Analizë mbi problematikat e teksteve te këngëve shqipe.
POEZI APO ARROGANCË?
Është paradoksale sesi arroganca dhe mendjemadhësia e kanë zëvendësuar poezinë shpirtërore në muzikën shqiptare. Në një të kaluar jo të largët të muzikës sonë, rokerët e atëhershëm që visheshin si të “fortët” e asaj kohe, ashtu si Noizy dhe Stresi në ditët e sotme, faktikisht, kishin në tekstet e tyre, poezi të ndjera, të vërteta. Një shembull i mirë, është këngëtari mit i viteve 90, Gjergj Jorgaqi me rock-baladën e tij, “Ti qave”. Kjo këngë doli në skenë për herë të parë te “Këngët e Stinës” 1995. Vargjet e asaj kënge ishin shkruar nga një poet, ndofta i panjohur nga disa këngëtarë sot, Ismail Kadare. Fabula e këngës bën fjalë, për një djalë që u braktis nga e dashura, sepse ai e trajtonte keq dhe si prostitutë. Ai mësoi se e dashuronte vërtetë kur ajo iku dhe e la.
Përmes vargjeve:
“Më rrëzëllinte si smerald mërzitja,
Dhe lumturia ngrysej si një muzg me re...
Nuk dija kë të zgjidhja nga të dyja
Sepse secila m'e bukur se tjetra qe”.
Ai shpreh pikëllimin e thellë që i shkaktoi kjo ndarje.
Këto fraza i përshtaten çdokujt, sepse secili nga ne e ka përjetuar dhimbjen e humbjes së një njeriu të dashur, mbase për fajin tonë. Në atë tekst, kishte veç agoni humane, jo mendjemadhësi.
Tekstet sot kanë gjithçka, vec poezi kurrsesi. Ato janë një përshesh me:kryelartësi, imoralitete, mburrje për paratë që kanë, maskilisëm, fjalë të ndyra, ofendime.
Këto gjëra janë absolutisht të papranueshme në botën poetike. Popstarët tanë, kur bëjnë një këngë për ndarje, aktrojnë sikur ato ishin perfekt dhe të gjitha fajet i kishte personi që i braktisi. Frazat “si un ti s’ke me gjet’’ dhe ‘’ askush si un ty s’të ka dash”, i gjeni në 85% të këngëve të çdo zhanri në vendin tonë. Tekstet tani shkruhen me tematika që u bënë trend nga këngëtarë të tjerë dhe jo nga eskperiencat personale, siç i shkruan Flori Mumajesi. Me sa duket, këto PORNSTARËT janë të përsosur.
Isida Dervishhasani