POSHTË URËS ATY MBI.. LUMËBARDH
(Mitrovicës së plagosur)
...e plagosur po fle një urë,
mbi kurrizin e kohëve të marra
Me armë, helmeta e tela fort në të dy skajet
këmbë e kokë lidhur trupin
Përgjumësh " qyteti sonambul" gdhihet pa qejf
me ëndrra të ndara...
Lumbardhi dhe pse i turbullt devijon
e kokulur ecën për të fshehur turpin
Asnjëherë s'pat ndodhur që mbi një urë
të ulej ashtu dhe vetë Evropa
Për ndokënd do të ngelet mister
dhe të vërtetën akoma ndofta nuk e dinë
Veç në këmbët e saj dikush shkroi në shqip :
"Unë jam vet revolta
Shpirti s'përgjysmohet një pjesë për shqiptarët
dhe diçka për Serbinë" !
...po flejnë barrikadat të lodhura
nga pesha që mbartin
(Belbëzin me vete historia :E rrallë kjo,
për të mos thënë kurrë!)
Zgjohen fëmijët prej dy anëve e nga pagjumësia
gojët e tyre hapin
Pranë urës mbi Ibër sodit Evropa
fushëbetejën e fëmijëve me gurë
Shëëëët - ju lutem pak qetësi
përballen matanë urës dy lapidarë
Shkruar te njëri dëshmorë lirie,
po aq dhe tjetri plot invadorë
Histori të tillë, ma besoni
Globi kurrë në shekuj se ka parë
Heronj dhe pushtues luftojnë,
dhe në monument me armë në dorë.
Ti qesh e zgërdhihesh Evropë,
sikurse qeshe në Londër vite qëmoti
Vallë,
a nuk e ke kuptuar se poshtë urës mbi Lumbardh
po s'pati paqe - ka fuçi baroti?!
(Mitrovicë-2002 nga libri "Ngjyrat e Kosovës")