NJË PERLË POETIKE E PAZBULUAR NGA KRITIKA
Rreth një fragmenti nga tregimi i mahnitshëm “Purpuranti” i Bilal Xhaferit
Nga Skifter Këlliçi
Para disa vjetësh, i mbështetur në motivet e tregimit të gjatë “Tej largësive”, me temë ilire, të shkrimtarit të shquar, Bilal Xhaferi, që u shua me 1986 në Amerikë, në rrethana ende të paqarta,(mbase i vrarë nga agjentë të Sigurimit të Shtetit, që elementët antikomunistë i ndiqnin dhe jashtë Shqipërisë), botova romanin me titull , “Dashuri e gdhendur në shkëmb”.
Ishte kënaqësi e rallë për mua që lexuesit dhe kritika, vunë në dukje se stili poetik, që është veçori e këtij shkrimtari, jo vetëm në këtë tregim, por në përgjithësi në tërë prozën e tij të përfshirë në të vetmin vëllim “Tokë e lashtë njerëz të rinj”, në këtë roman ishte vazhdimësi e këtij stili .
Duke u përpjekur të ruaja gjithnjë stilin e Bilal Xhaferit, që në faqet e tregimit të tij të gjatë “Tej largësive” shfaqet thuajse tërësisht në formë të një prozë poetike, fillova të ripunoja thellësisht romanin, i cili është ende në dorëshkrim.
Në reshtat e fundit të tij kam përdorur shprehjen që ai ka thënë në gojën e Batos, njërit prej personazheve të tregimit të tij, prijës i kryengritjes ilire: ”Deri sa të na mungojë liria, ne do të jemi gjithnjë kryengritës”.
Dhe më duket se kjo frazë është një përgjithësim shumë i gjetur filozofik që përshkon tërë veprën e tij .
Mirëpo në krjimtarinë e këtij shkrimtari dhe poeti , jashtëzakonisht të talentuar, gjen perifrazime po aq të goditura, në mos edhe më të goditura se perifrazimi i mësipërm.
Përmenda tregimin”Purpuranti”, botuar për herë të parë në mesin e viteve 60-të në faqet e gazetës letrare “Drita”, që habiti lexuesit dhe kritikët. Strezi, heroi i këtij tregimi, luftëtar i Skënderbeut, pas betejës së Torviollit të fituar nga ushtritë pushtuese otomane, kthehet në fshatin e tij të lindjes. Dhe befas dëgjon një këngë.
”Ishte melodia e një kënge të lashtë…- shkruan Bilal Xhaferi në këtë tregim.- Fjalët e saj që nuk mbaheshin mend, kujtoheshin përsëri. Ato që nuk kujtoheshin, zëvendësoheshin me fjalë të tjera”.
Dhe unë po u paraqes lexuesve përmbajtjen e kësaj kënge, të përshkruar nga autori, e cila, ndonëse në formë proze, është një perlë poetike, që edhe kështu, zë vend të veçantë, jo vetëm në poezinë shqiptare , por, për mendimin tim edhe në poezinë botërore:
“Kur të mbarohen të gjitha, atëherë, për të ndezur qymyrdrurirn në farka, do të bëjmë gjyryk mushkëritë tona. Dhe do të nxjerrim brinjët tona, që t’i kalisim dhe t’i kthejmë në shpata. Kur të mbarohen të gjitha, atëherë gratë do të presin gërshetat dhe me to do të lidhin harqet, për të lëshuar shigjetat. Dhe do të presin për shigjeta tërë drurët e pyjeve. Dhe në mos mjaftofshin pyjet, do të çajmë djepet e fëmijëve. Kur të mbarohen të gjitha, atëherë do të rrëzojmë shkëmbinjtë e maleve mbi kryet e armiqve dhe do të hapim ngastra toke për grunore e vreshta, në rrënjët e shkëmbinjve. Kur të mbarohen të gjitha, atëherë do të ndezim akujt e çative lart në kupën e qiellit, te yjet dhe do t’i vemë në shandanë, në vend të qirinjve, për të na bërë dritë në netët e vona, në netët e përgjakura e të ftohta. Kur të mbarohen të gjitha…”.
Ja, kjo është përmbajtja e kësaj kënge që Bilal Xhaferi ka vënë në gojën e një plaku të fshatit, të cilën Strezi e dëgjon, kur i afrohet fshatit të lindjes.
Le ta kthejmë tani përmbajtjen në prozë të kësaj kënge, në vargje,duke bërë vetëm disa zhvendosje fjalësh që më duket se i japin më shumë ritëm të brendshëm:
“Kur të mbarohen të gjitha,
Atëherë, për të ndezur qymyrdrurin në farka,
Gjyryk do të bëjmë mushkëritë ,
Dhe brinjët tona do të nxjerrim ,
Që t’i kalisim dhe t’i kthejmë në shpata…
Kur të mbarohen të gjitha,
Atëherë gratë gërshetat do të këpusin,
Dhe harqe me to do të lidhin,
Për të lëshuar shigjetat,
Dhe për shigjeta tërë drurët e pyjeve do të presim…
Dhe në mos mjaftofshin pyjet,
Djepet e fëmijëve do të çajmë…
Kur të mbarohen të gjitha,
Atëherë mbi kryet e armiqve
Shkëmbinjtë do t’i rrëzojmë,
Dhe për grunore dhe vreshta,
Ngastra toke do të hapim në rrënjët e tyre.
Kur të mbarohen të gjitha ,
Atëherë do të ndezim akujt e çative,
Lart në kupën e qiellit, te yjet,
Dhe do t’i vemë shandanë në vend të qirinjve,
Që dritë të na bëjnë në netët tona të vona,
Në netët tona të përgjakura e të ftohta .
Kur të mbarohen të gjitha…
Deri më sot kam lexuar artikuj kritikë, me vlera të veçanta, kushtuar krijimtarisë letrare të Xhaferit si në prozë, ashtu edhë në poezi, që janë shkruar nga autorë shqiptarë dhe kosovarë, ndër të cilët vë në dukje kritikun e njohur Bashkim Kuçuku, sidomos me studimin “Jehonë e veprës së panjohur”, (1996) dhe Sabri Hamiti “Bilal Xhaferi, shkrimtari i etnisë”, (‘Gjurmime albanologjike’, seria e shkencave filologjike, Prishtinë , 1994, faqe 7-27).
Qofsha i gabuar, por deri tani nuk më ka rastisur që ndonjë studiues të këtë vërejtur dhe veçuar këtë fragment nga tregimi “Purpuranti “ që është poezi e rrallë dhe të cilën Bilal Xhaferi, çuditërisht nuk e ka punuar si poezi në formën e mësipërme dhe si të tillë edhe ta botonte, por ka parapëlqyer ta vërë në gojën e një personazhi të këtij tregimi.
Jo vetëm kaq, por, me sa shihet, studiuesve u ka shpëtuar nga shikimi vlera artistike e këtij fragmeti prozë-poezi, e tregimit të mësipërm, me një pasuri kaq të madhe figurative, deri në kufijtë më të skajshëm të imagjinatës, që sintetizon aq mjeshtërisht jo vetëm luftërat e popullit tonë në shekuj kundër pushtuesve të huaj, por edhe luftërat e tërë e popujve të shtypur të botës gjatë historisë së njerëzimit. Si e tillë, kjo poezi do të meritonte të futej në antologjitë poetike të çdo vendi të botës .
Bilal Xhaferi, që kishte mbaruar vetëm një shkollë dyvjeçare ndërtimi, u end lart e poshtë kantiereve të ndërtimit në punë të vështira, pa asnjë përkrahje nga shteti komunist, ngaqë ishte biri i një nacionalisti të pushkatuar çam.
Si pasojë, me ashpërsimin e luftës së klasave , më 1967 atij iu hoq edhe e drejta e botimit, nuk doli në qarkullim vëllimi poetik, “Lirishtja e kuqe ”dhe romani historic, “Krastakraus”, kushtuar luftërave të populit tonë kundër pushtimit turk, që u botua mç 1993, pas vdekjes së tij.
Veç kësaj, diktatura komuniste e dënoi Bilal Xhaferin të punonte i izoluar në në një fshat të Durrësit, aq sa në këto rrethana ai u detyrua të arratisej dhe të vendosej në SHBA, ku vazhdoi veprimtarinë e tij letrare dhe publicistike, së pari në gazetën, “Dielli” dhe pastaj në revistën, “Krahu i Shqiponjës”.
Nën kujdesin e pr. Bashkim Kuçukut, Shtëpia Botuese “Toena” botoi më 1996 librin ”Tej kaltërsive”, ku veç disa tregimeve të botuara në vëllimin e tij të vetëm, “Tokë e lashtë me njerëz të rinj”(1965), u përfshi publistika e botuar në faqet e kësaj reviste.
Në një botim të mundshëm në të ardhmen, do të ishte mirë që ky vëllim të ribotohej dhe në të të përshihej edhe kjo “poezi”, e fshehur në tregimin, “Purpuranti” dhe krahas saj edhe poezi të tjera kundër diktaturës komuniste, të ushtruar nga arma e tmerrshme e Sigurimit të Shtetit, të shkruara në SHBA, si “Shqipëri 76”, që po rendis më poshtë:
‘Vend i vogël , kohë e vogël, racion i vogël,
Errësirë e madhe, frikë e madhe, mjerim i madh…
Dhe rrugëve të atdheut,
Si kukuvajkë nën hënë,
Leh dhe ulërin “Gazi 69…’
…Dhe, krahas poemës kushtuar, vendlindjes se tij, Ninat, poezia “Kosovë”, truall tjetër shqiptar, ku UDB-ja, ku si motra e këij, Sigurimi, ushtronte mbi vëllezërit tanë kosovarë:
‘Kosovë,
legjendë e mbetur në udhëkryqet e historisë,
Kosovë,
Gjithnjë ashtu si gjithnjë,
Me dhëmbë shtrënguar e me shpirt në dhëmbë,
Kosovë,
Ku shqiptarët flasin një gjuhë,
Dhe dëgjojnë dy gjuhë,
Së bashku me gjuhën e nënës ,
Dhe gjuhën e UDB-ës.’
Redaktoi: Suela Boçi