Hajredin Kabashi – Një studim për librin e Halil Berishës

Hajredin Kabashi – Një studim për librin e Halil Berishës
HISTORIA LËMSH E KOMBIT, QË KËRKON MEND E GUXIM
 
Halil Berisha, i njohur si “plaku” ishte një veprimtar i shquar nga fshati Bardh (Lladroviq) komuna e Malishevës. Ai u angazhua shumë në fushën e gojëdhënave, pleqnitë e odave, në interpretim të folklorit shqiptar si dhe filozofinë popullore, gjithashtu ishte pjesëmarrës i pajtimit të gjaqeve, çlirimtar i orëve të para në krah të ushtrisë çlirimtare të Kosovës.
Vepra “lëmsh i lashtë” i Halil Berishes është një roman që trajton temën e identitetit dhe historisë kombëtare, përmes një narracioni simbolik, me një stil të veçantë, ai pasqyron të kaluarën lëmsh të historisë shqiptare, e cila manifestohet edhe sot në realitet. Kjo vepër eksploron kujtesën kolektive me një të kaluar të trazuar të popullit shqiptar dhe të ruajtjes së identitetit kombëtar.
            Autori Halil Berisha, na vjen në teatrin e madh jetësor, me një margaritar mendimesh të moçme, ti quajmë të nivelit akademik në aspektin mendimtar joshkencor, sepse siç jemi mësuar tashmë, odat tona dikur ishin çerdhe akademish, prandaj me të drejtë dua të them se baca Halil Berisha ishte njëri nga ata akademik odash së bashku me një plejadë të tërë pleqnarësh siç i zënë në gojë autori Kadri Minushin, Sali e Feriz Krasniqin, e Riza Bllacën që më vonë këto vargje të mençurisë popullore i shndërruan në rapsodi e vetë u bënë rapsod.
            Historinë e gjallë popullore e bartur nëpër shekuj përmes gojëdhënave dhe odave akademi, diti ti bart kaq bukur dhe me mjeshtri autori Halil Berisha në veprën “lëmsh i lashtësisë”, një vepër që na shpalon bukur historinë tonë kombëtare të hershme dhe të tanishme, pjesë e së cilës histori ishte edhe vetë autori baca Halil.
            Duke analizuar mençuritë që na i sjell autori në veprën e tij pa pretenduar që ta zgjidh këtë lëmsh historik dhe politik, autori u jep shpjegimin mençurak secilës fjalë, vepër e veprim duke tentuar të mençurojë masën, popullin përmes mësimeve oda, siç duket autori Halil Berisha përmes kësaj vepre e vë në vendin e vetë secilën ngjarje historike të popullit tonë duke shpaluar ato qoftë përmes historive të treguara apo edhe të përjetuara shumë nga to si ngjarje gjeneratash të bacës Halil.
Pra, siç do të vërehet në shpjegimet e mëvonshme të tregimeve popullore të Halil Berisha, ai jo rastësisht merr epitetin e plakut të luftës me mençuritë e tij.
            Siç thotë autori, nderi e ka vendin e vetë dhe të gjitha të këqijat vijnë nga fjalët e këqija, nga to prishet baba me djalin, vëllai me vëllain, fqinjët mes vete, bile autori thotë prishet edhe fshati e shteti nga to, prandaj mençuritë e bacës Halil në luftën e fundit pjesë e së cilës ishte edhe vetë autori i librit “lëmsh i lashtësisë” i dhanë  vendin meritor të plakut, për të rrafshuar dhe pajtuar çdo ngatërresë mes miqsh, luftëtarësh e trimash të betejave të shumta, ai ishte edhe pajtimtar i gjaqeve kur Kosova vlonte nga zjarrmia e brendshme për të fituar lirinë përballë pushtuesit sllav.

            Mërgimi është një plagë tjetër e rendë për rrëfimtarin Halil Berisha dhe autorin e tregimeve të moçme, ai e shpalon me dhembshuri shkuarjen e meshkujve të fshatit të tij (Lladroviq) në mërgim, për autorin ky ishte mërgim i rëndë, sepse djemtë shkonin në Kralevë për të punuar, për autorin rendë është ngase ndërtonin vendin e hasmit për çka mixha Halil e vuante shumë këtë ndjenjë.
            Personazhet e autorit të veprës “lëmsh i lashtë” i Halil Berishes janë autentik, të prekshëm, janë të periudhave më të lavdishme të historisë kombëtare, që nga luftërat e parë dhe e dytë botërore të cilat ndodhën në botë, por që pushtuesi sllav i ka shtu zullumet siq thotë autori edhe në vatrat tona. Këtu ai shkruan për mendjet e ndritura të personazheve që e kanë rrethuar edhe vetë autorin qoftë me të dëgjuar nëpër odat e Llapushës, qoftë të përjetuara nga vetë ai. Personazhet e Rexhë Asllanit nga Kijeva, të Halil Seferit e Elez Kleçkës janë përfaqësuesit e akademive oda të asaj ane për autorin, thënë kështu sepse kur sëmuret Elez Kleçka i tubon bijtë e tij për t’iu lënë ndonjë fjalë amanet, ndër të tjera iu thotë “o bijtë e mi, unë trupin e marr me vete në vorr, por mendtë dhe veprat e mija du me iu lanë ktu, shërbehuni me to, një poi u lë amanet, kurrë bukë e m.. mos i përzieni, se iu jesin në fyt e sun i hani”, i frymëzuar nga mençuritë e tilla e trimëri të pashoqe të personazheve, të gjallë e të vdekur të kësaj vepre, u brumos edhe mixha Halil, andaj sot diskutojmë për të thënat, të shkruarat dhe veprat e Halil Berishes si trashëgimtar i këtyre personazheve.
Personazh tjetër emblematik në veprën e autorit Halil Berisha, është edhe personazhi i nënë Nailes, e cila lindi plot trima për luftën dhe token, ajo i brumosi bijtë e saj me ndjenjën e dashurisë për vendin dhe larine duke iu kujtuar mbrëmjeve rreth oxhakut bijtë e saj, u thoshte:
“bijtë e mi secili shqiptar i ka borxh nanes dhe tokës së shenjtë, paqi biro bekimin e nënave e të tokës suaj, ecni përpara se ska cka iu bën asnjë furtune (furtunë e quant Serbinë)”, nga këto fjalë të nënë Nailes, u shtuan edhe radhët e Ushtrisë Çlirimtare e cila është meritore për lirinë e vendit, sepse lindi nga bekimi i këtyre nënave heroina dhe i bekimit të tokës sonë.
            Karvanit të lëmshit të personazheve në veprën e Halil Berishes i bashkëngjisim edhe kujtimet personale të autorit, pikërisht me personazhin e Prenk Binakut nga Shpenadia e Prizrenit, të cilin e viziton autori i këtyre rrëfimeve në oden e traditës vëren figurat e shquara të historisë kombëtare duke filluar që nga Skënderbeu, shkrimtarë të Rilindjes Kombëtare, Nënë Tereza deri tek Adem Jashari. Autori i mallëngjyer me lëmshin e historisë kombëtare shpalon kujtime me të zotin e shtëpisë, zotin Prenk dhe sjell në kujtesë fjalët e të madhit At Gjergj Fishta: “na vërtetë festojmë Bajram e Pashkë, por Shqipërinë e kemi bashkë”, të cilat ideale e kishin pri edhe në betejat e UCK-së plakun e mençur mixhën Halil.
            Halil Berisha, autori i veprës “lëmsh i lashtësisë” duke jetuar në kohën e okupimit sllav, si njeri i mençur i odave tona, njihte hilet e armikut jo vetëm në të folur por edhe me sjellje, shprehi punësh dhe veprimesh, kështu me mençuritë e fituara nga personazhe të shumta pleqnarësh na e shpalon përmes figurës së Tahir Berishës, se si ai e identifikon mysafirin e huaj në odën e tij. Fadil Hoxha dhe Rifat Berisha pas një mbledhjeje deri në orët e vona ishin detyruar të ftojnë një serb që ishte prezent në mbledhje në odën e Tahir Berishes, të lagur nga shiu ata filluan të teren pranë zjarrit në odë. Tahiri e njeh serbin mysafir nga mënyra e të terunit ngase ai me faculetën e ngrohur terte kokën e lagur, kurse Fadili e Rifati me shokë ternin këmbët. Ky gjest Tahirin e kishte bërë të padurueshëm për çka ishte shfry në Fadilin dhe Rifatin duke i kritikuar se tradhtitë e tilla bëhen edhe në luftë jo vetëm në odën time.
            Pleqnari, eruditi, pajtimtari i gjaqeve, plaku i UCK-së, Halil Berisha sot na vjen me dy vepra të stilit të veçantë krijues të letërsisë shqipe.
            Janë shkruar vepra që nga Kanuni i Lekë Dukagjinit, për traditën, kulturën, mençurinë shqiptare në forma prozaike dhe segmentare, por një vepër të tillë të grumbulluara mençuritë popullore, me gojëdhënat popullore, me personazh autentik së bashku me autorin e kohës e ngjarjeve aktuale e bën vetëm plaku i luftës së UCK-së dhe dijetari i odave akademi Halil Berisha.        
 
Prof. Hajredin Kabashi