeve në konkurset ku unë isha vlerësuar.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve për mua është një moment i rëndësishëm, një moment ndarjeje dhe ballafaqimi, një vend ku mund të dëgjosh dhe ta krahasosh veten me krijimet e autorëve të tjerë. Është një shkëmbim opinionesh, një mundësi për të njohur stile të reja të të shkruarit dhe, po kështu, autorë nga çdo zonë e Italisë dhe jashtë saj. Pra, konkursi letrar mund të ishte një mjet për të rritur njohuritë e mia në këtë sektor. Në 2011 iu drejtova Departamentit të Kulturës të qytetit ku jetoj në Rescaldina (Milano), jo vetëm për të patur patronazhin e tyre, por edhe për të siguruar një vend për kryerjen e ceremonisë së çmimeve. Kështu filloi aventura ime dhe vit pas viti e gjeta veten duke organizuar jo vetëm Konkursin në qytetin tim por edhe të tjerë jashtë tij.
E gjitha kjo kërkon një angazhim jo të vogël, që fillon qysh nga faza e parë, hartimi i rregullores së konkursit dhe vazhdon me përgatitjet e përfundimin në ditën e ceremonisë së dhënies së çmimeve. Kjo ditë për mua është e rëndësishme. Gjithçka duhet të jetë, nuk them perfekte, por të paktën mundohem të bëj maksimumin në mënyrë që çdo gjë të jetë e planifikuar më së miri.
Dita e ceremonisë së ndarjes së çmimeve fillon me mirëseardhjen e autorëve dhe familjarëve që i shoqërojnë. Për mua është njëlloj si të ftoj miq për drekë: ata duhet të gjejnë një mjedis të ngrohtë dhe unë duhet të jem e vëmendshme për çdo nevojë të tyre. Ceremonia duhet të jetë një moment çlodhjeje, gëzimi, për t’i bërë autorët të ndihen rehat dhe jo për të krijuar atë “distancë - ftohtësi”, që shpesh vërehen nëpër konkurse të ndryshme. Secili autor meriton vëmendjen e duhur, pa bërë dallime midis dikujt që fiton çmime të para apo një tjetri që ka marrë çmim special; tek e fundit, këto të gjitha janë vlerësime.
IRMA KURTI: A mund të ndani një mendim, një opinion, një këshillë me ta apo me vetë krijuesit shqiptarë?
ROSY GALLACE: Mendoj se për të merituar diçka duhet të punosh me ndershmëri. Në jetë nuk më kanë dhuruar asgjë. Ajo çfarë jam tani është rezultat i sakrificave të bëra duke pajtuar punën, familjen dhe pasionin për letërsinë. Sapo kisha një orë të lirë, shpesh hiqja dorë nga dalja me shoqet për të lexuar një libër në prozë ose poezi. Të lexosh për mua është si të fluturosh. Mund të udhëtosh dhe të njohësh rite e zakone, mënyra të të jetuarit dhe të sjelljes së njerëzve. Motoja ime është: “Lexo, lexo, lexo!”
Kur jepja mësim gjuhën italiane në shkollën për të huajt kam njohur shumë vajza dhe djem shqiptarë. Ishte një përvojë e mrekullueshme. Nga sa kam mundur të shoh dhe të dëgjoj, janë njerëz bujarë, me zemër të ndjeshme dhe të edukuar. Në grup ishte një vajzë që kishte pasion për të shkruar dhe në një takim të organizuar nga unë në bashkëpunim me Zyrën e Kulturës të Komunës së qytetit tim, me rastin e Ditës së Poezisë, ajo recitoi vargjet e saj në gjuhën shqipe dhe më pas në italisht. Ishte një mbrëmje vërtet e bukur.
Falënderoj pa masë gazetaren, shkrimtaren dhe poeten Irma Kurti, që kam patur fatin ta njoh personalisht. Nuk e teproj kur them se jeta, edhe në moshë të vonë, më ka bërë një dhuratë shumë të bukur. Është e veçantë, e pajisur me kulturë të gjerë, por mbi të gjitha nga një ndjeshmëri të madhe, bujare dhe e ëmbël. Do ta falënderoj për tërë jetën për sinqeritetin, përulësinë dhe ndjenjën e thellë të qytetërimit.
U këshilloj të gjithë lexuesve apo poetëve shqiptarë që të ndjekin gjithnjë pasionet e tyre edhe kur ndeshin vështirësi të çfarëdolloj natyre. Tek e fundit, të gjitha sakrificat e bëra, një ditë shpërblehen me arritjen e suksesit.