Valbona Kolaveri (Cikël Poetik -II-)

Valbona Kolaveri (Cikël Poetik -II-)
Valbona Kolaveri (Cikël Poetik -II-)
 
KUR VDES NJË POET
 
Kur vdes nje poet,
Tokës së gjuhës ,i thahen rrënjët e fjalës,
Dhe qiejt,
S’kanë  më ëngjëj të kërcejnë
 
Kur vdes një poet,
Çahen kordat e rrathëve të dashurive,
Se s’ka më kush t’ju këndojë,
Rrezeve tek përflakin diejt
 
Kur vdes një poet,
Dhembja vdes nën dhembje,
E thellë në shpirt qan derti.
Der ku s’ka më zë.
 
GJYSMAVE TË MIJA
 
Përfshihem,
Në vorbulla të rrëmbyera
Mendimesh,
Ditësh e netësh rrokopujë
 
Nën qiej të ngrysur
Të mendjes,
Që vetëtijnë pareshtur
Agonitë
 
Zogj fluturakë
Të shpirtit,
Më enden fluturimesh
Krahëthyer,
Ujvarave të zemrës
 
Të gjejnë
Shtegëtime të reja ,
Ndjenjash,
Lirie të munguar
 
Larg,
Shkretëtirash
Tē djegura,
Nga pasione çastesh
 
Pluhrosur shpirtit,
Nga dështime
Të çala kohësh,
E njerëzish të dalë boje
 
Shkapërcimesh eci
Te ngre veten lart,
Nën dallgë ëndrrash
Të bardha shkumëzimesh
 
Përqafoj e dlirë
Krahapur dritën,
Të ndihem e plotë
Gjysmave të mija.
 
JAM GRU
 
Jam gru,
E lindun etjeve qe përpijnë  zjarr,
E gjitha një rrotullamë
  të përpin me sy,
Si një vorbull që nuk të len me dal,
Ndjenjës për me dasht,
 
Vetëtime që shkrep dashni,
Në piskamë të rrezes së parë,
E ujët si qielli kur don me shfry,
Gjithë retë e mbledhuna bashkë
 
E dobët si një zog i truem prej të ftohtit,
Mbi krye pa kallamë,
E fisme si zojë ,
Kur nderën me derë s’ia xanë
 
E trillët ,
Kur muzgjet bien  teposhtë me fjetë,
Me mendu se jam gru,
Për vete,
Për ty gru,
Edhe për ju.
 
MANIAKËT E ÇMËNDUR
 
Maniakët e çmëndur klandestinë,
Flisnin papushim,
Egove,
Retorikave te vetvetes përsëritëse
 
Pa rregulla nënrenditëse të një vargu
Elitar Fibonaçi,
Tejzgjatëse pa kuptim
 
Të krijonin një model figure,
Që spontanisht të habit,
Dhe që  të çmend me risitë
 
Pa brum,
Pa kockë,
Përdredhës gjer në frikë.