Valbona Ahmeti - Cikël poetik

Valbona Ahmeti - Cikël poetik
MILIONA YJE NË QIELL I DEHNIN
 
dimri ishte veshur me pallton e bardhë
hëna s’ndalte vështrimin me sytë e zjarrtë
dendur fluskat binin mbi flokun e zi
simfoni ngjyrash formonin në qiellin gri
mbi faqen e skuqur
shkëlqenin si grimca kristalesh
nga aromë puthjesh
dëbora shkrihej maleve
dy qenie që duheshin e qeshnin
miliona yje i dehnin në qiell
 
vinte buzëmbrëmja si një fustan nusërie
pa zhurmë pa asnjë faj
nën qerpikët e zgjuar dëbora djersitej
vallë ndarjes si t’i bënin ballë
bulëzonin dëshirat nën ndriçimin e hënës
nga sirtari i zemrave një fjalë frymonte e lirë
ëndrrës i flisnin me një pikësynim
buzët e njoma pëshpëritnin për dashurinë e dëlirë
 
 DREJT LIQENIT
 
u nisa drejt liqenit ende pa ra mbrëmja
muzgu i harroi të derdhura flokët e arta
në sytë e natës mrekullisht fjeti errësira
si ujërat e kristaltë që rrjedhin nëpër detëra
 
papritur hëna u zgjua si muzë
unë si trëndafil i skuqur në buzë
u mbështolla nën lëkurën e hënës
si fëmiu që gjen prehje në prehrin e nënës
 
mëngjesi më zgjoj me rrezet e diellit përqafuar
ca drithërime trupin ma kishin mikluar
pulëbardhat mbanin kokën lartë si velat mbi barkat duke notuar
rrëshqisnin pa u ndjerë mbi liqenin e lëmuar
 
atje në breg zogjtë bënin simfoni mbi gjethet e kuqërremta
kënga e tyre më fliste  për misteret dhe bukuritë
piktorit mbi telajo iu derdhën ngjyrat me pahir
gjithë kësaj pamje magjepse po i bënte sehir
 
 STINËS MISTERE
 
vjeshta kryeneçe e vë në gjumë stinën tjetër
era i mbledhë dhe zhdavaritë retë gri
gjethet vallëzojnë në horizontin e lirë lazdruar
si buzëqeshja që shpërthen pas ëndrrës së realizuar
 
ngjyrat e ndezura i thanë lamtumirë blerimit
natyra ngjan me skenat e meditimit
ky fenomen i rrallë frymëzim për poetë e piktorë
bjeshkë e Saint-Sauverit dehje për vizitorë
 
Shirat në këtë stinë e kanë fillin dhe s’dihet ku mbarojnë
si lejlekët e bishtgërshërët që çerdhet e tyre I lëshojnë
ndjenjat zbehen deri në një melankoli të gjatë
ashtu si dekompozimi i një klorofili të ngratë
 
pylli fërshëllin një melodi qortuese
pse nuk e mbajti të blertën vibruese
gjethet e panjës thyhen mbi syprinën e liqenit të qetë
e të lënë pa frymë
stinës mistere as poetët s’i bien në gjurmë!
 
KRYEVEPËR
 
Prekaz, ece nëpër shekuj të tërbuar
zog i etur, qiellin e hapur për t’a zotëruar
mbretërinë ndërtove me të lashtën dhe të paqtën histori
brigjet e shpirtit t’i rrahte prore dashuria për liri
 
në sytë e tu çelej sythi i ëndrrës se moçme
në shtigjet e ballit të ndrinte dielli i ditëve të sotme
në ty ka zënë fill trimëria
në  ty hapëroj e dha emër historia
 
nga emri yt armikun e kapnin ethet
shpresës nuk ia zbehe buzëqeshjet
edhe pse me plagë në zemër nuk pate ligështim
vetëm çëndise gjokse me vetëbesim
 
sot mëngjesi yt kudo shkëlqen
e muzën e dashurisë m’ a rrëfen
perëndimi yt i skuqur
mbrëmjen m’a sjell zjarr të prushur
me buzëqeshjen e hënës lozonjare natën m’ a përkëdhel
ylberin e shfaq pas çdo shiu rebel
 
kur them Prekaz, kuptoj: betim, besë,
fisnikëri, trimëri e burrëri
këngë e lahutës në brezni
tingulli i saj kuq e zi, dashuri për Shqipëri
 
kur them Prekaz, më kap ngazëllimi dhe krenaria
e stërgjyshit Ahmet Delia
kur them Adem Jashari
kujtoj një zemër luani me mendje vigani
 
të vdesësh duke kënduar
historikisht është një kryevepër
legjendat lindin vetëm një herë
për të jetuar përherë!
 
 ÇDO STINË E KANË PRANVERË
 
maleve me dëborë
një kryekrushk e valëvit bajrakun
u mbushën shtigjet me zell dasmorë
nga tingujt e baladë-shqipes
Kompozuar me ndjenja hyjnore
po i kalonte kufijtë e çdo vepre muzikore
ishte një melhem shpirti
jehon si refren mbi tel lahute
Dhe Hyjnorja thërret përtej mrekullisë
të biem për altarin e Lirisë!
 
Atdheun e kishin Diell e shpirt
qiellin mbulojë, ëndërr në thurje
popull i lashtë u ndriçonte me qirinj
fatin e tij e mbanin mbi supe
me dëshirën si lavë t’i hapnin dyert e dritësisë
e sytë zjarr t’i shikonin çastet e lumturisë
 
dritë, dritë kudo dritë zbriti si një kurorë kristalore
mbi nusërimin tënd rrëzëllor
si fushnajat e blerueshme në mesverë
paqja lumnueshëm buronte nga sytë blu qiellor
 
sot sheshet buçasin nga kënga e vallja
mbi lapidar ndalon fluturimin shqiponja
sot Kosova feston ditëlindjen e Bardhë
Lokja fshin lotin mbi faqe si ujëvarë,
para një obelisku të madh
lexoka emra të çendisur mbi mur
lutet për bijtë që ndrisin plotë nur
 
shpirti i tyre ka mbetur i heshtur
vështron kudo nëpër Atdhe
Ndalet në kopshtin e Lirisë
Shpirti si shpirt shënd e verë
Bekon engjëjt e dashurisë
çdo stinë e kanë si një pranverë
nuk dinë të shuhen shpirtrat e Lirisë!