METAFORA POETIKE E SHPRESËS SË MIRË
Me vëllimin poetik “Fluturat në grila” (2006), të vjershave në gjuhën frënge dhe shqipe, poeti Arif Bozaxhi e ka realizuar një thirrje të rrallë dhe shumë të fuqishme poetike, në kërkim të ndërgjegjësimit të publikut artistik vendor e ndërkombëtar, për ta kuptuar dhe mirëkuptuar “Letërnjoftimin e gjakut” të Fluturës – Kosovës, shumë të vuajtur nga qëndrimi i gjatë në grilat e robërisë së egër serbo-sllave. Kjo thirrje me forcën e sinqeritetit të pastër poetik, guximshëm e godet errësirën dhe e ndriçon sakrificën mbinjerëzore të popullit të Kosovës për liri. Poeti është njëri nga personazhet reale që e ka përjetuar dramën e tmerrshme, prandaj me kompetencë e deklamon vuajtjen “si memorandum të paqes” që e ka brenda zemrës dhe të cilën e nxjerrë me “...tërë dhunën e shekullit XX” (f.25), si i ka hije një poeti që dëshmon të vërtetën: “Ky ajër/Me aromë hekuri/ Ia gërryen brinjët/ Kosovës” Kështu thotë poeti në librin “Flutura në grila”, që e ka shkruar kryesisht gjatë viteve 1994-1997, i syrgjynosur larg atdheut, por me mendje e shpirt në atdhe dhe i vendosur: “Do të pres/ Në stacionin e fundit/ Me lule në dorë// Deri s’më lag/ Shiu/ I harrimit” (f.57). Vendim ky i një misionari të paepur shërbestar, besnik dhe i devotshëm ndaj idealeve për vendin e vet:
“Rritet një dru në mua
Malin nuk ia di.
Por edhe ta dija
Pasha qiell e tokë
Kurrën e kurrës
Nuk do t’ia tregoja sharrëxhiut.”
(Sharrëxhiu, f.139)
Kjo linjë tematike zhvillohet e sintetizohet edhe më e frymëzuar në librin “Kambanat e diellit”, ku shpërthen jehona e vargjeve në pesë gjuhë të ndryshme (shqip, turqisht, gjermanisht, anglisht dhe frëngjisht), që përhapin të vërtetën e realitetit të Kosovës. Përmes fjalësh të buta e të bukura, të zgjedhura dhe të gërshetuara me mjeshtri të hollë e me shije artistike, poeti Arif Bozaxhi është në shërbim të së mirës, të së bukurës, të së drejtës, të së vërtetës dhe të dobishmes për jetën njerëzore pa dalim, që janë preokupim i përhershëm shpirtëror i këtij krijuesi të mirënjohur.
Afir Bozaxhi me pasion prej alkimisti, fenomeneve të dukshme të realitetit të jetës përpiqet t’ua zbulojë dhe zbërthejë brendinë, të panjohurat e shumta që janë të kamufluara sipas interesave të ndryshme, në kohë e hapësira të caktuara dhe që e determinojnë arsyen e shoqërisë njerëzore. Kjo determinomë, për fat të keq, as pas shumë shekuj përpjekjesh e sakrificash drakonike, nuk po arrin që ta krijojë mirëkuptimin ndër njerëzor që - njeriu për njeriun mos të jetë ujk!
Veçantinë përmbajtjesore të vëllimit “Kambanat e diellit” e shquajnë dhe e karakterizojnë idetë iluministe të poetit, i cili është një misionar i përkushtuar në shërbim të zhvillimit dhe përparimit të shoqërisë njerëzore, duke e vënë në qendër njeriun e rëndomtë dhe preokupimet e tij të përditshme, që janë të thjeshta, por jetike dhe të përbotshme, sepse:
“Rreth një zogu
Sillet kozmosi
Dhe frymon
Në një pikë shi.”
(Flutura në grila, vj. Kozmosi, f,99)
Njeriu është krye vlera unike, e papërsëritshme, pa të cilën të gjitha gjërat e tjera janë krejtësisht të pakuptimta, siç e thotë edhe F.Tomazini “Me vdekjen e një njeriu vdes edhe gjithë bota e tij”!*1) Këtë ndjenjë poeti e ka shpirtërore, të përjetuar nga humbja e të birit të tij në moshë rinie, dhembja për të cilin poetit: ”...ia ka mësuar alfabetin e këngës nga zogjtë, ndërsa nga yjet e ka zbuluar sekretin se feja është vetëm buzëqeshje dhe se, shpirti i zogut të gjakut të tij është dashuria (Pika shiu, f.5).
Odisejada jetësore e poetit është e rëndë, plotë me përjetime nga më të ndryshmet, me pak gëzime e shumë hidhërime por, që nuk e përkulin, sepse beson dhe i shërben të mirës, të bukurës të vlershmes. Simbioza e përjetimeve të poetit është shumë e ngjashme me “Tri gotat” *2) e Latif Berishës: një me mjaltë, e dyta me helm dhe e treta bosh. Poeti pasi i shijon veç e veç, dy gotat e mbushura i bashkon në të tretën gotë, e cila bëhet “idhtë e ëmbël” mu si jeta e tij dhe fati i Kosovës martire, plagët e së cilës, në mënyrë brilante i bën medaljonin emblematik për kujtesën historike:
Kur në sytë e zogjve
korbat shuanin etjen
një fëmijë nga Prekazi
deshi t’ia dërgojë
një letër diellit...!
asnjë zarf nuk ia zuri
letrën e përgjakur
(Zarfi, f.6)
Poezi e bukur kjo, shumë domethënëse dhe e plotë kuptimtë, adekuate për dimensionin e jashtëzakonshëm të biografisë së përgjakur të Kosovës, të shprehur nëpërmjet të fëmijës nga vendi i ngjarjes më tragjike -Prekazi, i cili dëshiron t’i dërgojë letër diellit! Një gjetje jashtëzakonisht e bukur artistike, e shprehur me mprehtësi të kulluar ndjenjash fiktive për ekstazën reale, që e realizohen me fjalë të thjeshta plotë dritë urtësie dhe energji shpërthyese super-artistike, të denjë edhe për antologjitë më të zgjedhura poetike.
Me pak vargje por të skalitura maksimalisht, si poezia “Zarfi”, janë edhe shumica e krijimeve të vëllimit “Kambanat e diellit” që e meriton vendin ndër botimet më të mira të letërsisë bashkëkohore shqipe, por edhe më gjerë, sepse, Arif Bozaxhiu është poet altruist, që me mburrje thotë “...feja ime është vetëm buzëqeshje...” dhe buzëqeshjet i përhapë për “t’i marr ngryk/ kufijtë e ajrit” (fjala,15).
Pikërisht marrja ngryk e “kufijve të ajrit” janë shenja e karakterizuese e punës krijuese gjysmëshekullore, që ky poet e ka kurorëzuar me vargun e veprave që janë mirëpritur nga lexuesit dhe kritika shqipe dhe turke, sepse në këto dy gjuhë e ka shkri gjithë shpirtin e tij. pa kompleksin e përkatësisë krijuese, i bindur se “feja e poetit është poezia”. Këtë e vërteton gjithë krijimtaria e tij poetike, që gëzon reputacion të lartë, sepse është poezi, poezi dhe vetëm poezi. Kështu kanë vlerësuar dhe vazhdojnë me pietet ta shprehin shkrimtarët, kritikët dhe studiuesit e letërsisë shqipe. Studiuesi, kritiku dhe poeti, prof. dr. Agim Vinca, kredon krijuese të këtij poeti e krahason me poetët e famshëm botërore: “Bota poetike e Arifit sillet në trekëndëshin mes Lorkës, Tagorës dhe Nazim Hikmetit, dhe kur themi kështu, kemi parasysh në radhë të parë ndjeshmërinë e poetit dhe deri diku, edhe shprehjen poetike.”*3) Trininë e shenjtë të treshes së madhe poetike tek Arif Bozaxhiu, e gjen në humanizmin, dashurinë dhe kërkimin e fshehtësisë së gjërave që ky e ka të përbashkët, sidomos me Nazim Hikmetin, tribunin e vegjëlisë, të luftës për liri, drejtësi sociale, kombëtare e njerëzore. Poeti Vinca pa hezitim për artin e Arif Bozaxhiut thotë: është himn i së mirës dhe i së bukurës!
Poezia e Bozaxhit është lirikë e theksuar proverbiale, që me fjalë dhe vargje të thjeshta dhe figuracione e të mprehta, shpreh mendime me ndjeshmëri të mëndafshtë për botën që e rrethon, vlerat me sublime të jetës personale dhe preokupimet gjithë njerëzore. Si një filigranist i mirë, poeti e shtrydh imagjinatën e tij për ta zbërthyer sa më në thellësi ballafaqimin me vetveten, Ky ballafaqim në kompleksin e pafund të egos, e pasqyron identitetin e njeriut dhe të shoqërisë njerëzore, që poeti ia dedikon gjithë forcën e mendjes dhe të zemrës.
Poeti Azem Shkreli te poezia e Arifit ka veçuar: “Timbrin e hollë e të ndjeshëm, një çlirtësi si e fëmijës, një sinqeritet e afërsi ndaj ideve e motiveve që e shqetësojnë” *4), ndërsa Xhevahir Spahiu *5) ka vlerësuar lartë: “metaforat poetike që janë sa të tejpashme, aq edhe të prekshme; të pasura me mjete shprehëse, në marrje simbolesh dhe imazhesh të gjalla, fjala është dëshmi artistike e një jete të kërcënuar, ajo ndriçon fate, gjendje, kundërti, arratisje, një botë të tronditur absurdi.
Një poet i vlerësimeve të këtilla domosdo që nuk është udhëtar i rastit, të cilin spontanisht e ka zënë meraku për të thurë vargje sofistike, në bredhje e sipër. Jo, Arif Bozaxhi e ka të qartë dhe mirë të përcaktuar konceptin e tij poetik: “Poezia m’i la/ çelësat e shpirtit/ para portës së zemrës/ që t’i shoh hapësirat e yjeve.” (Poezia, 14).
Ky është programi krijues që e realizon me qetësi e maturi, pavarësisht nga rropullitë e jetës, të cilave u qaset me mendje e zemër dhe i zbërthen me urtësi krijuese, duke ua dhënë trajtën e botëkuptimeve personale, që janë variacione lirike të mendimit ndryshe, të një kredoje poetike krejt individuale, të pastër e të pasur shpirtërore. Dëshira sublime poetike është të qenit “urë mëngjesi” me shpirt e zemër dashurie “për një planet pa urrejtje”, sepse poeti nuk mund qëndrojë indiferent kur shikon:
“Mes dy hapave
E dy kllapave
Dritaret pikojnë gjak.
Ose
Mes dy tankeve
E dy ushtarëve
Fluturat qajnë”
(Urë mëngjesi, f.52)
Merxhan Avdyli e quan Arif Bozaxhin njeri i madh dhe thekon synimet e tij sublime poetike për të ndërtuar raporte të mira mes njerëzve dhe popujve, ndërsa Halil Bogiqi *6), dëshmon se, si redaktor i gazetës TAN, Arif Bozaxhi ishte përcaktuar për mbrojtjen e qenies kombëtare shqiptare duke mos u pajtuar që Kosova të zhvishej nga atributet e saj shtetërore që i kishte me autonominë e vitit 1974. E kjo nuk është pak, sepse, është koha kur reagimet janë të rrezikshme, sidomos për një poet i cili është në fillet e krijimtarisë së tij dhe kundërvënia ndaj pushtetit është me pasoja. Por, ky është këmbëngulës në vazhdimësinë e ngjarjeve të mëvonshme, kur Kosova mbërthehet në hekura dhe mes tokës dhe qiellit jetën vriten si zogj. Poeti me zjarrin e zemrës i vë në lëvizje “Kambanat e diellit” për të treguar dimensionet e dhembjes që bota e civilizuar të mos i lejojë kurrë më që të përsëriten.