Valbona Kolaveri - Cikël poetik

Valbona Kolaveri - Cikël poetik
Cikël poetik
 
HARBIM
 
Harbojnë kuajt
Kur furtunë marroqe
Gjuan me tërbim
 
Pa fre kalërojnë
Harbojnë të shklasin
 
Ç’të zënë
Pa asgjë në këmbim
 
Ku zë gjurmë e tyre
Thundrat veç përplasin
 
Godasin e godasin
Dhe të zotët vrasin
 
Se kapistall
S’iu vu ngaherë
 
Harbojnë e ndër thundra
Zënë të tjerë të mjerë
 
Harbojnë
Se vrapin s’jua ndalën
 
Mbi qafë kapistallë
Të zotët s’jua varën
 
Se  duhej
Dhe nuk e panë
 
Dhe padronë
Nuk po kanë
 
Se syresh
Zunë vetë të jenë
Zunë dhe tokë të pazënë
 
Vrapojnë,
Gjuajnë dhe harbojnë
Së pamundurës të shkojnë
 
Çmenduri e tyre
Udhëheq drejt për në fron
 
Fronësh
Pa faraonë
 
 
RENDJE TË ERËTA
 
Ti lule e bukur
Prit të rritesh pak
 
Mos harbo pas erës
Në tundje të lehta
 
Të marros,
Të tërheq nga pak
 
Në laqe të befta
Të zë pritë,
E të këput pa takt
 
E bukur
Ti më s’mbetesh
 
As aromë s’të le
Në rendjet e errëta
 
RILIND
 
Në fusha të diellta
Të shpirtit
 
Rilind çdo ditë
Me të artat rreze
 
Pasqyrime
Sysh mirësie
Tejçohen zemrash
 
Vektorë paralelë zgjas
Drejt ëndrrës
 
Largesash të qelqta
Që nuk shterin,
Dashuri.
 
ZHVISHMA
 
Zhvishma mallin
Në shtratin e kujtimeve
Dhe më duaj
 
Më duaj dhe aty
Ku nuk jam unë
 
Zhvishma teshën
E shpirtit t’lëndum
 
Nën petkat e harrimit
Tek të pret të vish
 
LULE KUJTIMI
 
Në retinë të syrit tim
Malli yt
Pluskon lot
 
Rrëshqet mbi faqe
Dritë
 
Dhe shkëlqen në zemër
Lule kujtimi
Që nuk vyshket
Asnjeherë
 
Tek ushqehet me shpirt
 
LULE BORË
 
O Zoti im
Thirri ëngjëjt për mu
T’ma shërojnë zemrën
Me lule dashnie
T’bardhë reje vishjua shtatin
Lule borë tē zbardhojnë
Kur plagë e idhnimit
T’më shtrëngojë
 
E sofrën e shpirtit
T’ma shtrojë me bukē t’durimit
Që e qetë t’më vijë ëndrra
Mes qiejsh luleborë
 
O Zoti im
Nē thirrje lutjesh
Unë falem bekueshëm
E them ngadhnjimesh
E lumja unë për ty.