Vjollca Aliu - Poezi
Shpesh ngjaj në petalet e brishta të luleve
Ndërsa, ndonjëherë marr fuqinë e shpresës
Dhe mugulloj si syth mbi zhavorin e valë
Pa u ndikuar nga krimbat që sillen vërdallë.
Për habi, diellit rrezet ia marr rrëmbimthi
Që t'i ngrohë dejtë e mi të lodhur
Por, prap, e pamposhtur nisem për tek ti
Si shqiponja me hallet e pambarimta.
Qiellin e xhelozoj për hapsirën e pamatshme
E blirit ia kam lakmi sesi i bën hije çdonjërit
Teksa, matanë, si mbretëresh e muzikës
Kanarina këndon ëmbël si zanë korçare.
Në kokë më sillen mendime të llojllojshme
Si numrat e lotarisë në rrotullim
Zemra i ndien çarjet si toka nga tërmeti
E shpirti ndihet i zjarrtë si vullkan.
Shtigjeve të jetës plot prita e dredhi
Eci e vrapoj si bebet në hapat e parë
Që në oazë blerojnë e s'ndalen dot
Kur era i përplas padhembshëm.
Nga gurgullima e ujit nxjerr melodi
Dhe e shndërroj në këngën e natës
Ndërsa Alpeve u marr copëza bardhësie
T'ia shtoj shpirtit tim plot vrragë jete.
Atje tej në horizont ku vështrimi arrin
Zeniti e nadiri ndajnë qiellin
E shpirti merr fuqi të pikturojë jetën
Me rrezet ngjyrarta për ditët shpresëtare.