Jerida Kulla - METAMORFIZMI I PRITJES...

Jerida Kulla - METAMORFIZMI I PRITJES...
METAMORFIZMI I PRITJES...
 
Një heshtje e pakuptimtë...
një inat absurd që luan me kotësinë e çastit.
Një dyshim i lindur prej fantazive boshe
apo prej ëndërrimeve të bukura?
Asgjë s’mund të jetë përveç një drithërimë zemre,
që si zog fëmije pret
me ankth ushqimin e sjellë nga nëna.
Nuk ishim të aftë të shkëpusnim një cifël zemre.
Prisnim me ankth ardhjen,
largimin.
Griheshim në heshtje me fjalët memece...
Kuadrati i vogël, krenar ,
si një sfinks i bënte roje dialogut,
i gatshëm për t’ia qepur fjalët me penjtë e dhembjes...
Kohësia, me yjësinë e saj,
çuditej me atë që shihnin.
Ti nuk ishe ti,
as unë nuk isha unë.
Mezi prisnim ardhjen.
Në km e fundit metamorfizoheshim...
Vishnim këmishën e panjohësisë...
Dy të panjohur
që njihnim me mm brendësinë,
deri edhe shenjat që linin fjalët në rrugën e gjakut.
Na pëlqente të lëndonim zhurmën me heshtjen.
Fjalët frikoheshin e strukeshin,
strukeshin...
Isha sulltane,
ngujuar në “Kullën e vajzës”, pa arsye...
 
 (mars 2014)