Angela Kosta - Vështrim për vargjet e Dr. Anna Maria Lombardi

-Nga Angela Kosta-
Cav. Dr. Anna Maria Lombardi është figurë e shquar italiane në fushat e filozofisë, psikologjisë dhe letërsisë, si dhe e njohur për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në kulturë dhe shoqëri. E lindur në qytetin artistik italian San Severo (Foggia), dhe aktualisht banuese në provincën e Bergamos, Dr. Lombardi ka ndërtuar një karrierë të pasur, si: psikologe, psikoterapiste, poete dhe eseiste. Ajo është autore e 19 vëllimeve poetike, të cilat janë përkthyer në disa gjuhë dhe janë përfshirë në antologji dhe revista kombëtare e ndërkombëtare. Veprat e saj janë të njohura për thellësinë letrare dhe ndjeshmërinë sociale, shpesh të destinuara për qëllime bamirësie.
Dr. Lombardi ka marrë një sërë çmimesh prestigjioze, duke përfshirë:
- Titullin "Kavaliere e Republikës Italiane" më 2 qershor 2024, një nga nderimet më të larta shtetërore në Itali.
- Çmimin e Ekselencës në Karrierë në kategorinë Letërsi më 25 tetor 2024 në PIME, Milano, për përdorimin e pozitës dhe aftësive të saj për të përmirësuar shoqërinë përmes iniciativave sociale të rëndësishme.
- Është përfshirë në "Listën e Artë të Poetëve dhe Shkrimtarëve Italianë Bashkëkohorë" nga CefaluArt.
Dr. Lombardi është themeluese dhe Presidente e "Movimento Internazionale Artistico Letterario & Group - Grupit të Lëvizjes Artistike - Letrare", e cila është shoqatë kulturore që promovon shkëmbimin dhe përhapjen e kulturës, poezisë, letërsisë dhe artit. Ajo është gjithashtu Presidente e Konkursit Ndërkombëtar të Letërsisë dhe Poezisë "La Magia delle Parole - Magjia e Fjalëve", i cili ka arritur sukses të madh dhe është përfshirë në programin "Bergamo - Brescia, Kryeqytete të Kulturës 2023"
- Në dhjetor 2024, Dr. Lombardi u emërua delegate në Panoramën e Festivalit Internacional të Letërsisë 2025, event i rëndësishëm letrar që do të zhvillohet në janar 2025.
Ndër veprat më të njohura të saj, janë:
- "Cartoline da Alétheia - Kartolina nga Alétheia" (2021)
- "Tutta colpa dell’amore - Gjithë faji i dashurisë" (2020)
- "La viandante – Tra rette, curve e parallele - Endacakja - Midis vijave, paraleleve dhe kthesave," (2019)
- "Spigolatura in campi (di) versi - Mbledhja e kallinjve në fusha të ndryshme (në vargje) ", e cila ishte kandidate për "Premio Strega Poesia 2023"
"Moti dell’anima - Motot e shpirtit"
- "Sfumature di rosa - Nuanca trëndafili"
- "Pensieri riflessi - Mendime reflektime"
- "Una valigia, petali e fotografie - Një valixhe, petale dhe fotografi"
Vargjet e Dr. Anna Maria Lombardi janë përshkrim i detajuar emocional dhe shpirtëror i ndjeshmërisë njerëzore, një reflektim poetik që shkon përtej fjalës së shkruar.
Në poezitë e Dr Lombardit, ndihen qartë rrënjët filozofike dhe psikologjike të saj, duke e bërë kështu poezinë një urë lidhëse mes meditimit dhe ndjenjës, mes trupit dhe shpirtit.
Dr Lombardi përdor gjuhë të pasur figurative dhe ngjyra të fuqishme që prekin temat më delikate të jetës: dashurinë, humbjen, nostalgjinë, dhimbjen dhe shpëtimin shpirtëror.
Çdo varg në poezitë e saj, duket si një thirrje e heshtur për të reflektuar, një ftesë për t’u ndalur dhe për të dëgjuar zërin e brendshëm.
Poezia e saj është shpesh e ndërtuar mbi imazhe që alternojnë butësinë me ankthin, dritën me errësirën, duke e mbajtur lexuesin të impenjuar emocionalisht dhe vazhdimisht.
Në poezinë e Dr Lombardit nuk mungon as dimensioni shoqëror dhe as ai humanitar: ajo prek plagët e shoqërisë moderne, duke mos qëndruar indiferente përballë padrejtësive, vetmisë apo indiferencës totale.
Gërshetimi i përvojës jetësore, studimi akademik dhe intuita artistike e bën poezinë e saj të veçantë dhe të paharrueshme.
Vargjet e saj flasin me zemër dhe dëgjohen me shpirt. Stili poetik i Dr Lombardi, është i pasur me detaje shumëngjyrëshe, duke krijuar një atmosferë të thellë emocionale, që e fton vazhdimisht lexuesin në një udhëtim nxitës e meditues. Në secilën poezi, Dr Lombardi analizon temat e dashurisë, humbjes, shpresës dhe forcës së brendshme, duke ofruar një perspektivë unike mbi përvojat njerëzore.
Veprat e saj janë dëshmia e fuqisë së poezisë për të lidhur njerëzit nëpërmjet shpërndarjes së këtyre përvojave.
1. Poesia “BUKURI NOSTALGJIKE”, është një reflektim delikat po aq edhe i ndjeshëm mbi kalimin e kohës, kujtimet dhe kërkimin e dritës së brendshme përtej melankolisë.
Përmes një gjuhe të pasur poetike, autorja ndërton figura - metafora që lidhen ngushtë me përvojën njerëzore; perëndimi i diellit shpreh përfundimet dhe fillimet, lojërat e zemrës si kujtime intime që rishfaqen me një përmallim të ëmbël. Strofat shprehin një përpjekje për të rindërtuar balancimin shpirtëror, për të përqafuar shpresën, edhe kur ajo ndodhet përtej brigjeve të paarritshme. Në fund, poezia na ofron një përfundim të fuqishëm dhe optimist: dëshirën për të përhapur dritë edhe në errësirë, për ta çliruar kështu vetminë, përmes artit dhe dashurisë.
2. "NEVOJITEN URA" është poezi e fuqishme dhe shumëdimensionale, e cila që në titull, transmeton mesazhin human, etik dhe poetik me intensitet të plotë emocional.
Autorja përdor metaforën urë si simbol të nevojës për ndërlidhje njerëzore, mirëkuptim dhe bashkim përballë ndarjeve dhe izolimit që shoqërojnë sot jetën moderne.
Vargjet hapen me evokimin për të hyrë në veprim: ura të ndërtuara me duar, jo thjesht fizike, por duar të afta të përballen me sfida shpirtërore dhe shoqërore.
Përdorimi i fjalëve si "nyje të kancerizuara", "neglizhenca e kohës", "lakmia", "pazotësia" krijojnë një atmosferë të mbingarkuar, (dhe pikërisht këtu, Dr Lombardi e vë theksin tek pasojat e një indiference të tepruar, negative).
Pjesa e dytë e poezisë sjell shpresë dhe dritë: farat e luleve shumëngjyrëshe, krahë që dashurojnë, zemra që këndojnë, janë metafora për rilindjen, solidaritetin dhe dashurinë.
Urat nuk janë thjesht struktura, por forma bashkëlidhëse jetese, mënyra e vetme kjo, për të jetuar në një botë paqeje dhe vëllazërie.
Vargjet e fundit e përmbyllin poezinë me një reflektim human nga ana jo vetëm e çdo lexuesi, por nga cilido është pjesë e këtij planeti: "ta nderojmë deri në fund jetën dhe ta festojmë çast pas çasti, përgjithmonë".
3. "METAMORFOZË" është një poezi po aq delikate sa edhe prekëse, e cila trajton me ndjeshmëri kalimin e kohës dhe transformimin e njeriut përmes përvojave të jetës.
Dr Lombardi flet me zë të butë por të fuqishëm për dinjitetin e moshës në cilëndo periudhë qoftë, për shpirtin që mbetet i gjallë e rinor edhe atëherë kur trupi zbehet, venitet nga vitet.
Në vargjet e para, poeteja e përshkruan fytyrën e saj si një faqe letre ku janë shkruar histori: "dantella rrudhash", një metaforë shumë e bukur kjo, që e përkufizon plakjen si art, jo si rrënim, jo si dobësi, por si një mburojë - mbulesë - vello e hijshme dhe e çmuar.
Çdo rrudhë është rrëfim i gjatë; një dëshmi jete, një "roman emocionesh dhe ndjenjash të përjetuara". Çdo rrudhë, është një kapitull i veçantë dhe më vete i këtij romani - poezi, një përvojë e përjetuar në çdo qelizë, që ka lënë gjurmë në shpirtin dhe trupin e poetes, i cili dukshëm paraqitet si rrēfim autobiografik por në të njëjtën kohë edhe universal, sepse transformimi i ciklit të jetës ndodh tek çdokush nga ne. Romani i fatit të jetës sonë, është i pasur me plot kujtime dhimbjesh, gëzimesh, zhgënjimesh, lamtumirash e dashurish.
Një nga elementët më të fuqishëm të poezisë është mënyra se si autorja krijon kontraste midis trupit të plakur dhe shpirtit të rinuar, duke i risjellë bashkë në një vallëzim - valëzim të ngadaltë dhe magjik. “Fytyra me dantella rrudhash” nuk është thjesht një vizion pamor, por një gjendje e shpirtit që ka kaluar stinët e jetës dhe ka ruajtur një bukuri të brendshme, tejet të veçantë e ndërlidhur me shprehimet e emocioneve. Kjo alegori kaq e përsosur, na përçon në mendje idenë e plakjes si art apo trashëgimi me plot vlera, të cilat tejkalojnë kohën e akrepave të orës.
Mesazhi i drejtpërdrejtë që autorja na paraqet në strofën e dytë, është thirrja kundër paragjykimit të sipërfaqshëm: "mos e shiko lëkurën time, bastunin... duart që dridhen..."
Kjo kërkesë, (aspak pretezë), për vështrim (që të mbetet i përqendruar në thellësinë e shpirtit dhe jo në trupin e mplakur), përtej aparencës është thelbësore për të kuptuar esencën e poezisë, (njeriu nuk prezantohet nga trupi i tij, por nga historia që bart brenda vetvetes).
Dhe këtu ngrihet pyetja e rëndësishme për gjithësecilin nga ne: "Sa shpesh e harrojmë thelbin që njeriu ka në vetvete dhe pse shohim vetëm çka shihet në sipërfaqen e tij?
Përmes këtyre vargjeve, Dr Lombardi na jep përgjigjen e saktë dhe të dëshiruar. Ajo e bën këtë nëpërmjet apelit social, për të pasur respekt dhe dashuri të pakushtëzuar dhe të pakufizuar, për pranimin e njeriut në tërësinë e tij, përtej plakjes apo aftësive të kufizuara fizike dhe ky, është një leksion që shkon përtej kësaj poezie, duke e sfiduar çdo lexues që të rishqyrtojë mënyrën sesi i trajton të moshuarit në jetën e përditshme.
Pika kulminante emocionuese e lexuesve, vjen në shpërthimin shpirtëror: “ku fëmijë luaj dhe jetoj rininë”, varg - alegori - domethënie që nënvizon faktin se shpirti nuk plaket kurrë, por mbetet i gjallë dhe aktiv brenda trupit tonë të ndryshuar ndër vite, por jo tek vetë ne.
Të lozurit - ngazëllimi në thellësinë e shpirtit, sjellin një ndjesi të freskët dhe të gjallërues, shpirt që ushqen me kujdes entuziazmin dhe kureshtjen, që e përjeton jetën me pasion dhe me një gjendje të pandryshuar lumturie.
Dhe kjo, nuk është gjë tjetër, veçse një kthesë e fortë kundër ndikimit të idesë se mosha e avancuar është humbje e rinisë, e gjithashtu na rikujton se brenda çdo personi, pavarësisht viteve që ka kaluar, ekziston një pjesë vitale, ripërtëritëse dhe e pafajshme.
Poezia përmbyllet me mesazhin e rëndësishëm për empati dhe harmoni ndaj njëri - tjetrit, sepse nëpërmjet pranimit të "metamorfozës" , që vëmë re tek dikush, njohim edhe tonën, e cila një ditë do ta kemi, pasi koha, vetë periudhat e jetës janë zinxhirë vitesh që rrokullisen shumë shpejt.
Le ta pranojmë pra krahëhapur këtë metamorfozë, ku jo vetëm shpirti i dikujt, por edhe i yni bashkë, transformohet dhe rrjedh në dejet e moshës.
Dr Lombardi ka vënë qendër të poezisë strukturën e tre elementeve: 1. trupi - shpirti - metamorfoza, e duke lexuar vargjet vëmë re se
metamorfoza, është e dyfishtë: ajo që njeriu shfaqet nga pamja e jashtme (trupi), dhe ajo që ndodh brenda tij, transformimi i vazhdueshëm i fizikut dhe shpirtit të tij.
Përqafimi i dikujt duke bekuar qiellin, paraqet momentin ku autorja, vetvetja dhe metamorfoza, (pra: trup - shpirt - metamorfozë) bashkohen përgjithmonë. Qielli simbolizon dimensionin hyjnor, përshëndetjen universale që i bashkon njerëzit jo vetëm në tokë por edhe në botën e përtejme.
Në aspektin e stilit, poezia shfaq një harmoni mes formës së thjeshtë dhe kuptimeve të thella. Vargjet nuk janë të gjata, por janë të përzgjedhura me kujdes, duke krijuar një ritëm të qetë dhe të meditueshëm, që nxit lexuesin të ndalet dhe të reflektojë e analizojë.
Thjeshtësia është boshti, palca e forcës së poezisë, sepse e bën atë të afrueshme për të gjithë, pa humbur kompleksitetin e ndjenjave dhe idesë që ajo vetëpërcjell.
Gjithashtu, përdorimi i larmishëm i metaforave, tregon mjeshtërinë e Dr Lombardit në krijimin e kētyre figurave poetike, të cilat interpretojnë realitetin konkret me domethënie të plota emocionale. Këto figura e bëjnë poezinë vizuale dhe prekëse, duke e shndërruar leximin në një përvojë jo vetëm intelektuale, por edhe tepër të ndjeshme e shpirtërore.
Kur perëndon dielli
thellësisht shfaqet bukuria që kemi pasur
jetuar dhe vështruar në botë.
Me pamje melankolike
sërish vizitojmë lojërat e zemrës
duke dëshiruar të gjejmë
ekuilibër të ri dhe dritë të brendshme.
Kërkojmë mes brigjesh,
ndonjëherë mbase edhe të paarritshëm,
zjarre të qetë ose gjallërueshëm, të zbehtë
për agimin e nesërm.
Një agim që shtyn
të thurë kanavaca me fije ari
dhe të shkëpusë nga përqafimi obsesiv
vetminë.
NEVOJITEN URA
Nevojiten ura të ndërtuara me duar
të aftë të zbërthejnë nyje
të kancerizuara nga neglizhenca e kohës,
nga lakmia e pafund
dhe nga pazotësia të shohim
përtej mureve të gjatë.
Në vend të ndryshqeve të dhimbshme
të shtrira me tela gjembash,
të dukshme ose të padukshme,
varrosen farat e luleve
rezistuese shumëngjyrëshe:
korridore krahësh që dinë të dashurojnë,
zemrash që dinë të këndojnë,
litarë që të mbështesin dhe t'i mbajnë
të lira rrugët nga një breg në tjetrin,
nga një agim në tjetrin.
Gërshetime udhësh të shndritshme që lejojnë
të shihemi në sy me njëri-tjetrin pa frikë.
Nevojitet ta nderojmë deri në fund jetën
dhe ta festojmë çast pas çasti, përgjithmonë!
METAMORFOZË
Në fytyrën time me dantella rrudhash,
rreshta shkruar nga historitë,
buzëqeshje, përvuajtje:
roman emocionesh dhe ndjenja të përjetuara.
Mbaje shikimin tënd kur të më takosh
por mos e shiko lëkurën time,
bastunin që mbaj,
duart që dridhen,
trupin e vjetër të kërrusur.
Shikomë në thellësinë e shpirtit
ku fëmijë luaj dhe jetoj rininë
dhe më përqafo, qiellin duke bekuar
që arrite të shohësh timen,
por edhe tënden, metamorfozë.
Studim nga: Angela Kosta gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese