Joan Josep Barceló - Cikël poetik (Përgatiti dhe përktheu Angela Kosta)

Joan Josep Barceló - Cikël poetik (Përgatiti dhe përktheu Angela Kosta)
CIKËL POETIK

KUSH DO TË PRESË PALËVIZUR

Kush do të presë palëvizur
Për t'u bërë përsëri adoleshent
Përjetësisht
Në një shtëpi pa kopsht
Në periferi të Romës
Dhe kush i përgjumur
Do të kërkojë fjalët e mençura
Duke parë muret
Duke ngrënë nektar dhe asgjë më shumë
Kush do të shohë mbrapa
Pas pirjes së cigares
Derisa tymi të largojë nostalgjinë
Nga ato ditë tashmë të pamundura
Kush do të presë i habitur
Për të ditur nëse do të rikthehen tmerret
që udhëtonin
Mijëra e mijëra kilometra
në sekond
Në netët e dehura
E kush do të jetë tradhtari
Që do të më zgjojë nga kjo farsë
Për të më bërë të jetoj pa të.

FJALË TË FSHEHURA NË ËNDRRA

Nuk ka mbetur asgjë këtu
Si një lypsar për një copë bukë
Në agim
Që një lot shtrydhi
Në vazot e një vendi të fshehtë
I cili qëndron memec
Pa parë qoftë asgjë
Mallkim me një mërmëritje
Për të hedhur pakëz ujë
Duke qenë i vetëm
Në fund të lutjes
Që bën të heshtë zërin tim

NUK MUNDEN

Nuk munden
Mungon dëshira për të qenë
dhe ndjekur
në paqartësi
Edhe pse dyshojnë
Ndaj njëri-tjetrit
Hapat vështrojnë
Në mënyrë që askush të mos vërej
Ëndrrat e tyre sterile
Nuk duan asgjë
Në gjumë
Midis hijeve dhe frikërave
Të diçkaje absurde
Por do të ecin të detyruar
Edhe pak
Më shumë
Në hirin
Që kanë lënë
Pendesat e tyre

MIDIS REVE TË PAMBUKTA

Në rrugë
Koha ndalon
Pa pushim
Duke parë flokët e dëborës
Të bien
Duken vështrime
Prapa maskave
Të një misteri kalimtar
Ku një dritë
Përmes hapësirës
I fshin të gjitha
E burgosur pas mureve
Me tulla të vjetra
Të cilat në heshtje shohin
Njerëzit që kalojnë nëpër rrugë
E shumë persona
Por sytë e mi
Mbyllen
Mes një qetësie diafanoze
Pa e ditur
Ku po shkojnë

Përgatiti dhe përktheu Angela Kosta