Libri i ri “Dritëhijet e Hënëzës” i autores Bukurie Buçpapaj
Parathënie
NJË ZË TINGËLLUES DHE I VLERËSUAR POETIK
Bukurie Buçpapaj, anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, erdhi, përsëri, para lexuesit të saj të shumtë me një prurje të re, erdhi me një libër të ri, i cili është libri i gjashtë i saj. Tanimë, të thuash se poetja tropojane Buçpapaj, është rritur, është afirmuar si krijuese, si letrare e Vlerësuar, në fushën e poezisë, si një zë real, tërheqës dhe i lexueshëm; nuk është slogan, nuk është superlativë, nuk është vlerësim, subjektiv, por është një e vërtetë e pranueshme, një vlerësim real, që “I jep Qezarit atë, që i takon”. Poetja ka arritur, që mendimin e saj ta skalis në vargje, në strofa, në mendim poetik, si novacion krijues, ndër radhët e poetëve dhe poetëve shqiptare. Jo gjithmonë sasia, sjell domosdoshmërish cilësi, por, te kjo poete cilësore, nënshtetase kosovare, kjo gjë, tashmë, ka ndodhur në mënyrën më të bukur, të mundshme. Kësisoj, poetja Buçpapaj, është e kërkuar dhe vlerësohet në rrethet letrare e medietike shqiptare. Poetja Bukurie, thuajse, çdo ditë shkruan dhe publikon në rrjetet sociale një poezi të re, të ngjyrosur shumë bukur artistikisht. Dhe e vërteta e bukur është se poezitë e saj vlerësohen publikisht. Duket ashiqare se lëmia e krijimtarisë letrare, dhe veçmas e poezisë, janë, tashmë, në shpirtin dhe mendjen e kësaj autoreje. Duke u rritur në mënyrë sasiore dhe cilësore, poetja Bukurie Buçpapja, ka zgjeruar gamën e tematikave që ajo ka lëvruar, por, kurrëndonjëherë, nuk ka lëshuar pe për sa i takon tematikës me karakter atdhetar e kombëtar, se kombi, atdheu, Shqipëria dhe Kosova janë në zemrën dhe në mendjen e saj. Ndërkohë, vendlindja e saj-Tropoja me bukuritë e saj të rralla e të shumta natyrore, me ato njerëz inteligjentë dhe të bukur fizikisht, janë muza e vërtetë, janë shpirti dhe zemra e poetes sonë të nderuar. Apo s’i laton bukur krijimet e saj edhe në dialektin gegërisht, edhe në versionin zyrtar të gjuhës së bukur shqipe. Poetja Buçpapaj e rrit dhe e ushqen përditë tematikën e saj, rrit dhe pasuron përditë ndjenjat e veta kombëtare, dhe në çdo germe e në çdo fjalë e varg, shkëlqen përditë për figurshmërinë letrare, për tematikat e trajtuara, për vargun e strofën e bukur. Natyrisht, në poezitë shumta të saj, muza ka shpërthyer edhe për tematikën botërore, që e ka shoqëruar njerëzimin që nga fillimet e tij, atë të dashurisë në kuptimin e gjerë dhe në kuptimin e veçantë të kësaj fjale trazavace, përkëdhelëse e të bukur për të gjithë grupmoshat. Ama, kjo tematikë, nga autorja është lëvruar me maturi, pa ekzagjerime dhe pa fjalë e skena ordinere e të rëndomta. Ka lezet t’ia lexosh dhe poezitë e kësaj natyre. Fjalët, vargjet, strofat dhe poezitë, autorja ka ditur t’i ngjyros bukur artistikisht, të jetë një zë origjinal, i mëvetsishëm, pa imituar e kopjuar askënd, por duke qenë vetvetja. Poetja vjen denjësisht me unin e saj poetik të konsoliduar dhe të mirëpritur në çdo rast e në çdo aspekt. Te poezitë e autores Bukurie Buçpapaj bie në sy, madje dukshëm, edhe lëvrimi i tematikave aktuale, siç janë ngjarjet përkujtimore e datat me rëndësi historike kombëtare, personazhet e dashur, të cilët flijuan jetën, duke vënë gjakun e tyre në themelet e lirisë së Shqipërisë dhe të Kosovës martire; ditët dhe ngjarjet e shënuara familjare dhe shoqërore etj. Dhe kjo anë është tepër e dukshme dhe e mirë pranuar nga lexuesi i saj i shumtë. Duket se poetja rron me ndjenjat kombëtare, shoqërore e familjare, aq sa të krijohet bindja se, këto gjera esenciale për çdo krijues e individ, janë oksigjeni dhe frymëmarrja e muzës së saj dhe e krijimtarisë së saj, në përgjithësi. Për sa më sipër, gjykojmë se libri i ri “Dritëhijet e Hënëzës”, është një prurje e re e letërsisë sonë temporane(bashkëkohore), një prurje e re e bukur e autores. Ndaj, jemi besimplotë se edhe ky vëllim i ri e dinjitoz poetik do të mirëpritet nga lexuesit dhe rrethet intelektuale krijuese shqiptare. Pse jo, do të mbahet mend gjatë si një krijim i bukur, i arrirë dhe i shkruar me ndjenja dhe pathos, përtej çdo tymnaje, çdo pasaktësie dhe çdo vlerësimi jo dashamirës e jo objektiv, gjë që mund të ndodh rrallë herë. Lexuesi nuk ka pse mos ta mirëpres një krijimtari të tillë poetike! Edhe një herë: “Urime të mëtejshme në rrugëtimin e bukur e jo të lehtë poetik, Bukurie Buçpapaj!
Artemida Nako