Valbona Kolaveri - Cikël poetik, (Pjesa e dyrë)

Valbona Kolaveri - Cikël poetik, (Pjesa e dyrë)
Valbona Kolaveri
 
GRATË E QYTETIT BLU
 
Gratë e qytetit blu
Kanë sy prej zjarri,
E kur shikimet përthejnë mbi vetet
Në pasqyrimet  t’dillta,
Marrin dyfish nur
N’ perëndimet e largëta,
Reflektojnē mbi liqen
Valëzime të përkora,
Drithmash dashnie
Gratë e qytetit blu,
Kanë sy të zinj
Si thëngjij ,
E flokë të artë si m’naffsh,
T’kapuna si kallza gruni arave,
E buzët të kuqe si shega mjaltë
Gratë e qytet blu
Kanë sy të mëdhenj,
Me ninza ,
Që shkëlqejnë dashnive
Prej shpirtit,
Që amël u flasin andrrave,
Dhe u besojnë amanetet e etërve të vdekun,
Bijëve,
Tuj dashtë
Gratë e qytetit blu
Mbrohen nga mure të gurta,
Që gjinjtë simbol i mban jashtë si shenjë hajmalie për nurin e tyne,
Duke shkapërcye
Hijet përndjekëse,
Që ua kufizojnë liritë,
Ku prarimet  e paqta të hanës,
Së netëve të tyre triumfatore, i kanë
Buzë Bune e Drini
Gratë e qytetit blu
Posedojnë madhshti Rozafe ,
Me hiret e një fisnikeje
Që fjalët  qënisin mbi buzë,
Dhe u flasin butësisht ëngjëjve,
E rruzare lutjesh
Puthin për gjithkënd
 
 
IKONË HESHTJESH
 
Po zbres me hov në një rrëpirë mendimi
Ku shpirti mblidhet guf gulcimave,
Kah orientimet e kithëta
Po më fashisin gjithë kujtimet
 
Ndalem natyrshëm,
Të rikuperoj frymën e ditëve të barsura
Me tharm harrimesh e ngutjesh,
Përpara një ikone që i lutem rishtaz
 
Ajo është gjithmonë aty
Në memorien time,
Nuk ka ngut e as pishmane,
Me pret kur e di qe jam e sfilitur pezmave,
Ulur në një karrige transparente
E në krye mban  nje kurore triumfi
 
Degjon bashkë me mua tehe shpatash
Qe vijnë nga larg,
E druhet mos me presin,
Ia them frikën time,
Heshtja e mistershme e saj më udhëzon
Të gjej një drejtim të ri
 
Mbi supe qetësisht rimarr një pëllumb të bardhë
Të paqtoj veten udhëtimesh në ngjitje
Është koha të nisem.
 
NJË MIJË BURRA
 
Më tradhêtuan një mijë burra,
Dhe asnjë prej tyre
S’më deshi kurrë,
Tek secili veç pak kërkova,
Të më njihte sadopak
Nën lëkurë
 
Më tradhëtuan një mijë burra,
Sepse një mijë të tillë
Ishin të tek i vetmi që njoha,
Ma brodhi shpirtin
Sa mundi nëpër kohëra ,
Ish jo me mua
Por i vetëm,
Dhe shpirtit tim
S’ju bë mik kurrë..
 
TERR DHE DRITË
 
E përpij magjinë tënde
Brēnda territ tim,
Dhe luaj lojë bishash
Të më shqyesh përbrënda egërsinë,
Ta mposht atë terr që më mbyt,
Aty ,ku vetëm dritë e përtejme më grish.
 
ÇANGAT
 
Sinkron i këngëve të pulëbardhave
Nadjes,
I prangosën çangat
Kishave,
Fluturimi i tyre
Kish një mijë arsye
Për t’u thënë qiejve
Se lutjet e bardha vijnë
Bashkë me ne,
Pastaj qyteti le të kremtojë
Ditën e paqtë valëzimesh.
 
SIMBOLIKĒ
 
Rrethuar simbolikash
Tē kuptimta
Tokës së energjisē sime,
Kongruencash përputhem
 
Mē mjafton
E mjaftueshmja jote që më lidh
Për shpirt-
Një zinxhir i pazgjidhshëm
Universesh
 
Që cdo herë më shtang
Në të miat habi.