BARBAROS İRDELMEN
Barbaros İrdelmen është një shkrimtar, poet, përkthyes dhe mjek në pension. Ai banon në Stamboll, të Turqisë. Poezitë e tij janë përfshirë në antologji, festivale poezie dhe libra të zgjedhur si në Turqi ashtu edhe jashtë saj. Ai është përgjegjës për poezinë për Gazetën Edebiyat Magazin, shkrimtar për revistën Kybele Kültür ve Sanat si dhe për Revistën letrare Pazartesi14 Neyya, anëtar bordi i revistës Kirpi Edebiyat ve Düşünce dhe anëtar i bordit redaktues për Revistën Papirüs. Ai është gjithashtu anëtar i Unionit të Shkrimtarëve të Turqisë. Barbaros İrdelmen ka botuar 16 libra me poezi. Nëpërmjet nismave të tij, Poezia pa kufij, e botuar në afro 40 gjuhë të ndryshme që nga viti 1984, filloi të botohet në turqisht duke filluar nga korriku i vitit 2024. Ai është anëtar i familjes së përkthyesve të Fondacionit ITHACA në Spanjë.
FOLMË PËR DASHURINË
Të lutem, folmë për dashurinë
Më trego për dashurinë
Është folur për të shumë herë
Kështu do të jetë deri në Ditën e Gjykimit
Përse e gjithë kjo këmbëngulje
Disa folën për të me imazhe, disa me metafora
Disa e panë me përbuzje, disa e ekzagjeruan
Çdo dashuri tregohet në mënyra të ndryshme
Të lutem, eja dhe folmë për të
Sikur të mos më pyesje, s’do të flisja
Por meqë më pyete
Dëgjomë se çfarë do të të them
Dashuria është një ide fikse që s’njeh mëshirë
Të vërtetat nuk vihen në dyshim
Zemra dashuron pa asnjë kusht
Dashuria lind edhe në një shtëpizë
Nëse e takon ndonjëherë lumturinë
Krijuesi të jep krahë
Atëherë dashurinë do ta gjesh në atë shtëpizë
Do të ndjesh se je në parajsë dhe mund të fluturosh lart
Nëse s’mundet ta gjesh
….
Ndalo këtu
Është e mjaftueshme, më mirë kështu
Ndalo dhe braktise fare
Të gjithë e dimë me siguri
Çfarë vjen më pas…
PËRKTHEU NGA ANGLISHTJA: IRMA KURTI