Behixhudin Shehapi -Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99”

Behixhudin Shehapi -Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99”
Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99” - Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe
SHPIRTI HUMANITAR NË DITË TË VËSHTIRA
 
Behixhudin Shehapi
 
Viti 1999 në historinë e njerëzimit do të shënohet si një vit në të cilin, në Ballkan, pas një intervali të shkurtër kohor, ndodhi edhe një eksod i ngjashëm me atë të Bosnjës, pra eksodi i shqiptarëve të Kosovës.
Për nga përmasat e tij, ky ndoshta ishte më i madhi në shek. XX, për arsye se vetëm brenda disa javësh, nga Kosova u dëbuan me dhunë gati një milion banorë të saj, nga të cilët, pothuajse 400 mijë kaluan në territorin e Maqedonisë, siç quhej atëherë.
Kjo tragjedi e madhe ndodhi si pasojë e konfliktit gjithnjë e më të përshkallëzuar, kur makineria vrastare ushtarake, policore dhe ushtarake serbe, e cila gati dhjetë vjet po e mbante Kosovën nën
okupim, filloi të bënte masakra dhe gjenocid mbi shqiptarët.
Mbase këto veprime ishin shkaqet vendimtare për fillimin e sulmeve ajrore të forcave të Aleancës Veriatlantike. Lufta, dëbimi me dhunë ose pastrimi etnik i detyroi kosovarët që t'i braktisnin vatrat e tyre shekullore dhe të kërkonin strehim diku tjetër, para së gjithash, në vendet fqinje. Me këtë definitivisht filloi edhe drama e vërtetë e njerëzve, të cilët, duke ikur nga flaka e luftës dhe e shfarosjes, përjetuan një holokaust të paparë në këto hapësira, duke kaluar nëpër vështirësi të cilat s'mund të përshkruhen me fjalë. Kur arritën në vendkalimet kufitare, gjendja e tyre ishte shumë e rëndë, ata ishin të keqtrajtuar, të lodhur, të uritur, të rraskapitur dhe të zhveshur. Kushtet ku u ndodhën ata ishin jocivilizuese. Ata me ditë të tëra pritën aty se ç'fat do të përjetonin gjatë ditëve në vijim. Prandaj, pjesa veriperëndimore e Maqedonisë ishte e mjaftueshme për strehimin e menjëhershëm të tyre, por edhe zemrat e qytetarëve të kësaj pjese, ishin të mëdha e të gjera për t'i pranuar këta fatkëqinj.
Roli epokal i “El Hilalit”
Përballë një drame të këtillë njerëzore, në këtë krizë të frikshme me refugjatët nga Kosova, rolin e vet epokal e pati edhe Organizata Humanitare “El Hilal”, e cila angazhimin e saj paraprak me personat nën përkujdesje humanitare nga Kosova, e kurorëzoi me sukses të shkëlqyer në situatën e sapokrijuar në brezin kufitar, ku tanimë nuk ishin në pyetje vetëm disa mijëra njerëz, por disa dhjetëra mijë, madje edhe qindra mijë refugjatë, të cilët vetëm për disa ditë arritën të kalonin në Maqedoni.
Me punën e saj intensive në të gjitha fushat e veprimit bamirës, “El Hilali” u bë sinonim i humanitetit jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë. Pra kjo organizatë arriti të përballet më krizën e krijuar duke mobilizuar gjithë potencialin dhe strukturën e vet organizative.
Në fillim të situatës së krijuar, duke qenë shumë e vetëdijshme për seriozitetin e problemit humanitar, kryesia e saj, në mbledhjet e jashtëzakonshme që i mbante, miratoi vendime dhe
plane strategjike për tejkalimin e tyre, të cilat ishin vendimtare për një ballafaqim me valën e refugjatëve, si dhe me strehimin dhe përkujdesjen ndaj tyre...