Agim Desku - poezi

Agim Desku - poezi
DRENICA NDRENIKA E ËNDRRAVE TË MIA
 
Diellin e kemi për pesë shekuj më afër
Sa mirë me qenë nip i Ndrenikës
me mësue qetë artin e trimërisë jashariane
me u betue burrërisë pranë zjarreve prekaziane
ku fjala bëhej pushkë e pushka,amanet
 
Borxhin ua lashë brezave të pafat
që mbyllën sytë me mall të djegur
në gji pa e pa lirinë si duket
kur ecën drejt si mbretëri pa frikë
 
Populli im thotë
vera vjen një herë kah dera por sot,
në çdo stinë lulëzon pranvera
 
Diellin e kemi për pesë shekuj më afër
dhe s’na trembin më acaret e dimrave vrasës
 
Mjafton t’i bashkojmë mendjet siç i bashkojnë zemrat
se liria kërkon ujitje me lotin e shpirtit
që dashuria të mos mbetet në fund të Titanikut
e vetmuar, e harruar
 
Atëherë e zgjedh rrugën më të mirë me jetue
si dje, në vargjet e Pashko Vasës
Lëreni kishat dhe xhamitë, o populli im
se feja jonë është vetë shqiptaria
 
Ky është hymni im që duhet përbetue një ditë
rreth flamurit të bashkuar me një qëllim të vetëm ta shohim
Shqipërinë sa na është zvogëluar e ta pranojmë
se edhe ne me Evropën, kemi fajin tone
 
Vallë, a i kemi harrue hartat ku shtrihej Shqipëria?
 
Thonë se dikur ishte mbretëri deri në qiell
kur Dardania ishte një trup një gjuhë një flamur
një kulturë një zemër që rrihte si Drenica ime.
 
Riprezentim
24 Nëntor 2024
Agim Desku